Goli i Jasir Asanit është shpallur si më i mrekullueshmi për raundin e gjashtë kualifikues të Euro 2024. Perla e minutës së 37-të në fitoren e Shqipërisë 2-0 kundër Polonisë është zgjedhur më i bukuri në një votim në faqen zyrtare të UEFA-s.
Në Europë janë “çmendur” pas sulmuesit, që ka marrë “titullin” e golit më të bukur. Diagonal dhe nga afro 30 metra, Asani shënoi golin e parë të ndeshjes, duke i hapur rrugë fitores së Kombëtares kundër polakëve në “Air Albania” dhe vendit të parë në grupin E.
Kjo është hera e tretë që në këto kualifikuese golat e lojtarëve të Kombëtares votohen si më të bukurit. Pët raundin e tretë ishte po Jasir Asani që me golin kundër Moldavisë mori çmimin, ndërsa edhe Nedim Bajrami në fitoren 1-3 kundër Ishujve Faroe meritoi këtë çmim simbolik pas votimit në UEFA.