Veshjet arvanitase dhe madhështia e tyre

ILIAZ BOBAJ

Një fushë të gjerë studimi dhe një interes të veçantë ka pasur dhe ka veshja arvanitase, e cila në shekuj ka pësuar edhe ndry­shime, duke iu përshtatur zhvillimit kohor dhe duke u pasuruar edhe më tej. Por këto ndryshime kanë qenë zhvillime dhe plo­tësime të pjesshme të kohës, përgjithësisht duke e pasuruar këtë veshje, por pa e ndryshuar veshjen bazë, atë të traditës së lashtë. Në të vërtetë, në këtë fushë duhet të merren dhe të flasin spe­cialistët. Por që të flasin ashtu siç duhet, këta specialistë duhet të merren me studimin e kësaj veshjeje. Dhe kur themi që duhet të merren me studimin konkret të saj, kemi parasysh veshjen e sotme të fshatrave arvanitase, veshje të cilat jo vetëm ekzi­stojnë, por edhe i përdorin në festa dhe festivale të ndryshme, i ruajnë në familje brez pas brezi, i ekspozojnë në muzeume, i paraqesin në ekspozita etj.

Ka shumë botime, kryesisht greke, por edhe të studiuesve të huaj, të cilat sjellin një informacion dhe material të gjerë dhe të pasur në këtë fushë. Por ky studim bëhet duke i parë ato nga afër tek familjet traditase arvanitase, tek individë të ndryshëm në zona të ndryshme, në muzeume, në panaire festive dhe veç kësaj, ky studim plotësohet duke u njohur me studiuesit grekë dhe të huaj për veshjen dhe folklorin arvanitas, të cilët janë të shumtë.

Këta studiues e përshkruajnë dhe e ilustrojnë këtë veshje edhe me përshkrim me fjalë, por edhe me fotografi (për kohën që nga dalja e fotografisë) dhe me piktura dhe skica të çmuara, të ardhura prej shekujve të shkuar.

Një nga studiuesit më të veçantë grekë në këtë fushë është Petros A. Furiqis, në përshkrimin e tij tejet të hollësishëm të “Veshjes kulluriote’’.

Vepra e tij e botuar në vitet 1920 është jashtëzakonisht e rën­dësishme dhe e çmuar jo vetëm në përshkrimin e hollësishëm të saj, por edhe në përshkrimin e traditës së folklorit arvanitas.

Do të ishte mirë që kjo vepër të vinte e plotë në gjuhën shqipe, pasi ajo është si të thuash “një muze më vete” dhe sjell një informacion shumë të gjerë dhe të dobishëm për këtë temë.

Zbukurimi i lashtë dinjitoz, por edhe pamja e rreptë e kësaj veshjeje, ta kujtojnë madhështinë arbërore.

Veshja e femrave dhe e nuses arvanitase

Veshja e femrave arvanitase të ishullit të Salaminës vlerësohet se përbën një tip të veçantë të veshjes femërore arvanitase, duke bartur vlera krejt të veçanta dhe me interes po të veçantë stu­dimor.

Kjo veshje ndryshon krejtësisht nga të gjitha veshjet femërore në gjithë Greqinë dhe krahasohet vetëm me veshjet e Megarës, të Qimit, të Neapolit (i cili në kohën e Perandorisë Otomane quhej Nev Sehir), me atë të Kapadhoqisë dhe të Athinës së lashtë, veshje të cilat cilësohen edhe sot si më të lashtat.

Në atë kohë, në Salaminë, vajzat cilësoheshin si të rritura, sapo mbushnin moshën katërmbëdhjetë vjeçare dhe trajtohe­shin si femra të ardhura në moshë. Në këtë moshë ato quheshin vajza që ishin gati për martesë dhe fillonte përgatitja e pajës. Kjo përgatitje fillonte që nga veshja, e cila mbështetej në tradi­tën e prindërve dhe paraardhësve të tyre.

Që në këtë moshë, vajzat, nën kujdesin e nënës dhe femrave të afërta të shtëpisë dhe të farefisnisë, visheshin me veshjet tradicionale, sidomos në vendet publike, me ndryshime të vogla, në përshtatje me moshën e tyre, me vendin që ato zinin në shoqëri dhe rrethanat.

Veshja nusërore kishte madhështi dhe dallohej nga të gjitha veshjet nusërore vendase. Në kokë nusja mbante festen.

Flokët e nuses thureshin në një gërshetë të vetme, e cila duhej të qëndronte e paprishur plot dyzetë ditë. Këmisha ishte një basmë prej mëndafshi dhe pambuku, e cila në atë kohë vinte në Salaminë nga ishulli i Idhrës. “Kselici” në ballë, “gjerdani” në gjoks dhe “kordoni” me shumë radhë monedhash floriri ose argjendi, shpërfaqte edhe gjendjen ekonomike të nuses dhe pozitën e saj, të familjes dhe të fisit të saj në shoqëri.

Koka e nuses dhe balli i saj mbulohej nga festja, në anën e pasme të së cilës ishte e qepur me argjend dhe ar një safë, e cila rrethohej me monedha argjendi.

Festja mbahej me një “kapuçali” dhe me koronën, e cila e rrethon atë si një diademë e përdredhur. Mbi të vihej ajo që quhej “streha”, e cila kishte ngjyrë të errët dhe lule të stam­posura.

Si vello të nusërisë vendosej një beze, e cila ishte një “kom­binim” shumë i bukur mëndafshi e zbukuruar me ar, me thekë të florinjtë. Por kjo ndryshonte dhe varej në varësi të pozitës shoqërore që mbante nusja dhe familja e saj. Ky “kombinim” kishte më tepër fije dhe qëndisje ari në endjen e saj dhe ishte një punim i rrallë dhe i çmuar i një vegjëtari.

Në vesh vinin vathë “verjetes”, të cilët binin veçanërisht në sy për bukurinë e tyre.

