Vetaksidenti i autoblindës së NJSO-së ku u lënduan tetë zyrtarë policorë – krejt çka dihet deri tani

Një incident i rëndë u shënua mbrëmë në veri, më saktësisht në fshatin Grabovc të Zveçanit, ku një autoblindë e Policisë së Kosovës u vetaksidentua, duke shkaktuar me ç’rast lëndimin e disa zyrtarëve policorë.

Tetë të lënduarit u dërguan me urgjencë në spital për të marrë tretman mjekësor, teksa u bë e ditur se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetë.

Lajmi u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës, ku zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani dha më shumë detaje rreth këtij vetaksidenti.

“Mund të konfirmojmë se pak pas orës 20:00, është raportuar se në veri të vendit, konkretisht në Fshatin Grabovc, një veturë zyrtare e blinduar në të cilën kanë qenë tetë operatorë, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka dalë jashtë rrugës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalur njësitet kompetente policore për tu marrë me rastin, e po ashtu janë njoftuar edhe ekipet mjekësore me autoambulanca. Si pasojë e aksidentit zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime, dhe të njejtit nga ekipet mjekësore janë dërguar në qendrën spitalore për trajtim të mëtejmë mjekësor”, tha ai për Sinjalin.

Ndërkohë, mediumi serb, Kosovo-Online publikoi pamje nga vendi i ngjarjes ku ndodhi aksidenti, ku shihej autoblinda e dëmtuar rëndë, pasi kishte dalë jashtë rrugës.

E ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, ka dalë së fundmi me një përditësim rreth gjendjes së të lënduarve.

Ai përmes një njoftimi në Facebook tha se nga tetë policët e lënduar në aksident, pesë u liruan në shtëpi kurse tre vazhduan të trajtohen në Klinikën Emergjente në QKUK.

“Njëri do të transferohet në Klinikën e Ortopedisë, njëri në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe njëri pas observimit në Klinikën Emergjente pritet të transferohet në Klinikën e Neurokirurgjisë”, tha ai në njoftim, teksa shtoi se gjendja e tyre është stabile.