Ulliri shqiptar shkon me satelitë në hapësirë

Farat shqiptare të ullirit, Kina i dërgon në satelitë në hapësirë për përmirësime gjenetike, ndërsa në Shqipëri, vaji i ashtuquajtur “i këmbëve”, i nxjerrë me ujë të përvëluar nga ullinj gati të kalbur, ende konsiderohet nga shumë njerëz si vaji më i mirë dhe pa hile.

Në ekonominë e sotme për vende si Shqipëria, traditat janë po aq të rëndësishme sa progresi teknologjik. Vaji “i këmbëve” nuk është traditë, është një praktikë e diktuar nga varfëria ekstreme deri vonë, e sot padituria ekstreme.

Lotaria më e shpejtë dhe më e lirë e modifikimit të farave në hapësirë sesa modifikimi gjenetik modern, në Shqipëri nuk ka nevojë të bëhet, sepse kemi baza të mira historike, shkencore dhe agroteknike, por që po humbasin me shpejtësi.

Fluturon fara, e fluturon paraja

80 vite më parë, ish-kryeministri kinez, Çu En Lai, mbolli në mënyrë demonstrative një fidan ulliri nga 10 mijë të tillë që Shqipëria i dhuroi Kinës.

Fidanët u mbollën në tetë rajone të Kinës në gjerësi gjeografike të njëjta me Mesdheun dhe në zona kodrinore të thata me pak mundësi rritjeje për kultura të tjera, në rajone ekonomikisht të varfra të Kinës.

Për dekada të tëra nuk ka informacion çfarë ndodhi me këta ullinj, por në dekadën e fundit shikohet se vaji i ullirit i quajtur “lëngu i artë” dhe pema e ullirit e quajtur pema “e kryeministrit”, janë rikthyer me forcë.

Edhe sikur në mungesë të prodhimit e tregtimit të vajit dhe ullinjve kokërr, Kina e konsideron sukses që me dhjetëra mijë hektarë janë të mbjella me pemë e të gjelbëruara, që sjellin mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe më shumë oksigjen, si suksesin e parë.

Agjencitë e lajmeve kineze thonë se me dhjetëra mijë fermerë kanë dalë nga varfëria me kultivimin e ullirit që zë një sipërfaqe prej rreth 150 mijë hektarë dhe se sektori gjeneron rreth 500 milionë euro në vit.

Vaji ekstra i virgjër i ullirit kinez ka fituar vitet e fundit shumë çmime të arta në konkurset ndërkombëtare. Kina konsumon rreth 50 mijë tonë vaj ulliri në vit dhe prodhon vetë vetëm 10 mijë tonë.

Prodhuesi më i madh kinez i vajit të ullirit thotë se problemi kryesor që patën fillimisht ishte cilësia ose se “paratë e këqija nxjerrin nga qarkullimi paratë e mira”. Ky përndryshe quhet ligji i Gresham.

Gresham, një financier britanik, pa se monedhat e reja me më pak përmbajtje metali të çmuar, të cilat u hodhën në qarkullim por me vlerë të njëjtë shkëmbimi si ato të vjetrat me më shumë flori ose argjend, i zëvendësuan ato.

Njerëzit i shkrinë monedhat e vjetra si metal me vlerë ose i ruanin. Më konkretisht për ullirin, do të thotë që vaji jo cilësor nxjerr nga tregu vajin cilësor. Ligji i Gresham i shekullit të 16-të nuk njihet shumë në Shqipëri.

Në shekullin e 16-të, Shqipëria ishte një humbëtirë brenda Perandorisë Osmane, ku ekonomia dhe zhvillimi ishin kthyer në bejte të fermentuara si ajo e trahanasë dhe jo në ligje ekonomike.

Ndoshta situata më e afërt për Shqipërinë është ajo kur Mbreti Zog zëvendësoi floririn në qarkullim me paratë letër, e më moderne kur sado përpjekje nga institucionet, Euro vështirë se do të zëvendësohet me Lek si monedhë për blerje të mëdha dhe për kursime.

Më e thjeshtë, e lidhur me lexuesit, është kur në epokën e mediave sociale, postimet sensacionale, populiste, të paverifikuara, të bazuara mbi emocione e paragjykime, zëvendësojnë shkrimet e vërteta të bazuara mbi fakte, kërkime, e me standarde editoriale.

Për prodhuesit shqiptarë të vajit të ullirit cilësor, ky ligj i parasë së keqe është përditshmëria. Me një ndryshim: nëse floririn apo argjendin e monedhës së mirë e shkrin dhe e ruan, vaji nuk ruhet dot aq gjatë.