Trupi i nuses vishej si më poshtë: veshje e brendshme ishte një këmishë (κεμίσεα), e cila përgatitej nga basma e ardhur nga Idhra, e përbërë prej mëndafshi dhe pambuku, e qëndisur me ngjyra të kuqe, ku dalloheshin format e bohçeve.

Ndërsa fustani i nusërisë përbëhej prej pjesës së trupit dhe fundit. Ky fustan ishte në ngjyrë jeshile ose blu të errët. Këtë fustan e qepnin me 7-14 fletë mëndafshi të prera pjerrët dhe të qepura të gjitha së bashku, derisa të plotësohej forma e plotë e fundit të fustanit të nusërisë me rrudhosjet e bukura e të shumta.

Mbi këtë vishej një “xhak”, i cili ishte një çift mëngësh të qepura në shpinë, që e linte të pambuluar gjoksin, me qëllim që ai të ishte i dukshëm dhe ta shpërfaqte të gjithë bukurinë femë­rore. Ky xhak ishte prej cohe ose kadifeje, në një ngjyrë të thellë të purpurt. Mëngët ishin të qëndisura me fije të florinjta, me forma rrodhëze ose me forma spirale bimore.

“Zostra” ishte një brez i zi prej leshi.

Përparësja bëhej prej kadifeje ose prej mëndafshi dhe ishte e qëndisur më pak ose më shumë sipas gjendjes ekonomike të familjes së nuses.

Në të gjitha studimet për veshjen arvanitase, qoftë të nuses, qoftë për veshjen femërore në përgjithësi, theksohet se sidomos veshjet e nusërisë ndryshojnë jo pak, në qëndisjen e tyre, sido­mos me penj floriri dhe argjendi dhe në pasurimin e tyre me këtë qëndisje sipas fuqisë dhe gjendjes ekonomike të nuses, e cila bën edhe dallimin ndërmjet këtyre veshjeve. E thënë pak më ndryshe, kjo bënte edhe ndryshimin ndërmjet shtresave shoqërore dhe vendin që ato zinin në shoqëri.

Mbi këtë veshje ato mbanin gunën janinase, e cila cilësohet si një veshje e mbetur nga tradita e mëparshme e zonës së Epirit.

Në këmbë nuset vishnin çorape të bardha pambuku, të cilat i quanin “çurape” dhe “kaliqet” e qëndisura veçanërisht bukur me fije ari (të cilat kanë formën e pandoflave dhe janë të qëndi­sura).

Këto “kaliqe” bëheshin me basmë kadife ose prej cohe me ngjyrë të kuqe ose blu. Pjesa e përparme e tyre ishte e qëndisur me fije ari, e zbukuruar me shenjëza të florinjta. Pjesa e pasme ishte e hapur dhe këmba hynte krejt lirisht në to. Gjithë bukuria e tyre shpërfaqej në pjesën e përparme, e cila ishte e dukshme dhe e zbukuruar veçanërisht hijshëm.

Gjoksi i nuses zbukurohej me “gjerdanin” me zinxhirë (“alisete”) dhe me kryq.

Në krahina të ndryshme, gjerdanët, gushoret dhe në përgji­thësi zbukurimet e femrës arvanitase dhe sidomos nuses, ndry­shojnë jo vetëm sipas gjendjes ekonomike të familjeve të tyre, por edhe të krahinave.

Në traditën dhe vlerat e veshjes arvanitase hyjnë edhe zbu­kurimet, ku ato të femrës janë krejtësisht dominuese. Vlerën më të madhe e kanë gjerdanët e florinjtë që zbukurojnë gjoksin e femrës arvanitase, të punuara me flori dhe gurë të çmuar, në pjesën e poshtme të të cilëve varet një radhë monedhash floriri.

Poshtë këtij gjerdani, i cili është edhe zbukurimi kryesor i gjoksit femëror, varen disa radhë me zinxhirë floriri (të cilat arrinin 5-6 e ndonjëherë edhe më shumë). Në këta zinxhirë floriri varen monedha floriri, ndërsa në qendër çdo radhë ka një element si një emblemë, të punuar me flori, me motive popu­llore të traditës dhe me kryq, nën të cilin varen disa thekë zbukurues, të punuar me gurë të çmuar dhe flori.

Më karakteristike kjo veshje ishte për zonën e Athinës dhe të Atikës.

Baroni Otto Magnus von Stackelberg, i cili vizitoi Greqinë e sidomos zonën e Atikës në vitet 1810- 1814, ka skicuar veshjet në jetën e përditshme dhe në ceremoni, jo vetëm të grekëve, por edhe të arvanitasve, të cilët në atë periudhë përbënin një pjesë të rëndësishme të popullsisë të Athinës dhe rrethinave të saj. Këto piktura dhe skica me ngjyra origjinale janë të punuara nga dora e tij deri në hollësi.

Ai i botoi ato në Romë në vitin 1825, në okelion “Veshja fshatare e rrethinave të Athinës” dhe ato u pritën me një interes të veçantë në kryeqytetin italian. Për vlerat që kanë, ato për­bëjnë një pasuri të madhe dhe origjinale të veshjes arvanitase të asaj periudhe.

Njëherësh ato përbëjnë edhe një burim të madh studimi të veshjes arvanitase në fillimin e shekullit 19.

Këto zbukurime të punuara me mjeshtëri të rrallë me motive popullore, me ato të traditës dhe simbole fetare, kanë qenë dhe mbeten një pasuri e veçantë e zbukurimeve arvanitase.

Është vendi, që në këtë pikë të përshkrimit të veshjes arva­nitase, të sjellim një shembull të veçantë për lexuesit dhe stu­diuesit.

