Punimet për hapësirën memoriale shumëfunksionale në Lezhë, ku ka lindur At Gjergj Fishta po vijojnë ndërkohë që projekti po zbatohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.
Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se godina multifunksionale kulturore e rekreative në këtë vend sa historik, aq dhe tërheqës për peizazhin e mrekullueshëm natyror do të ketë hapësira të veçanta për rezidenca artistike, për sesione krijimtarie e ekspozime, për të mikpritur artistët vendas e të huaj, e për të zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore dhe edukative, e jo vetëm. Fishta u lind më 23 tetor 1871 në Fishtë të Zadrimës, me emrin e pagëzimit Zef, i biri Ndokë Simon Ndocit dhe Prendes së Lazër Kaçit nga Kotrri, më i vogli i tre vëllezërve dhe një motre. Famullitari i Troshanit që përkujdesej edhe për Fishtën, Marian Pizzochini nga Palmanova, ua kërkoi prindërve ta bënin frat dhe ata ia dhanë. Me shpenzimet e famullitarit, Zefi shkoi në shkollën françeskane në Shkodër deri më 1880, kur nisi veprimtarinë Kolegji i Troshanit. Në 1886, vetë i gjashti dhjak u nis për në Bosnjë nga Urdhri Françeskan. Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut, ku sipas sharteve të urdhrit ndërroi emrin në Gjergj.
I rrethuar nga një mjedis ku kultivohej edhe nacionalizmi kroat, ku njihej edhe nacionalizmi serb e malazez, prej ku dhe mori shkas për të frymëtuar nacionalizmin në veriun shqiptar. Në kontakt me françeskanin boshnjak Grga Martiæ (1822-1905) dhe lirikun kroat Silvije Strahimir Kranjèeviæ (1865-1908), ai u ndikua nga vargjet e tyre dhe të Kaèiæ, Mažuraniæ dhe Njegoshit. Në vitin 1893 kreu me lavd këndimet në Bosnie dhe vetë i gjashti u kthye në vendlindje, ku u bë meshtar më 25 shkurt 1894 duke çuar meshën e parë në kishën e Troshanit. Pasi u kthye nga Bosnia, punoi për disa vite mësues në Kolegjin e Troshanit. Të dielave mbulonte me shërbim meshtarak kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë, ku shërbeu si famullitar (1896- 1897). Në 1899 u caktua famullitar i përkohshëm në Gomsiqe, nën juridiksionin kishtar të Abatit. Në 1899 qe ndër anëtarët themelues të shoqërisë “Bashkimi”. Në 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i shkollës françeskane. Porsa mori drejtimin e shkollës, ndërroi gjuhën e mësimdhënies nga italishtja në gjuhën shqipe.
Me mbarështimin e tij, iu shtuan edhe klasët që atëkohë quheshin qytetnore. Duke qenë në periudhën osmane ndoshta e vetmja shkollë kombëtare në Shkodër, duke u nderuar më pas edhe nga Xhonturqit ngaqë ishte pa ndikime të huaja si shkollë. Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Në nëntor 1908 Fishta si përfaqësues i shoqërisë Bashkimi mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u ujdisën për alfabetin. Me kryengritjen e Mbishkodrës në 1911, Arqipeshkvi Serreqi i dërguar nga autoritetet osmane, mori me vete Fishtën dhe Bumçin në Podgoricë për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve.
ANGAZHIMET
Me administrimin ndërkombëtar të Shkodrës, drejtoi të përkohshmen “Hylli i Dritës”, por u mbyll pas një viti prej autoriteteve prej artikujve thumbues të vetë Fishtës. Për shkak të qëndrimeve të tij, autoritetet lëshuan urdhrin që të syrgjynosej në Maltë, gjë për të cilën u strehua ndër famullitë e krahinës dhe kleri i lartë ndërhyri që t’i pezullohej urdhri i mërgimit. Me pushtimadministrimin austro-hungarez pas 1916, botoi fletoren “Posta e Shqypniës”. Po atë vit çoi shtypshkronjën në Shkodër, e cila do të marrë emnin “Shtypshkroja Françeskane”: françeskanët që deri atëherë botonin tek shtypshkronjën “Nikaj” tashmë nisën të botonin vetë. Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim u zgjodh anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti u zgjodh nënkryetar i Parlamentit. Kur iu desh ta linte, propozoi Marlaskajn si zëvendësues. Në tetor së bashku sivëllaun Dodajn, shkuan në Romë për të takuar Kryetarin e Urdhnit dhe u pritën nga Papa Benedikti XV, ku morën ndihma për hapjen e shkollës publike “Illyricum”.
Në fillim të vitit 1922 u nis në Mbretërinë e Bashkuar, në shkurt, 1922 nga Liverpuli, pas 12 ditëve mbërrin në Amerikë. Takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge i Partisë Republikane, për njohjen diplomatike Shqipërisë së pavarur. Fishta mbështeti Lëvizjen e qershorit, por me rikthimin e legjitimitetit nga forcat e Ahmet Zogut, shkoi dhe qëndroi në arrati deri në vitin 1926, kur pati një dekret të veçantë për amnistim. Gjatë gjysmës së parë të viteve ’30 ka qenë përfaqësues diplomatik i shtetit shqiptar nëpër konferencat parapërgatitore të Kuvendit Ballkanik më 1934 (Athinë, 1930; Sofia, 1931; Bukuresht, 1932). Prej 1935 deri më 1938 shërbeu ministër provincial i Françeskanëve në Shqipëri. Më 1937 u tërhoq nga jeta publike, duke iu përkushtuar jetës rregulltare dhe krijimtarisë së vet që e lëvronte në kuvendin e urdhrit përbri Kishës së Gjuhadolit. Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 u zgjodh anëtar i Akademisë së Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Vatikan.