Kur vaji, ose një prodhim jo cilësor dhe një prodhim cilësor kanë të njëjtin çmim, prodhimi jo cilësor do ta nxjerrë nga qarkullimi prodhimin cilësor. E kjo na çon në një ligj tjetër.

“Tregu për limonë” është sjellja ekonomike dhe informacioni asimetrik midis shitësit dhe blerësit që i dha Akerlof çmimin Nobel për ekonominë.

Saimiri, një ullishtar i ri nga Mallakastra, nuk e njeh Akerlof, por e di mjaft mirë se çfarë do të thotë që konsumatorët nuk e njohin cilësinë e vajit ekstra të virgjër. Saimiri punon, investon, mundohet dhe kërkon të prodhojë vaj ekstra të virgjër të një cilësie shumë të lartë, por kërkesa e vetme që merr është: sa është çmimi?

Diku tjetër, i thonë të gjithë blerësit, ne e marrim edhe më lirë. Por, a është e njëjta cilësi për atë çmim? Saimiri ka përballë dy zgjedhje: ose të ulë cilësinë, ose të mos prodhojë dhe të emigrojë, përndryshe vaji cilësor nuk ka treg sepse konsumatorët nuk dinë ta dallojnë cilësinë dhe nuk kanë informacion që ta dinë se vaji që blejnë, ashtu si makinat e Akerlof, mund të jetë limon apo pjeshkë.

Prodhuesit si Saimiri me pak mijëra litra vaj, por dhe ata me dhjetëra mijë, përballen përveç kësaj edhe me konkurrencën nga jashtë.

Ata nuk mund ta vendosin çmimin dhe zakonisht detyrohen dalin në treg me çmime shitje dy deri në tre euro më pak se çmimi i vajit të ullirit që vjen nga Greqia, kryesisht me bidonë metalikë të sjellë në sasi të mëdha nga emigrantët, vizitorët e tregtarët.

Në Greqi, çmimi i shitjes, si dhe raporti cilësi-çmim, lidhet më mirë me tregun vendas, por edhe atje për shkak se Greqia prodhon shumë më tepër se sa konsumon, çmimi i vajit në tregun ndërkombëtar vendos kufijtë e çmimit edhe për tregun vendas grek.

Çmimin në tregun ndërkombëtar e vendos Spanja, e cila prodhon mesatarisht 1,4 milionë tonë vaj dhe mund të kapë deri në 50% të tregut botëror. Çmimi i vajit spanjoll, në varësi të prodhimit dhe kërkesës gjatë viteve të fundit, është luhatur nga 3 deri në 10 euro për litër dhe për vitin 2025 mendohet të jetë rreth 5 euro litri te prodhuesi. Në Shqipëri besohet se prodhimi i vajit këtë vit do të trefishohet në krahasim me pak vite më parë, në rreth 30 mijë tonë.

Ndërsa për Shqipërinë, kjo është një arritje e madhe e krahasuar me prodhimin spanjoll, i gjithë prodhimi shqiptar është sa një gabim në rrumbullakosje i atij spanjoll. Aktorët në tregun ndërkombëtar, sasitë dhe çmimet na mundësojnë të shikojmë se cilat janë rrugët e rritjes për prodhimin shqiptar.

Eksporti nuk është rruga e parë sepse konkurrenca është shumë e madhe dhe në mungesë të cilësisë dhe rrugës institucionale që e garanton atë, vetëm një çmim i ulët e mundëson eksportin.

Ndërsa fermerët ullishtarë spanjollë, grekë, italianë, përfitojnë subvencione jo të pakta, ato janë minimale, pothuajse inekzistente për shumicën e ullishtarëve shqiptarë, prandaj një çmim i ulët eksporti do të thotë të shesësh me humbje kundrejt çmimeve të subvencionuara europiane.

Rruga më e mirë mbetet të rritet tregu vendas duke rritur përdorimin e vajit të ullirit si dhe një kërkesë më e lartë nga emigrantët e diaspora shqiptare duke i bindur ata për cilësinë e prodhimit. Tregu vendas rritet duke ulur kostot e prodhimit e rrjedhimisht çmimin, që për kostot e jetesës dhe të ardhurat në Shqipëri është i lartë.

Kjo me anë të subvencioneve, politikave dhe nxitjes së investimeve në sektor. Por, së pari duhet ta ruajmë tregun e prodhimit vendas me anë të prodhimit me standarde edhe më të larta, e cilësi të ndryshme, transparente dhe të kuptueshme nga konsumatori.

