Vdekja e Gülen/ Erdoğan tregon përralla: Iku nga kjo botë pa dhënë llogari, por do ta dënojë Zoti

Kleriku Fethullah Gülen ndërroi jetë, por mesa duket presidentit Recep Tayyip Erdoğan i ka ngelur peng që nuk e ekstradoi dot në Turqi. Megjithatë, kreu i shtetit turk shprehu bindjen se drejtësinë që nuk e dhanë dot autoritetet, do ia japë Zoti.

Në reagimin e parë, pas vdekjes për atë që dikur e kishte bashkudhëtar Erdoğan nuk i përmendi emrin, por garantoi se do të zhdukë rrënjët e organizatës FETO.

Erdoğan: Tradhtarët pavarësisht të gjitha përpjekjeve tona ia dolën që t’i shpëtonin drejtësisë sonë, ikën nga kjo botë pa dhënë llogari për gjakun e dëshmorëve dhe për atë që u bënë fëmijëve të këtij vendi, por nuk do të shpëtojnë dot nga drejtësia e Zotit. Jemi të bindur se Zoti do u kërkojë llogari në botën tjetër për gjithçka i kanë bërë vendit tonë, ndërsa ne nuk do të ndalim luftën tonë për të zhdukur çdo rrënjë të grupit FETO.

Fethullah Gülen ndërroi jetë të dielën në moshën 83-vjeçare në Pensilvani ku jetonte që prej vitit 1999. Autoritetet turke e kanë bërë atë përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit të 15 Korrikut të vitit 2016 ku humbën jetën 251 persona. Vetë Gulen në atë kohë i mohoi akuzat.