Video/ Lideri i opozitës në Gjeorgji rrihet dhe tërhiqet zvarrë në rrugë

Një lider i opozitës gjeorgjiane është tërhequr zvarrë nga zyra e partisë së tij nga policia dhe zyrtarë të tjerë janë sulmuar fizikisht, pasi kryeministri u zotua se organizatorët e një jave protestash pro-BE, të cilat ai i quajti “veprime të dhunshme”, do të përballeshin me drejtësinë.

Sipas mediave të huaja, Nika Gvaramia, 48 vjeç, një lider i një prej katër grupeve opozitare, u mbajt me krahë dhe këmbë nga policia e selisë së partisë së tij në një rrugë anësore pranë parlamentit në kryeqytetin Tbilisi. The Times shkruan se ai edhe është rrahur derisa është lënë pa ndjenja.

Udhëheqësve të tjerë më vonë u zunë pritë pasi u takuan në një hotel dhe vendosën për një grevë të përgjithshme.

Demonstratat e natës janë mbajtur që nga e enjtja e kaluar, pasi partia në pushtet ‘Ëndrra Gjeorgjiane’ tha se po ndalonte ofertën e vendit për të filluar bisedimet për anëtarësimin në BE.

Më shumë se 330 protestues janë arrestuar dhe grupet e të drejtave thonë se shumë janë rrahur në paraburgim. Megjithatë autoritetet filluan të ndjekin liderët e opozitës pas një urdhëri të ashpër nga kryeministri Irakli Kobakhidze.

“Politikanët që organizuan dhunën, por u fshehën nëpër zyra, nuk do të jenë në gjendje t’i shmangen përgjegjësisë për ngjarjet që kanë ndodhur ditët e fundit,” paralajmëroi ai, duke akuzuar protestuesit për përhapjen e “fashizmit liberal”.