Nga: Franz Babinger
Përktheu: Eqrem Çabej
Një vlerë të madhe kanë shënimet e udhëtarit Evlija Çelepi [Evliya Çelebi, 1611-1682], në veprën e tij të njohur e prej dhjetë blejsh “Libri i shtegtimit” (Sejahatneme) përmbi Shqipërinë, të cilën duket se e ka shëtitur më se një herë. Lajmet mbi Shqipëri ndodhet në blenin e VII-të e të VIII-të.
Kurse nga përshkrimi që na jep ai mbi Shqipërinë veriore nuk del një gjë e madhe për ta njohë më mirë atë vend; vlera e përshkrimit të Shqipërisë jugore e të mesme prej tij qëndron më lart. Ky shtegtim nëpër Shqipëri që ay e bëri në verën e vitit 1670, u lidh me një udhëtim nëpër Greqi të veriut. Evlijai erdhi prej ujdhesës Leukas në Prevezë, në Prevezë të vjetër, d.m.th. në Nikopolis, gjer në gërmadhat e Rogóit, pastaj në Nartë, Janinë, Zaravuci, Ajdonat (Paramithi), Margëlliç, Pargë, Lopës, Sajadhë, në kala të Dajlanit përballë Korfuzit, në Korfuz e prej Korfuzi zbriti prapë në tokë për në Delvinë.
Evlijai thotë se Delvina ra për herë të parë në dorë të turqvet më 1431 në kohë të Bajazidit të II-të, po për gjithmonë në kohë të Sulejmanit të Shkëlqyer, kur e pushtoi shqiptari Ajas Pasha. Q’atëherë është qëndra e një Sanxhakbeut. Një gjyqtar ushtron detyrën e vet. Në majë të një bregu të rëpjetë qëndron një kështjell i fortë pesë këndesh e me një rreth 600 këmbësh. Nga lindja hapet një port’ e hekurt. Përbrënda ndodhen vetëm tri shtëpi të vogëla e të mbuluara me tjegulla për të zotin e kështjellit, për qehajanë dhe për imamin, pastaj një xhamí e vogël, një drithërishte a kocek, një xhephane si edhe një sterrë.
Më të djathtë të kështjellit ndodhet Xhamija e Hungjarit, xhami katër këndesh e gurtë, e cila qe ndërtuar prej Bajazidit të II-të. Pazari ka vetëm 80 dyqane. Shtëpitë e Delvinës janë të përndara, nj’a një pushkë larg njëra-tjetrës. Ndër xhami të tjera janë për t’u përmëndur xhamija në lagjen Vlladika e xhamija në Gjini-Aleks; kishte edhe gjashtë medrese, tri shkolla për të vegjël, tri teqe bektashinjsh, një hamam dhe tre hane, nga të cilët më i dukuri është hani i Memo Pashës. Së fundi Delvina kishte 12 kronje. Lagja Vllaka ndodhet më ulët, lagja Gjini-Aleks gjëndet në mes të kopshtijeve e të vreshtave. Sidomos qé madhështor seraj i Memo Pashës.
Në Delvinë q’atëherë bëheshin limonet, portokallat, fiqtë, ullinjtë, shegët, kishte edhe shumë selví. Banorët flasin vetëm shqip dhe greqishten s’e kuptojnë. Të heqë vërejtjen tmerri që kanë prej murtajës, që është aq i madh, sa, kur pëlcet kjo sëmundje, i lënë të sëmurët dhe marrin malet; kështu, të lënë, vdesin si qeni në vreshtë, edhe në qoftë se nuk i pat zënë murtaja. Tregëtija kryesore është eksportimi i ullinjve.
Prej Delvine Evlijai udhëtoi nga perëndimi dhe pas 7 orësh rruge nëpër shkrepa e male arriti në Kalasë, e cila ndodhet në veriperëndim të Delvinës në rrëzë të Kurveleshit dhe hyri në sundimin e Perandorisë Otomane nga dora e Gedik Ahmet Pashës në kohë të Bajazidit të II-të. Pasha i Delvinës merr të ardhura prej atij vëndi. Kështjelli i Kalasës ka po atë madhësi sikundrë ay i Delvinës.