Me veshjen traditase të nuses arvanitase në Salaminë në filli­met e shekullit 19 është veshur edhe Laskarina Bubulina në pikturat e njohura historike të Revolucionit Kombëtar Grek të vitit 1821, veçanërisht para piktorit të njohur gjerman, duke mbajtur veshjen popullore të arvanitasve, si një shpërfaqje e krenarisë së prejardhjes së saj arbërore.

Këto piktura i kam parë nga afër në muzeun e saj në ishullin e Species, por edhe gjetkë. Krenaria e Bubulinës spikat mbi gjithçka. Duket se ishte një grua e cila zotëronte tërësisht vet­veten por, përveç vetvetes, ajo zotëronte tërësisht edhe mjedisin përreth dhe bashkëluftëtarët e saj të këtij revolucioni, duke vendosur një pushtet të fuqishëm mbi gjithçka.

Duket se gjithçka brenda saj është krejt e qartë. Ajo e di se nga vjen, e di se cila është dhe e ka të qartë qëllimin e saj, se ky revolucion i sjell lirinë dhe pavarësinë një populli të robëruar, për të cilin ajo dhe trimat e shquar arvanitas dhanë gjithçka, duke u bërë heronjtë e mëdhenj të këtij revolucioni çlirimtar.

Kuptohet që veshja e saj, sipas traditës arvanitase, veçanërisht në këto piktura historike, nuk është rastësi.

Veshjet e saj janë tërësisht origjinale, duke u bërë jo vetëm një pjesë e pasurisë dhe e traditës së arvanitasve, por edhe një objekt i gjallë studimi për pasurinë dhe origjinalitetin e këtyre veshjeve.

Një vend të rëndësishëm në veshjen e grave arvanitase zë edhe periudha e vendosjes së fisit të legjendarit Mërkur Bue Shpata në Atikë dhe sundimit të tij.

Në atë periudhë veshja kulluriotase përbëhej prej një “xhake” (fanellë e brendshme), që mbulonte trupin deri në mes, duke lënë të zbuluar gjoksin. Më herët përgatitej prej “robe” (“cohe”), “atelazi katuni” dhe shalli “Sali”, kurse më vonë përgatitej prej kadifeje të kuqe ose jeshile të thellë mëndafshi, “astrakan”, gunë. Në mëngë kishte “laledhes” dmth. lule, vizatime me vija spirale me fije ari.

Në gjoksin e femrës vareshin gjerdanët e florinjtë. Në pjesën e sipërme të gjoksit varej gjerdani kryesor, në pjesën e poshtme të të cilit kishte një radhë me monedha floriri.

Pjesa tjetër e zbukurimit femëror ishte një gjerdan i cili arrinte deri afër fundit të barkut, duke u ngushtuar si një trekëndësh me majë poshtë. Ky gjerdan ishte një lidhje e vetme argjendi ose sermi, varej në mesin e femrës dhe arrinte deri në gjashtë radhë. Në çdo radhë vareshin monedha floriri ose argjendi. Shpesh kishte edhe nga të dyja.

Por më e veçanta e veshjes arvanitase të krahinës së Kullurit është se aty femrat arvanitase “kishin protokollin ceremonial, i cili kalonte nga e ëma tek e bija, të mënyrës se si do të visheshin shtatë veshjet, të cilat edhe familjet e varfra i jepnin tek vajza për prikë”.

Shumë i veçantë ky “protokoll ceremonial” për femrat arva­nitase të zonës së Kullurit, i cili kalonte brez pas brezi si një “kanun femëror”, i cili përcakton me një rreptësi kanunore mënyrën se si do të visheshin shtatë veshjet e detyruara të fem­rës.

Nuk di ta ketë pasur ndonjë popull tjetër.

Në pikturat e piktorit Nikollaos Gizis, aty rreth vitit 1895, në vizitën e tij të fundit që bëri në Greqi, evidentohet veshja e femrës arvanitase në Salaminë.

Ajo përbëhej prej një “polke”, e cila është një këmishë ose fustan i gjatë deri nën gju, me ngjyrë të bardhë dhe në pjesën e parë në fund, është e qëndisur me motive lulesh. Mbi të është hedhur një xhaketë, ndërsa koka dhe qafa mbështillen me një shami të bardhë të qëndisur, në anët e së cilës varen thekë.

Edhe sot gratë arvanitase në Kamatero e ruajnë me devocion veshjen e tyre tradicionale. Të rejat duke e stilizuar atë me një shami të thjeshtë me azhur, kurse më të moshuarat me një shami të lidhur. Veshja e tyre traditase është një fustan i bardhë, i gjatë deri poshtë gjurit, i cili në fundin e tij ka një rrip të gjerë të zbukuruar me motive, ku ngjyra e kuqe është dominuese. Mbi këtë fustan të gjatë veshin një jelek të kuq prej kadifeje ose mëndafshi, të hapët në gjoks dhe të qëndisur përgjatë anëve të tij. Mbi fustan kanë një përparëse të kuqe, me të njëjtën ngjyrë dhe material me jelekun. Përparësja anash rrethohet me një garniturë me fruta prej bezeje të hollë me ngjyrë të bardhë. Mbi kokë është hedhur një shami e bardhë e zbukuruar. Ka një kombinim të mrekullueshëm në ngjyrat e kësaj veshjeje.

Një studim interesant për veshjen e femrës arvanitase është edhe ai i studiuesit grek Anastasios I. Kiriaqidhis, me titull “Arvanitët në ishullin e Andros”, e cila i përket Grupit Folklorik të ishullit të Andros, 2018. Sipas tij, veshja arvanitase e ka mbajtur përherë traditën dhe veçorinë e saj, por me kalimin e kohës ajo u plo­tësua dhe u pasurua edhe me disa ndryshime. Kjo veshje është e dokumentuar edhe sot.

Gjithnjë sipas këtij studiuesi, veshja e femrës arvanitase në ishullin e Andros ndahet në tri kategori: a. veshja e përditshme; b. veshja festive dhe zyrtare; dhe c. veshja e nuses dhe e pas­martesës.