Nga fundi i vitit 1940 shkoi në Troshan, ku kishte nisë së pari jetën rregulltare dhe atë letrare. Sëmuret më 10 dhjetor ku iu gjendën pranë miku i vet Doda dhe sekretari Volaj. Më 14 dhjetor e sollën në Shkodër, ku u shtrua në spital për një sëmundje zemre dhe pneumoni. Më 22 dhjetor ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Më 27 dhjetor, mjekët humbasin shpresat dhe Fishta ra në kllapi. Më 30 dhjetor 1940 ndërroi jetë në spitalin e Shkodrës. Në valën e Revolucionit Kulturor, më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist u zhvarrosën nga Kisha e Gjuhadolit. Sipas një dëshmie, eshtrat e tij me të sivëllezërve të tjerë u hodhën pas tri ditëve në lumin Drin. Por dëshmi të tjera përcjellin se eshtrat u shpëtuan, u ruajtën dhe u varrosën tinëz sërishmi në varrezat e Rrmajit në Shkodër. U rivarros më 1996.
VEPRA
Në fushën e letrave Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike e satirike, dramën, publicistikën dhe përkthimin. Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folklorike dhe duke përfshirë metrikën folklorike. Fillimisht u shqua në anonimat në sajë të dy këngëve të “Lahutën e Malcis” (Zarë, 1905 dhe 1907), i ndikuar nga poezia epike e sllavëve të jugut, si dhe nga vargjet e Grga Martiæ dhe poeti kombëtar malazez Njegoš. Me ritmin e poezive popullore, herë-herë i përngjasonin kumteve homerike, duke evokuar përplasjet e deriatëhershme osmano-malazeze ku aktorët shqiptarë nëpër vargjet e tij ishin malësorët (Marash Uci, 1905) dhe shkodranët (Oso Kuka, 1907) përpunohej ideja e armiqësisë kundër sllavëve. Sentimentet antiturke në veprën e tij do t’i shkruante vetëm në këngët që botoi pas pavarësisë së vendit. I financuar nga qeveria austro-hungareze, më 1907 botoi në Sarajevë në mënyrë anonime përmbledhjen me poezi satirike Anxat e Parnasit (rib. Anzat e Parnasit), duke hedhur kështu themelet e zhanrit të satirës në letërsinë shqipe. Ka dëshmi shkrimore që ka lënë pas piktura dhe po ashtu qe arkitekti i njërës prej kishave të Shkodrës. Ka botuar 9 tekste dramatike.
Përshtati veprën Le Furberier Escarpet të Molierit në pjesëzën Dredhitë e Patukut, e pabotuar, dorëshkrimi i së cilës gjendet në Bibliotekën Françeskane në Shkodër. Si me Skiroin, Konicën me autorë të tjerë të rinj, me ardhjen në pushtet të regjimit komunist, Fishta u shpall “armik i popullit” dhe si autor u ndalua, sepse kryevepra e tij “Lahuta e Malcís” është antisllave. Ndër akuzat e tjera që i bëheshin postum qenë edhe pranimi i medaljes së dhënë nga sulltani, të qenët agjent i austro-hungarezëve kur botonte Posta e Shqypnís si dhe për mosrefuziminin e titullit akademik i Akademisë së Shkencave të Italisë fashiste pasi kjo pushtoi Shqipërinë. Për Arshi Pipën, arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohej fishtofobia e partisë, është sepse ishte gegë dhe prift katolik.
Pas propozimit të valiut Hasan Riza Pasha, sulltani i kishte akorduar Fishtës dekoratën e klasit II “Maarif Nishani” për merita të veçanta në fushën e arsimit. Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshkvnor në praninë e Imzot Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria AustroHungareze me medaljen “Ritterkreuz” (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (1913), Piu XI “Medaglia di Benemerenza” (1925), Urdhri françeskan e dekoroi “Lector Jubilatus” (1929), Greqia me dekoratën “Phoenix” (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të akademisë së saj më 1939. Me rastin e 130-vjetorit të ditëlindjes së tij, Këshilli i Bashkisë së Lezhës e bëri “Qytetar Nderi”. Në këtë mbledhje përkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti që t’i bëhet një propozim Presidencës që t’i akordojë poetit të madh titullin e lartë “Nderi i Kombit” për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar. Kjo dëshirë u realizua nga presidenti Alfred Moisiu më 28 nëntor 2002.
LETËRKËMBIMET
Njihen dy letra që Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndier se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Musolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë as Urdhri Françeskan dhe as Provinca e Fishtës. Dhe, të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province. Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja qëndron në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcís”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga “Iliada” e Homerit, Molieri etj. Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, më datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë udhëheqësit, Duçe.
Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane, anëtar i së cilës u bë edhe Gjergj Fishta në 1939, i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me nismën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë. Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl./ Panorama