Klara Hasuka është nxënëse e klasës së 6- të në shkollën “Beslidhja e Malësisë” në Tropojë. Prej 1 viti ajo ka mësuar të luaj në lahutë nga kompozitori Skënder Doshlani dhe është ngjitur në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar.
Ajo tregon me emocionet e një fëmije se këtë simbol të lashtë e njihte prej vitesh nga gjyshi i saj i cili i gdhend lahutat. Ka menduar ta sfidoj veten në këtë vegël muzikore që kryesisht është luajtur dhe luhet nga meshkujt.
Vajza nga Markajt e Tropojës thotë se rrugën e artit sapo e ka nisur dhe do ta vazhdojë gjatë gjithë jetës së saj.
Lahuta përfaqëson një prej instumenteve muzikorë më të lashtë që shqiptarët qysh prej lashtësisë, nga iliria, arbëria e ditët e sotme nuk e kanë ndarë nga djepi dhe vatrat familjare.
Sot lahuta e admiruar dhe e lakmuar prej fqinjve, por më së shumti një traditë kombëtare dhe një visar i çmuar po trashëgohet ndër breza, bashkë me historitë e saj epike, të një eposi si ai i Kreshnikëve me Mujin dhe Halilin apo Ajkunën dhe Omerin.