Veshja e përditshme është e thjeshtë, pa shumë elementë mbresëlënës. Kjo veshje përdoret në mjedisin e zakonshëm familjar, atë fqinjësor e farefisnor dhe në mjedisin shoqëror të fshatit.

Veshja e përditshme ishte një fustan i gjatë, i plotë dhe zbu­kurimet në të ishin të pakta, vetëm një rrip tantelle e thurur me gjilpërë në fundin e tij.

Në ndryshim me të, fustani që përdorej në veshjen festive dhe zyrtare, në fundin e tij kishte një kordon argjendi ose floriri. Kordon të tillë kishte edhe në mëngë.

Në qafë veshja e përditshme ishte në formë hëne, ndërsa ajo e veshjes festive ishte si një rrobë prifti.

Në veshjen e përditshme nuk vishej asnjë lloj jeleku (me mëngë të gjata, me mëngë të shkurtra ose pa mëngë), ndërsa në veshjen zyrtare jeleku vinte deri te kofshët.

Një ndryshim tjetër midis veshjes së përditshme dhe asaj zyrtare, jo vetëm në Andron qendrore, por përgjithësisht tek të gjithë arvanitët e ishullit, është përparësja.

Përparësja është e zezë në të dyja rastet, por midis tyre ka ndryshime.

Ndryshimet midis përparëses së përditshme dhe asaj zyrtare, shfaqen jo vetëm nga zbukurimet dhe forma e tyre, por edhe nga vetë forma e përparëses.

Përparësja e përditshme ka formë drejtkëndore dhe ka tentellë në fund. Në një lartësi 10-15 centimetra më lart vjen një masë zbukurimesh, në qendrën e të cilave një zbukurim me lule kor­nizohet me anën e tantellës.

Në tantellat e pleksura të përparëses dhe të veshjes mbizo­tëron ngjyra e errët.

Nga ana tjetër, përparësja festive është ose drejtkëndore ose e rrumbullakët në të dy cepat e saj. Ajo ka thekë të artë përreth saj dhe format e luleve janë më të dallueshme dhe më të fuqishme se ato të së përditshmes.

Shamia, çorapet dhe brezi i mesit, përbëjnë të dhëna të për­bashkëta tek të dyja përparëset.

Ngjyrat e veshjes dhe të shamisë janë të njëjta. Pra ndryshon vetëm forma dhe mënyra e zbukurimit. Zakonisht në ngjyrat e shamive përzgjidheshin tonet e errët të ngjyrave të ndryshme, si bordo, ngjyrë qiparisi, e zezë, kafe e errët, blu e thellë, ngjyrë molle të kalbur etj.

Zbukurimet që janë evidentuar, një pjesë e të cilave ruhen edhe sot në muzeumet zyrtare dhe private, janë të një rëndësie të veçantë dhe të një vlere të veçantë.

Në qafën e femrës arvanitase aty gjejmë lirën e varur ose një kurorë të dyfishtë prej ari rrezëllues. Në kyç të dorës dallohet identiteti me 2-3 lira të varura në zinxhir floriri. Janë gjetur edhe unaza me lira në to.

Në këtë studim theksohet se arvanitasit e ishullit përgjithë­sisht kanë pasur dhe kanë lira, të cilat i kanë përdorur dhe i përdorin në jetën e tyre si demonstrim force.

Por ajo që shquhet nga veshjet e tjera, është padyshim veshja e nuses.

Ajo shquhet nga të gjitha veshjet e tjera.

Kjo veshje përbëhet nga një beze e hollë nusërie, e cila ishte më e kushtueshme se të tjerat dhe sillej posaçërisht nga ana e tregtarëve të kohës. Ka një vëllim më të madh përreth vitheve dhe modeli i saj është në harmoni të plotë me dy të tjerat.

Ka përparëse të endur dhe brez në mes.

E veçantë për veshjen e femrave arvanitase të këtij ishulli mbetet shamia e kokës, e cila përbën një veshje konkrete rrethore.

Kaq shumë është pëlqyer në ishull kjo shami e veshjes arva­nitase saqë sot në ishullin e Andros atë e ka huazuar veshja nusërore e gjithë ishullit, por edhe është caktuar si veshje zyrtare e kokës së nuses.

Në librin studimor me titull “Ο χορός και το τραγούδι στην αρβανίτικη κοινότητα των λιμνών Αργολίδος” (“Vallja dhe kënga në komunitetin arvanitas të liqeneve të Argolidhës”) të studiueses Dhimitra Papatheodhoru, Trikalla, 2006, autorja na jep të dhëna të rëndësishme dhe të sakta të veshjes arvanitase në këtë zonë. Ajo thekson se veshjen më të bukur ia vishnin nuses në dasmë dhe më pas në festa.

Karakteristika më e veçantë dhe pjesa më e bukur e veshjes femërore ishte “guna” ose siguni. Kjo gunë është e qëndisur e gjithë me ngjyra të ndryshme dhe të gjalla. Zakonisht në të qëndisnin lule dhe bimë të ndryshme. Këmisha ka ngjyrë të bardhë dhe është prej mëndafshi. Ajo ka tantellë edhe në jakë edhe në mëngë. Këmisha e brendshme është një beze e bardhë pambuku me tantellë në pjesën e saj të poshtme. Edhe fundi është gjithashtu prej mëndafshi të bardhë dhe ka tantellë në pjesën e poshtme. Edhe përparësja është po prej mëndafshi dhe ka tantellë. Në kokë lidhet një shami e bardhë prej pambuku me qëndisje anash. Sipas kësaj autoreje, gratë arvanitase të kësaj zone vishnin edhe veshje vllahe.

Më herët, për arsye të varfërisë, ato i jepnin veshjet te treg­tarët, të cilët kalonin fshat më fshat dhe i shkëmbenin këto veshje me sende me vlerë shumë më të ulët.