Teoria e tregut për limonë na ndihmon të kuptojmë që konsumatori duhet informuar, edukuar dhe se institucionet shtetërore të standardeve dhe kontrollit duhet të funksionojnë shumë herë më mirë dhe shumë më energjikisht sesa aktualisht.

Karabinierë e financierë për pak vaj më shumë

E ndërsa fjala e parë, nëse do të pyeten fermerët, fabrikat dhe qytetarët, mund të jetë: më shumë subvencione për të rritur prodhimin, nuk janë subvencionet që do ta rrisin atë, por standardet. Dhe më tej, kontrolli mbi standardet.

Këtë e ka arritur në një masë jo të vogël Italia, e cila konkurron për shitjet me Spanjën, Greqinë dhe vendet e tjera të Mesdheut vetëm me cilësi e standarde më të larta.

Për shkak se Italia mund të shesë thjesht edhe me imazhin e krijuar prej saj, një pjesë e mirë e eksporteve italiane janë në fakt vaj i ambalazhuar në Itali me origjinë nga Spanja, Greqia, Tunizia, e madje pak edhe nga Shqipëria.

Kjo nuk është rastësi, por sepse ata kanë standardizuar dhe vendosur kontrolle të rrepta mbi cilësinë. Vaji i ullirit është një nga produktet më të kontrolluara në sektorin agroushqimor në Itali.

Inspektorati i Cilësisë dhe Luftës ndaj Mashtrimeve Agroushqimore bën me mijëra kontrolle në vit, mbi 9 mijë të tilla, dhe këtyre u shtohen edhe kontrollet nga Komanda e Karabinierëve për mbrojtjen e shëndetit dhe ato të Guardia di Finanza, me mijëra kontrolle të tjera. Masmediat italiane jo vetëm informojnë mbi cilësinë, përdorimet dhe vetitë shëndetësore, por shpesh kanë emisione investigative për mbrojtjen e konsumatorit.

Për aq sa është e mundur, një konsumator italian është i vetëdijshëm që ka cilësi të ndryshme dhe çmime të ndryshme të vajit të ullirit.

Për eksportet, lidhur me konkurrencën, Italia e ka diferencuar prodhimin duke u përpjekur ta vendosë atë në shkallët e cilësisë më të lartë. Rol jo të vogël luajnë këtu dhe Rajonet e ndryshme si Puglia, Toscana, Sicilia, etj., të cilët promovojnë prodhuesit e tyre lokalë dhe varietetet e rajonit.

Për të rritur edhe më tej autenticitetin rajonal dhe për të minimizuar importin e ullinjve për shtrydhje nga jashtë Italisë, nga viti tjetër, bizneset do të munden të përpunojnë vetëm ullinj të cilët nga vendi i mbledhjes deri në shtrydhje shkojnë brenda 6 orësh. Origjina e mbrojtur, e garantuar dhe tipiciteti gjeografik (DOP, IGP) janë standarde të tjera të cilat rrisin vlerën duke lidhur atë me historinë, traditën dhe territorin.

Standardi kryesor është ligji, i cili kërkon që të konsiderohet ekstra i virgjër, vaji, përveç analizave fiziko-kimike me tregues si aciditeti nën 0,8%, peroksidet zero ose nën 20 meq O2/kg, etj., ai duhet të vlerësohet nga një panel test njerëzor për analizën sensoriale; ekspertë të cilët kanë një procedurë të caktuar, fjalor të caktuar për vlerësimet, si dhe vendin e mjetet e duhura të degustimit që vaji të marrë përfundimisht klasifikimin si ekstra i virgjër për etiketën.

Në Shqipëri, panel test, analiza sensoriale, nuk bëhet pothuajse për asnjë parti vaji që del në treg me etiketën ekstra i virgjër, e as për vajin që importohet, apo është ekzistues në treg.

Në Itali, Inspektorati i Cilësisë dhe Luftës ndaj Mashtrimeve te prodhimet agroushqimore e ka nën vëmendjen kryesore sektorin e vajit të ullirit dhe sipas të dhënave të tyre, gati 25% ose një e katërta e kampioneve të marra për vajin ekstra të virgjër paraqesin parregullsi.

Kjo nuk do të thotë se vaji nuk bën, por zakonisht është një cilësi më e ulët se ajo e deklaruar në etiketë, me parametra kimikë ndryshe nga ligji, ose parametra organoleptikë, shije e aroma, jo konform klasifikimit.

