Ushtarët rusë po vdesin masovikisht në Ukrainë

Nga fillimi i luftës, numri i ushtarëve rusë të vrarë dhe të plagosur mund të ketë tejkaluar 730 mijë, ndërsa jetëgjatësia mesatare e një ushtari të rekrutuar llogaritet të jetë vetëm një muaj.

Përveç kësaj, Rusia përballet me një ekonomi gjithnjë e më të dobët, inflacion të lartë dhe mungesë të fuqisë punëtore. Megjithatë, edhe Ukraina ka pësuar humbje të rënda, sipas analizës së David Axe nga Forbes.

Forcat ruse po kryejnë sulme në një vijë të gjatë fronti prej afro 1300 kilometrash. Analisti estonez, Artur Rehi ka llogaritur se një rekrut i ri rus mbijeton mesatarisht vetëm një muaj pas nënshkrimit të kontratës. Ky fakt tronditës pasqyron taktikat brutale të Kremlinit, ku ushtarë të papërgatitur dërgohen në beteja pa mbështetje të mjaftueshme.

Muajt shtator dhe tetor kanë qenë ndër më të përgjakshmit për forcat ruse, me humbje ditore që shpesh kanë tejkaluar 1500 ushtarë (të vrarë dhe të plagosur). Sipas burimeve amerikane dhe llogaritjeve zyrtare ukrainase, Rusia ka humbur nga 600 deri në 730 mijë trupa që nga fillimi i pushtimit.

Megjithatë, këto humbje nuk e kanë ndalur përparimin rus në disa sektorë kyç, si Donetsk. Në muajin shkurt të vitit 2023, forcat ruse pushtuan qytetin Avdiivka dhe, më vonë gjatë vitit, arritën të detyrojnë ukrainasit të tërhiqen drejt Pokrovskës. Po ashtu, në Vuhledar, sulmet e shtrenjta por të suksesshme ruse kanë destabilizuar frontin jugor të Donetskut.

Një zhvillim tjetër i rëndësishëm është presioni rus ndaj trupave ukrainase në rajonin Kursk. Atje, rreth 50 mijë ushtarë rusë, me ndihmë nga Koreja e Veriut, po luftojnë kundër 20 mijë trupave ukrainase që kanë zënë një territor prej 400 kilometrash katrorë.

Edhe pse Rusia po mban ritmin e sulmeve, gërryerja e burimeve njerëzore është një problem i madh. Ekonomia ruse është nën presion të jashtëzakonshëm. Shpenzimet për luftën përbëjnë mbi 6 për qind të GJDP-së, dyfishin e shpenzimeve ushtarake të SHBA-së dhe trefishin e standardit të rekomanduar nga NATO.

Inflacioni ka arritur në 8 për qind ndërsa norma bazë e interesit është rritur në 21 për qind. Investimet në industri kanë rënë ndjeshëm dhe fabrikat po vuajnë nga mungesa e punëtorëve. Për më tepër, rubla ruse ka humbur një të tretën e vlerës së saj që nga gushti i vitit 2023.

Sipas llogaritjeve të Ministrisë së Mbrojtjes të Estonisë, nëse Ukraina arrin të vrasë ose plagosë 100 mijë ushtarë rusë në vitin 2024, do të sigurojë fitoren deri në vitin 2025. Deri më tani, Ukraina ka shkaktuar rreth 300 mijë viktima ruse në vitin 2023.

Por, edhe Ukraina ka humbje të mëdha, me deri në 100 mijë të vrarë dhe rreth 400 mijë të plagosur, sipas The Economist. Problemet me mobilizimin mund ta detyrojnë Ukrainën të vazhdojë strategjinë e saj aktuale: të sakrifikojë territor për të shkaktuar dëme të mëdha mbi forcat ruse.