Disa nga veshjet e tjera, siç kanë dëshmuar vetë gratë e kësaj zone, ato i kanë prishur për të bërë me to pantofla (“kaliqe”).

Veshja e burrave

Për sa i përket veshjes së burrave arvanitas, ka shumë studime, piktura, skica dhe fotografi, por mendoj se ia vlen të sjellim për lexuesit dhe studiuesit një përshkrim krejtësisht të veçantë, të cilin na e sjell studiuesi i njohur francez, i fundit të shekullit 18, A. L. Castellan, i cili e përshkoi vetë Morenë (Peloponezin), pothuajse në të gjithë fshatrat dhe krahinat ku jetonin arvani­tasit dhe i takoi ata personalisht, duke ecur me këmbë nëpër fshatrat arvanitase, që nga Novarinua deri në Filiatra. Ai i ndalonte arvanitasit në rrugë, bisedonte gojarisht me ta, i pyeste për zakonet, traditat dhe veshjet e tyre, i shihte me sytë e tij veshjet arvanitase dhe i përshkruante ato deri në hollësi.

Sipas këtij studiuesi, veshjet e burrave arvanitas përbëheshin nga një këmishë pambuku e bardhë, e cila zbriste deti te gjunjët, por që e linte gjoksin të dukej. Mbi këmishë vishnin një “kami­zollë”, e cila nuk është gjë tjetër veçse një jelek, kurse në mes vishnin një rrip me toka bronzi, në të cilin vareshin pallaska (fishekorja) dhe armë të ndryshme.

Çorapet e tyre stoliseshin me xhufka të kuqe leshi dhe shirita të ndryshëm, edhe këta prej leshi, të cilët arrinin deri te gjuri, ndërsa shputat e këmbëve të tyre mbuloheshin nga një beze e trashë, të cilën e mbanin rripat e lidhur, njëlloj si sandalet e periudhës së lashtë.

Në kokë mbanin një feste të zezë prej lëkure, me thekë dhe xhufka, e cila u mbulonte kokën.

Veshja e tyre plotësohej me një mbulesë të gjerë, – shegunë të bardhë ose ngjyrë gështenje, e cila kishte qëndisje me ngjyra të ndryshme.

Kur ishte ftohtë, kokën e mbulonin me një jakë të madhe në formë katërkëndëshi.

Veshjet karakteristike të arvanitasve dalloheshin lehtësisht, duke ruajtur përherë edhe identitetin e tyre. Siç thamë edhe më sipër, në vitet e hershme dalloheshin festet e zeza karakteri­stike.

Ja një ndodhi interesante.

Sipas një dëshmie bindëse të shekullit të 19, të ardhur deri në ditët e sotme, thuhet se tre arvanitas shkuan në një manastir për t’u bërë murgj. Natyrisht shkuan ashtu siç ishin, me veshjet e tyre të zakonshme. Gumeni i manastirit, sapo i pa, e kuptoi menjëherë që ishin arvanitas nga festet e tyre të zeza.

Duhet theksuar edhe diçka tjetër shumë e rëndësishme për sa i përket veshjes së arvanitasve në këtë periudhë.

Veshja e arvanitasve të Greqisë, sipas skicave dhe studimeve të baronit Otto Magnus von Stackelberg, i cili ka paraqitur veshjet e grekëve dhe skena të ndryshme në jetën e tyre të përditshme, prej vitit 1810 deri në vitin 1814, duke përfshirë këtu edhe veshjet e arvanitasve të Greqisë, vëmë re një veshje të zhvilluar të këtyre të fundit. Po t’i vëresh me kujdes këto veshje, ato kanë një ndryshim në sensin e zhvillimit kohor, por edhe në atë të ndikimit prej veshjeve të popullsisë vendore.

Një ndryshim i dukshëm është ai i zëvendësimit të festes mes­jetare me atë të lidhjes së kokës me anën e një rripi prej bezeje, e cila më parë vishej në Peloponez po nga arvanitët dhe që në Rumeli e quanin “serveta”.

Kjo vazhdoi afërsisht rreth një shekull.

Por siç shkruan studiuesi grek Kostas Biris, deri aty nga fillimi i shekullit 20, arvanitët e Atikës si veshje të jashtme (të sipër­me), vishnin një rrobë blu të errët.

Brenda saj ata vishnin një jelek të mbyllur leshi, i cili ishte një formë e thjeshtëzuar e “fermelisë” (jelekut) të sulltanëve.

Nga brenda kjo veshje plotësohej me një këmishë doku ngjyrë gri, e cila ngushtohej në gjoks me anën e shumë qepjeve dhe varej e lirë poshtë mesit dhe arrinte pothuajse deri te gjunjët.

Në këmbë vishnin “tirqet”, të cilat ishin geta të zeza prej bezeje ose leshi dhe që mbërtheheshin pas pulpave me anë të sustave ose mbërtheckave.

Këto tirqe mbulonin krejtësisht këmbën, që sipër përmbi gju, së bashku me thembrën e këmbës e deri në majën e këpucëve.

Në kokë vishnin një kapele prej bezeje, të cilën e quanin “kuko”, me ngjyrë blu të errët, që ishte e stolisur me shirita të zinj.

Për sa iu përket “tirqeve” dhe kapelës së tyre, të cilën, siç cituam pak më lart, e quanin “kuko”, disa studiues grekë kanë mendimin dhe mbrojnë tezën se tirqet janë një imitim i “tuzu­lluqeve” të kapedanëve të sulltanit, kurse te kapela e tyre emri “kuko” erdhi tek ata së bashku me bavarezët, që u sistemuan fillimisht në Iraklion të Kretës dhe mandej edhe në Atikë, falë tokave që u dha atyre dhe lehtësive që u krijoi mbreti Oton në vitin 1838, i cili ishte me origjinë gjermane.