Prej Kalasës Evlijai eci 7 orë rrugë nëpër udhë të gurta nga veriu dhe arriti në Zhulát. Ky vend qe pushtuar prej Gedik Ahmet Pashës edhe përbën që prej Sulejmanit të II-të e këtej një vojvodí të sanxhakut të Delvinës. Kështjelli i vogël, po shum’ i fortë ka një periferí prej 400 hapash. Ndërmjet lindjes e perëndimit ka një portë.
Prej Zhulati Evlijai mori anën e lumit të Kardhiqit nga lindja dhe arriti në Kardhiq, i cili më vonë (në Shkurt të 1812-ës) mori një emër të hidhët me gjakderdhjen që bëri Ali Pashë Tepelena. Ky vënd aso kohe qe i rrethuar prej një muri dhe qëndronte mbi një kodër. Kishte 150 shtëpi të vobekta të mbuluara me tjegulla pjesërisht dhe me pllaka e me kashtë. Në Kardhiq ndodhesh një kumandant me 100 veta.
Prej këndej Evlijai mori prapë udhën e lumit nga lindja dhe arriti pas 6 orësh në Tërbuq, Labovë, Kakoz, gjithë çifliqe të beut të Delvinës, Memo Pashës. Atëhere erdhi në Gjinokastër, në qytetin më me rëndësi të Shqipërisë jugore, të cilit Evlijai i kushton një përshkrim të gjerë. Gjinokastra u-pushtua prej Bajazidit të II-të vetë (1431). Që prej Sulejmanit Gjinokastra i takon Pashës së Delvinës. Mbi një kurriz të gjatë mali zgjatesh kështjelli madhështor, i cili kishte një përqarkje prej 1400 hapash. Anët e gjata kishin një madhësi prej nga 600 hapash, anët e shkurtëra 100. Përbrenda mureve ndodheshin 200 shtëpi shumë katesh e të mbuluara me pllaka guri, edhe një xhami e ndërtuar prej Bajazidit të II-të. Ujët e së pirit mirresh nga një sterrë (saranxhë), ishte ujë shiu. Në lagjen e kalasë hyhesh nga dy porta të trifishta hekuri. Në Varosh ndodhesh, si edhe sot, lagja e të Krishterëvet me 200 shtëpi. Në qytet ndodheshin dy pazare të mbyllura me porta të drunjta. Në lagjen Memi Bej gjëndeshin 150 shtëpi të forta. Qyteti i madh shtrihesh mbi 8 brigje dhe lugina; atje ngriheshin me radhë shtëpi shumë katesh me kulla. Gjinokastra atëhere kishte 8 lagje, ndër të cilat më të parat ishin: Palo, Verosh, Manalat, Haxhi bej, Dondar, Memi Bej. Këto lagje përmblidhnin 2000 shtëpi, ndër të cilat shquheshin seraj i Memi Pashës si dhe pallatet e parësisë. Në Gjinokastër ndodheshin atëhere tri teqé bektashinjsh. Mjerisht mbi këto nuk jep shënimë të imta. Pesë kronje i jepnin ujë qytetit. Banorët e Gjinokstrës kanë, kështu tregon ky udhëtar, një frikë të madhe nga murtaja. Nga pikëpamja folkloristike vlejnë të shënohen përshkrimet e dokevet dhe të zakonevet të banorëvet të këtij qyteti. Në disa ditë feste, në dasma, synetllëqe, si dhe në ditën e Hidrit, d.m.th. të Shën Gjergjit (23 Prill allaturka), në Nevruz, në Kasim, d.m.th. ditën e Sari Salltëkut (ndofta Shën Kolli) banorët veshin petka ari, pinë verë të kuqe dhe kërcejnë valle të çudiçme, duke u-përqafuar, duke u-zënë për brezi, etj.