Fotografi shkodran i botës së egër, Jetmir Troshani është vlerësuar me Çmimin e Parë dhe ka marrë Njohjen e Artë të Nderit në kategorinë Fotografia e Natyrës dhe Kafshëve të Egra nga Fondo Internazionale per la Fotografia (FIOF) Awards 2024.
Fotografia e tij me titull “Vallëzimi elegant i buzzardëve” (Elegant Dance of Common Buzzards), është vlerësuar maksimalisht në aktivitetin “Orvieto Fotografia 2024” mbajtur në Itali nga 15-17 mars 2024, pikërisht në 20-vjetorin e Fondit Ndërkombëtar për Fotografinë.
Fotografi është shprehur, se kjo arritje shënjon një moment historik të rëndësishëm në rrugëtimin e tij me fotografinë e jetës së egër, duke e pasuruar edhe më tej angazhimin për fotografimin e natyrës shqiptare.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci e ka uruar Troshanin për këtë arritje.
“Veprat e tij artistike jo vetëm dokumentojnë pasurinë e faunës sonë, por edhe po ndikojnë drejtpërdrejt në promovimin e kësaj pasurie të jashtëzakonshme që ka Shkodra, ndaj jemi përzemërsisht falënderues”, shprehet Beci në rrjetet sociale. /atsh