Edhe pse këto ndryshime janë të ndikuara nga mjedisi, push­timi otoman dhe natyrshëm në një masë shumë më të vogël edhe prej të huajve, jam i mendimit se sidomos tirqet nuk janë huazim prej kapedanëve të sulltanëve, pasi përkojnë me tradi­tën e veshjeve tona të burrave, duke u nisur që nga fjala dhe nga emërtimi i tyre shqip. Për këtë të bind edhe shpjegimi që i jep kësaj fjale “Fjalori i shqipes së sotme”, Tiranë 2002, f. 1345.

Ndërsa kapela me emrin “kuko”, edhe kjo një fjalë që përdoret njëlloj dhe ka të njëjtin kuptim edhe në shqip edhe në greqisht, të duket tepër e largët që ajo të jetë huazuar në një kohë kaq të shkurtër prej ardhësve gjermanë në Greqi. Edhe sikur të ishte huazuar prej tyre si fjalë, ishte gati e pamundur që ajo të hynte në fjalorin e veshjes arvanitase në një kohë kaq të shkurtër. Nga ana tjetër nuk ishte aq e lehtë që një popullsi gjermane aq e pakët, pa asnjë ndikim në jetën dhe gjuhën e arvanitasve, të ndikonte kaq fuqishëm dhe në mënyrë të menjëhershme tek gjuha e tyre, e cila ishte tepër e rreptë për lëshime të tilla kaq mendjelehta.

Kjo “ngutje” e një huazimi të tillë nuk të bind dhe nuk na jep asnjë argument.

Aq më tepër që edhe kontakti i arvanitasve, qoftë me turqit, qoftë me gjermanët e ardhur në Greqi me ndihmën e mbretit Oton, nuk ishte i afërt dhe përkimi gjuhësor dhe shqiptimi i këtyre dy fjalëve, janë tepër të largët për huazime të tilla.

Po ta shtosh edhe kujdesin e arvanitasve për mbrojtjen e gjuhës së të parëve të tyre për shekuj me radhë, mundësia e pranimit të një mendimi të tillë pa asnjë argument largohet edhe më tej.

Gjithnjë sipas studiuesve grekë, këta bavarezë, pas disa vjetësh, u “arvanitizuan” krejt dhe vetëm mbiemri të kujtonte prejardh­jen e tyre gjermane. Atëherë, sipas kësaj teze, del që gjermanët paskan marrë prej arvanitasve dhe jo e kundërta.

Në veshjen e burrave arvanitas, ajo që është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet për prejardhjen e saj të kahershme, ka qenë dhe mbetet fustanella.

Edhe pse shumica e studiuesve grekë dhe pothuajse të gjithë studiuesit e huaj, e thonë hapur se ajo ka ardhur prej arvani­tasve dhe origjina e saj është shqiptare, ka edhe studiues të cilët mbrojnë tezën se ajo i ka rrënjët në veshjen e grekëve të lashtë.

Po le t’ua lëmë vendin argumenteve të tyre, në mënyrë që konkluzioni për prejardhjen e saj të dalë krejt natyrshëm.

Studiuesi grek Janis Llazaris, në veprën e tij “Φουστανέλα: μια παραδοσιακή αλβανική φορεσιά” (“Fustanella: një veshje traditase shqiptare”), sjell argumente bindëse për prejardhjen e saj. Ai shkruan: “Fustanella cilësohet veshje kombëtare e grekëve të sotëm por, para se të bëhej veshje zyrtare, ajo ishte veshje kombëtare. Për saktësi, fustanella ishte veshje kombë­tare e arvanitasve (shqiptarëve). Duke qenë se popullsia e kolonive shqiptare në tokën greke ishte e madhe (nga Spata në Tatoi, në Hallandri dhe Luca…), fustanella u caktua si veshje e popullsisë së krishtere greke, ndërsa në shekujt 17 dhe 18 ajo arriti ta përbënte veshjen kryesore të Rumelisë dhe të Moresë…”.

Dhe vazhdon më poshtë: “Të krishterë të ndryshëm teorikë grekë parapëlqyen teorinë se gjoja fustanella ka prejardhje të lashtë greke, është pasardhëse e pelerinës, e tunikës dhe të tjerave të ngjashme me këto. Kjo nuk qëndron. Për shembull, shihni ikonat mikeniana (të Mikenës – shën. imi), ku tunika burrërore ka shumë kinda në uniformën ushtarake, e cila shtrihet deri mbi gju dhe mbi të bien shirita lëkure nga gjoksorja e meshintë, ashtu siç shohim në truporet e perandorëve romakë”.

Studiuesi grek Jorgos Konstandinidhis, në studimin e tij për fustanellën, midis të tjerash, thekson: “Edhe pse fillimisht ishte veshje shqiptare, u caktua si rrobë nderi dhe burrërie gjatë Revolucionit të vitit 1821. Në ditët tona është madje një fashion item. Mbetet përherë një veshje e hijshme dhe madhështore”.

Ia vlen të shtojmë këtu edhe një fragment të nxjerrë nga libri “Φουστανέλα” (“Fustanella”), botim i vitit 1993, të studiuesit tjetër grek Ilias Petropullos, i cili bën edhe një vërejtje që duhet marrë në konsideratë: “Fustanella është veshje shqiptare dhe mini fustanella e sotme e ushtarëve të gardës nuk ngjan me asgjë me fustanellën e vjetër të gjatë”.

Ja edhe Lordi Xhoxh Gordon Bajron, në thënien e tij madhore në vitin 1809, të marrë nga origjinali:

“Shqiptarët,

me veshjen e tyre kombëtare,

më madhështoren e botës,

fustanellën e bardhë…”.

(Xhorxh Gordon Bajron, 1809).

