Sot vendi ynë i cili edhe barin për bagëtitë e importon nga jashtë dikur kishte avionë e nëndetëse, anije e tanke, flotë tregtare detare dhe hekurudha. Por jo vetëm kaq…
Kishte edhe mjaftë fabrika e kombinate që sado jashtë kohe prodhonin dhe fabrikonin produkte “Made in Albania”. I tillë ka qenë edhe ky traktor të cilin “Mapo.al” e sjell në këtë fotogaleri retrospektivë dhe në një video-dokumentar që i takon asaj kohe vërtetë të lavdishme për industrinë modeste shqiptare, por që guxoi dikur.
Traktori i parë shqiptar, i njohur si produkt “Made in Albania” e ka fillimin e tij në vitin 1978, kur pas ngritjes së Kombinatit mekanik të Auto-traktorëve, nisi me prodhimin e pjesëve të para të këmbimit për motorët e automobilave dhe të traktorëve. Më pas erdhi dhe legjandari Traktori shqiptar, sipas modelit kinez të traktorëve me zinxhirë të asaj kohe.
Por sot edhe ata pak ekzemplarë që kanë mbetur skajeve të Shqipërisë, e që i kanë shpëtuar shkrirjes bastarde për skrap, shikohen nga brezat e rinj si objekte “jashtëtokësore”, apo sikur janë të ardhura nga lashtësia, edhe pse disa ekzemplarë janë ende në gjendje funksionale dhe mund të bëjnë punët për të cilat u krijuan. Galeria e mëposhtme e fotove që “Mapo.al” ka bërë duke kërkuar në site të ndryshme për të mbledhur foto-dëshmi të prodhimit të parë motorik shqiptar, e dëshmon qartë se si ka qenë dikur dhe se është katandisur sot Traktori Shqiptar.