Kryesisht për produkte vaji ekstra të virgjër me çmim të ulët dhe të mesëm, probabiliteti që një shishe vaj me etiketën ekstra të jetë realisht ekstra është 75-80%, diferenca 20-25% nga totali, kryesisht është vaj i virgjër ose me defekte.

Spanja ka bërë hapa gjigantë drejt përmirësimit të cilësisë dhe situata është e ngjashme me Italinë, ku probabiliteti vlerësohet në 75-80% që vaji ekstra në etiketë të jetë autentik.

Në Greqi bëhen më pak kontrolle se në Itali, por ka rritje të kërkesës për gjurmueshmërinë dhe standardet. Probabiliteti që vaji të jetë ekstra sipas etiketës është përgjithësisht i lartë, veçanërisht për kategoritë me çmim të mesëm e të lartë, si dhe për vajin me origjinë të mbrojtur; ai vlerësohet në 70-80%.

Duhet ditur se për shkak të kontrolleve më të shumta në tregun e brendshëm dhe njohurive më të mira nga konsumatorët, shitësit nga këto vende e kanë më të lehtë të eksportojnë e shesin vaj ekstra në limitet e normës, ose dhe nën normë, e me probleme sensoriale dhe defekte në vendet që nuk e kanë traditë vajin e ullirit dhe sidomos atje ku kontrollet e standardeve nga institucionet janë më të pakta, ose pothuaj inekzistente.

Vaj medet

Dyqanet në rrugët rurale të Shqipërisë, përpara e gjatë sezonit të ullirit, mbushen me bidonë e shishe plastike të përdorura për shitje.

Nuk mungojnë as bidonë plastikë të rinj, të cilët nuk janë të certifikuar për përdorim ushqimor, por industrial. Sado cilësor vaji që del nga linja, sado punë e investim të jetë bërë nga fermerët dhe fabrikat, në momentin që vaji hidhet në një shishe plastike të përdorur, ai vaj nuk ka vlerë morale, e ajo monetare është pazar sa shpejt i duhen paratë prodhuesit.

Në Greqi, si pasojë e traditës, pothuajse i gjithë vaji, edhe ai i prodhuesve të vegjël e familjarë, shitet me bidonë teneqeje.

Spanja  përdor për të ulur kostot, ambalazhimin plastik, por plastikën e duhur dhe për përdorim të shpejtë. Shteti shqiptar, nëse vërtet do të kërkojë zhvillimin e sektorit, hapi i parë duhet të jetë të nxisë prodhimin vendas të ambalazheve të duhura, ose nëse kjo është e pamundur, të heqë tarifat e TVSH-në për importin e tyre nga Greqia të teneqeve, e të plastikës së duhur nga vende të tjera. Po ashtu, për ambalazhimin e vajit që do të ruhet më gjatë në dyqane, të shisheve të duhura të qelqit, pa tarifa e pa TVSH.

Ambalazhimi kushton edhe kur importohet, sepse ka peshë qelqi, e volum plastika, por çmimit të tyre në dyqan i shtohet dhe 20% ashtu si dhe vetë vajit.

E këtu kemi përsëri një problem madhor, që konsumatorët shqiptarë, nëse blejnë në dyqan, do ta blejnë 20% më shtrenjtë vajin bashkë me ambalazhin, se sa një konsumator në Itali, Greqi apo Spanjë, ku nuk paguhet ose paguhet TVSH e reduktuar për ushqimet. Kjo do të thotë një kërkesë më e ulët dhe më pak para që mbeten në fund për fermerët dhe fabrikat e përpunimit.

Saimiri, ullishtari i ri nga Mallakastra, llogarit vetëm kosto bazë të prodhimit këtë vit 500 lekë/për litër dhe nëse blen ambalazh qelqi për një litër kushton 100 lekë, një bidon plastik për 10 litra, 70 lekë, dhe një bidon teneqeje 600 lekë, për 10 litra. Ambalazhimi në qelq dhe metal është i paarritshëm për Saimirin; këtë duhet ta bëjë vetë blerësi, që kur blen me bidon të përdorur plastik, ta transferojë vetë vajin.

Nëse Saimiri do të shesë si në Greqi me teneqe 5/10-litërshe, me një marzh fitimi minimal, çmimi për litër duhet të jetë minimalisht 8 euro, ndërkohë që kërkesa është për 4-5 euro për litër. Kërkesa për çmime shumë të ulëta, kjo për arsye të fuqisë blerëse, por edhe në bazë të njohurive e kërkesës që kanë blerësit, i ka dekurajuar deri tani edhe shumicën e fabrikave a linjave të përpunimit që të mos shesin, por të bëjnë vetëm shtrydhjen.

