Vëllai i Haxhi Shalës: Po dyshohet për pengim të drejtësisë

Është duke vazhduar intervistimi i ish-deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shalës.

Avni Shala, vëllai i Haxhi Shalës ka thënë për KOHËN se prej Zyrës së Prokurorit të Specializuar rreth orës 8 të mëngjesit kanë shkuar në shtëpinë e Shalës edhe e kanë njoftuar që është i ftuar për intervistim.

Sipas Shalës, vëllai i tij është i dyshuar për pengim të drejtësisë. Ka thënë që nuk kanë më shumë informacione dhe janë duke pritur që të përfundojë intervistimi.

Haxhi Shala intervistohet nga Specialja

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haxhi Shala, po intervistohet nga Zyra e Prokurorit Special të Kosovës.

KOHA ka kuptuar se intervistimi i tij po bëhet në zyrat e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.

Të pyetur lidhur me rastin, nga ZPS-ja kanë bërë të ditur se po kryhen disa operacione të vazhdueshme në Kosovë, megjithatë nuk kanë dhënë koment lidhur me intervistimin e Shalës.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar është duke kryer operacione të vazhdueshme në Kosovë dhe nuk ka komente të mëtejshme”, ka thënë shkurtimisht zëdhënësi Christopher Bennett.