Të lë pa mend piktura e famshme e Delakruasë: “Dy ushtarë suliotë në anë të detit”, e vitit 1826, ku dy ushtarët suliotë janë veshur me veshjen e tyre të njohur dhe fustanellën e tyre tra­ditase, e cila u jep atyre një madhështi të veçantë, kurse veprën e piktorit të famshëm e bën një vepër të rrallë. Pajimet e tyre luftarake u ngjajnë dekoreve të kushtueshme të një muzeumi të gjallë, aty në breg të detit…

Këtë pikturë të famshme nuk besoj se mund ta zëvendësojë ndonjë vepër tjetër e këtij zhanri… seç ka një madhështi të rrallë kjo pikturë e mjeshtrit të madh francez të penelit, E. Delakrua.

Nuk bie aspak më poshtë nga madhështia dhe mjeshtëria e saj edhe piktura e Marko Boçarit me fustanellë, pikturuar nga një tjetër mjeshtër i penelit, bashkatdhetari i Delakruasë, Louis Dupre. Edhe kjo hyn në fondin e artë të pikturave të heronjve arvanitas të Revolucionit grek të vitit 1821.

Përshkrimi i kolonelit William Martin Leake, për Ali Pashën në vitin 1805, në librin e tij “Travels in Northern Greece” (“Udhëtime në Greqinë Veriore”), Londër, 1835, ndërmjet të tjerash, shkruan: “Të gjithë njerëzit, edhe bijtë e vezirit, vazh­dojnë ta veshin veshjen arvanitase: kamizollën me gajtan të artë dhe fustanellën me dopio petë, e cila bie mbi benevrekë si tunika e truporeve romake. Veshje e bukur kur është e re dhe e pastër, por edhe afendikojtë nuk i gëzohen luksit që ta ndërrojnë fustanellën çdo javë…’’.

Leake vuri re se veshja arvanitase kishte një përhapje të gjerë në More dhe në mjedisin grek. Mbajtja e saj shpërfaqte fuqinë dhe ndikimin arvanitas në këto krahina. Për Morenë thuhet se në këtë pikë u takon shërbimi i banorëve të Idhrës dhe të bujqve arvanitas, të cilët ishin vendosur në pjesë të ndryshme të Moresë, veçanërisht në Argolidhë (ashtu si edhe në Atikë dhe Bioti).

Në librin e tij “Travels in Morea” (“Udhëtime në More”), Londër, 1830, f. 209-210, po ky autor William Martin Leake, shkruan: “Veshja arvanitase është më e lehtë dhe më e përs­htatshme se ajo otomane dhe romake”.

Në pikturat e shekullit 19 studiuesit grekë theksojnë atë që e njohin të gjithë, se lordi Xhorxh Gordon Bajron, i cili përfa­qëson edhe lëvizjen progreke në prag të Revolucionit Grek të vitit 1821, ka veshur fustanellë. Fustanellën e vishnin suliotët, të cilët e bënë atë të njohur në prag të këtij revolucioni në Greqi.

Sipas të njohurit George Finlay (Xhorxh Finlei), i cili shkroi historinë monumentale të Greqisë rreth vitit 1810, disa Moraitë të rinj të familjeve të dëgjuara e veshën për herë të parë fusta­nellën.

Ikona emblematike e kapedanëve dhe e komandantëve të Revo­lucionit Grek të vitit 1821 me fustanellë (prej të cilëve shumë nga udhëheqësit kryesorë ishin me origjinë shqiptare), bëri që fillimisht gjatë kohës së Kapodhistrias dhe më vonë gjatë per­iudhës së mbretit Oton, ta njihte fustanellën zyrtarisht si veshje kombëtare (Ρίζες Ελλήνων- Αρβανίτες, νούμερο 5).

Në studimin e saj, të cilën e kemi përmendur pak më lart, tek veshja e femrave arvanitase në zonën e liqeneve të Argolidhës, Dhimitra Papatheodhoru, Trikalla, 2006, jepen të dhëna edhe për veshjen e burrave arvanitas të kësaj zone.

Sipas kësaj studiueseje, veshja e burrave përbëhet nga:

  1. Një këmishë e bardhë pambuku me mëngë të gjera.
  2. Jelek i zi me qëndisje të bardhë.
  3. Fustanella me basmë të bardhë pambuku.
  4. Brez i zi leshi.
  5. Tirqe prej bezeje të zezë.
  6. Në kokë lidhnin një shami të zezë prej bezeje pambuku.

Burrat vishnin edhe dollama, e cila ishte veshja më e thjeshtë e përditshme, por në disa raste ajo përbënte veshjen dhëndërore. Ishte e punuar në vegjë, me bezen më të kushtueshme, që quhej allaxha. Qëndisjet në të shpërfaqnin gjendjen ekonomike të atyre që e vishnin. Kjo veshje e liqeneve të Argolidhës ka karakteristika të ngjashme me veshjen e arvanitasve të Nafplios.

Të bën përshtypje të veçantë, se ndërmjet studiuesve grekë për temën e prejardhjes së fustanellës, ashtu siç ka edhe mbrojtës të tezës se ajo është veshje greke, ka edhe të tillë, të cilët kanë një qëndrim tepër të rreptë ndaj prejardhjes së saj.

Studiuesi grek Angjellos Kallodhukas, në studimin e tij “Περί εθνικής ενδυμασίας και άλλων δαιμονίων” (“Rreth veshjes kombëtare dhe gjenialiteve të tjera”), të vitit 2014, duke iu referuar edhe librit të studiuesit tjetër Ilias Petropullos për këtë temë, shkruan si më poshtë: “Prejardhja e fustanellës është e madhe dhe e errët. Fustanella, para se të bëhej uniformë, ishte veshje kombëtare. Për saktësi, fustanella ishte veshje kombë­tare e arvanitasve. Me ardhjen e arvanitasve në More, fusta­nella u bë edhe si veshje e grekëve ortodoksë.