Një kërkesë pak më e rritur drejt cilësisë dhe pak më shumë fonde publike drejt linjave kanë bërë të mundur së fundmi që disa linja të futen në treg me produkte vaji ekstra duke investuar në hapësira e tankera ruajtës me ftohje, e madje dhe me azot për të ruajtur cilësinë sa më gjatë.

Fragmentimi i ullishtave, dhe se shpesh ato janë e vetmja formë për të fituar sadopak para fizike (cash) i shtyn fermerët të mos e shesin ullirin kokërr për përpunim, por ta shtrydhin atë deri në pikën e fundit.

Edhe sikur të mos e shesin vajin në treg, vetëkonsumi që zëvendëson yndyrat e tjera që janë mjaft të kushtueshme si gjalpi e vaji i lulediellit e bën këtë aktivitet të mbahet në këmbë.

Ambalazhimi ishte problemi i parë i ngritur; me këtë u presupozua që problemet e tjera të prodhuesve janë të zgjidhura, por si mund të ndihmohen ata sepse ambalazhi nuk është i vetmi problem, por është ai që spikat i pari.

Problemet e tjera nuk janë aspak të zgjidhura dhe ato janë: shkundëset mekanike, sidomos ato elektrike me bateri, janë një ndihmë e paçmuar kur fuqia punëtore dikur e lirë tani mungon pothuajse e gjitha, e janë të domosdoshme të subvencionohen ose të kenë çmime të favorizuara.

Rrjetat mbledhëse për tokën dhe arkat për transport, janë investimi tjetër që duhet.

Fermerët, ashtu si bidonët plastikë të përdorur, përdorin edhe thasë plehu kimik, e thasë të tjerë plastikë të përdorur më parë, për transport, gjë që ul cilësinë e vajit më vonë, nevojiten arkat. Ujitja me pika, dhe ujitja në përgjithësi e lidhur me ndryshimet klimatike janë domosdoshmëri për qëndrueshmëri të prodhimit.

Format e bashkëpunimit duhen stimuluar, ku fermerët që kanë varietete të njëjta ose që vijnë nga e njëjta zonë gjeografike të kenë të njëjtat standarde prodhimi e shitjeje. Linjat ose fabrikat mund të stimulohen edhe më shumë për prodhim vaji ekstra të virgjër që ruhet dhe cilësor.

Vaji i ullirit ekstra, nëse ruhet në kushtet e duhura, e ruan cilësinë edhe për dy vjet, duke rritur kështu fuqinë negociuese të prodhuesit. Informim më i mirë për konsumatorët; një përdorues i mirë mban në shtëpi disa lloje vaji ulliri për gatim, bukë, sallata, ose edhe për skuqje, etj.

Konsumatorët dhe prodhuesit duhen informuar e mësuar se jo çdo vaj ulliri ka edhe veti shëndetësore, apo se shija jep një premium në çmim; pikërisht këto janë diferencat në çmim midis llojeve të vajit të ullirit, dhe se vetëm vaji ekstra, me më shumë polifenole, i paoksiduar, i ruajtur ashtu si duhet, i ka këto veti dhe arrin çmime të larta.

Prandaj vende si Italia, Spanja, Greqia, investojnë për standarde e kontrolle. Pa standarde dhe kontrolle nga institucionet përgjegjëse, si dhe mbështetjen e panel test-eve vështirë se do të kemi vaj ekstra të virgjër të certifikuar në treg.

Vaji i keq e nxjerr nga tregu vajin e mirë, këtë e dinë edhe në Kinë. I dërgojnë ata farat e ullirit deri në hapësirë që të gjejnë përmirësime. Shqipëria e ka këtë lëng të artë që përpara se të ishte pema e kryeministrit në Kinë, ishte te ne, e Gjergjit.

Në brigjet e Adriatikut e Jonit nuk merrje dot nuse, e as nuk të lejonin të martoheshe nëse nuk mbillje disa rrënjë ullinj.

Ulliri është në ADN-në tonë mesdhetare, është peizazh, është natyrë, është kulturë, është e ardhur, është punë që të heqësh të zinjtë e ullirit, por kur i kemi thënë ne jo punës, është shëndet dhe shije. Çfarë po hani? Vaj luledielli a ulliri të nxjerrë me solventë?/monitor.al