Ushtarët e Koresë së Veriut vrasin aksidentalisht trupat ruse për shkak të pengesës gjuhësore

Trupat koreano-veriore që luftojnë krah forcave ruse në rajonin e Kurskut po përballen me numër të lartë viktimash dhe vështirësi në komunikim, sipas një raporti nga Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me seli në SHBA.

Forcat e Koresë së Veriut janë të vendosura në Kursk në përpjekje për të ndihmuar forcat ruse të rimarrin territorin e pushtuar nga Ukraina që prej gushtit. Megjithatë, ISW ka vënë në dukje sfidat që po pengojnë suksesin e përbashkët të këtyre forcave.

“Trupat e Koresë së Veriut po përballen me beteja të ashpra me viktima të shumta dhe problem është komunikimi i dobët me forcat ruse, gjë që ka ndërprerë koordinimin ushtarak midis tyre dhe ka minuar operacionet në terren,” thuhet në raportin e ISW.

Sipas Drejtorisë Kryesore të Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës, një përplasje përfshiu trupat koreano-veriore dhe batalionin çeçen “Akhmat” Spetsnaz, pasi tetë ushtarë çeçen humbën jetën në front nga pengesa gjuhësore midis dy palëve.

Raporte të tjera sugjerojnë se një sulm me dronë ukrainas fundjavën e kaluar shkaktoi vdekjen e 200 ushtarëve rusë dhe koreano-veriorë.

ISW paralajmëroi se problemet e vazhdueshme të komunikimit midis trupave ruse dhe atyre koreano-veriore ka të ngjarë të vazhdojnë të shkaktojnë fërkime dhe të pengojnë operacionet ushtarake në rajonin e Kurskut.