…fustanella është një prodhim vjedhjeje. Shteti grek e mori veshjen kombëtare të arvanitasve dhe e caktoi si uniformë ushtarake, duke kopjuar anglezët…’’

Në studimin e tij “Περί φουστανέλας” (“Rreth fustanellës”), në kushtimin e tij vitit 1821 me titull: “Μύθοι και αλήθειες” (“Përralla dhe të vërteta”), 2016, studiuese grek Dhimitris Qiriazis, ndërmjet të tjerash, thotë: “E vetmja e vërtetë është se para vitit 1821, domethënë para se të bëhej veshje kombëtare, ajo (fustanella) vishej nga arvanitët. Më pas u përhap fillimisht në Rumeli e mandej edhe në Peloponez, si veshje e popullsisë ortodokse greke”.

Ja edhe një dëshmi e pastër, e cila vjen nga një këngë arva­nitase në gjuhën e tyre shqipe, në zonën e Biotisë, të cilën po e sjell këtu ashtu siç është në origjinalin e saj:

FUSTANELLA ME GHAZI

Fustane – more djaljo

fustanella me ghazi

u t’a ndreqa meraklji.

Kur e vesh dhe delj(ë) në horë

vashazit të vinjën torrë.

Vetulla zoghrafiste

të të kishë n’angalje.

Nxiri fustanellatë

edhe vish të tjeratë.

Ai që vishte fustanellë quhej “çolia”.

Është interesante etimologjia e kësaj fjale, që edhe sipas stu­diuesve, duket se vjen nga fjala turke “çul”, që domethënë rrobë e vjetër, vjeturinë, veshje leckamane. Pra “çolia” ishte ai që vishte rroba të vjetra, njeri leckaman.

Duke ardhur prej fjalës turke që thamë më sipër, shpërfaqet edhe qëndrimi fyes i pushtuesve osmanë ndaj atyre që vishnin fustanellë, domethënë ndaj shqiptarëve, të cilët fustanellën e kishin veshje kombëtare.

Ndërkohë që të gjithë studiuesit e huaj e cilësonin fustanellën si një veshje madhështore e burrërore, otomanët ishin të vetmit që kanë mbajtur një qëndrim kaq fyes ndaj saj dhe shqiptarëve apo edhe grekëve që e vishnin atë, duke i quajtur leckamanë.

Ky qëndrim fyes përkon edhe me të dhëna të tjera historike, ku otomanët, edhe në Greqi, qëndrimin më fyes e mbanin ndaj shqiptarëve, për arsyen e njohur se shqiptarët, kudo që ndodhe­shin, e luftonin Perandorinë Otomane si pushtuese.

Në Revolucionin Grek të vitit 1821 fustanellën e sollën si veshje të tyre kapedanët dhe komandantët arvanitas, ku shumica e trimave të shquar ishin suliotë, të cilët, përveç trimërisë së pashoqe dhe kontributit madhor në këtë revolucion, sollën edhe veshjen e tyre traditase ose erdhën në këtë revolucion së bashku me veshjen e tyre arvanitase. Suliotët nuk e ndërronin me asnjë veshje tjetër fustanellën.

Së bashku me festen e zezë ose shaminë e zezë të lidhur rreth kokës, kjo veshje përbënte edhe veshjen bazë të luftëtarëve të Revolucionit të vitit 1821.

Bashkë me rolin dhe trimërinë e tyre të rrallë në këtë revolu­cion, në historinë e kombit grek kanë mbetur edhe veshjet e tyre kombëtare të trimave dhe trimëreshave arvanitase (shqiptarë), ku fustanella është më komodja, më e bukura, më madhështorja:

Theodhoros Kollokotroni,

Andreas Miauli,

Marko Boçari,

Laskarina Bubulina,

Mando’ Mavrojenus,

Pavllos Kundurioti,

Jeorgios Kundurioti,

Theodhoros Pangallos,

Aleksandros Korizis,

Antonios Kriezis etj.

Në të gjitha dokumentet, skicat dhe pikturat e kohës shpër­faqen në faqet e historisë me veshjet e tyre arvanitase.

Veshja e fustanellës nga ana e trimave të këtij revolucioni pati një jehonë të madhe te popullsia vendase.

Një pjesë e saj kishin filluar ta vishnin atë edhe para këtij revolucioni (që në shekujt 17-18 dhe ajo po e zgjeronte për­herë e më tepër hapësirën dhe “pushtetin” si një veshje e veçantë.

Por jehona që pati ajo duke e veshur trimat e Revolucionit Grek të vitit 1821 ishte e jashtëzakonshme. Ajo pati jehonë kombëtare në Greqi. U bë, si të thuash, pjesë e këtij revolucioni dhe pjesë e fitores së tij.

Dhe fakti tjetër, i lexueshëm dhe i pranuar po nga të gjithë, është se më pas kjo veshje me fustanellë u përhap te Moraitët e rinj dhe u bë, si të thuash, si një “modë” që sollën kapedanët arvanitas të këtij revolucioni.

Mbreti Oton e pëlqeu veçanërisht fustanellën, e veshi edhe vetë atë (ka piktura të tij me fustanellë nga piktorët më të mirë të kohës dhe skica, ku ai shfaqet me fustanellë) dhe mbeti i mahnitur prej saj.

Aq shumë i pëlqeu fustanella, saqë më pas ishte po ai, që e caktoi fustanellën si veshje kombëtare greke dhe që nga ajo kohë ajo njihet si e tillë në shtetin helen.

Sidoqoftë, ashtu siç e pranojnë dhe e vërtetojnë pothuajse të gjithë, ndërkohë ata të paktët që janë kundër nuk kanë asnjë lloj argumentimi apo dokumentimi historik, fustanella ka qenë dhe mbetet me “pasaportë” shqiptare.

Marrë nga numri 21 i revistës “Akademia”