VIDEO/ Me qese ushqimi në dorë, pamjet e fundit të Martinajt para se të zhdukej

Teksa fati i tij është ende një mister, disa pamje të reja të shumëkërkuarit të drejtësisë Ervis Martinaj, janë publikuar.

Video është publikuar nga JOQ, teksa pamjet i përkasin datës 7 Gusht, ora 00:47 e mesnatës, ku Martinaj shfaqet me një qese ushqimi në dorë, para ashensorit të pallatit ku prej 7 vitesh banonte e dashura e tij, dhe pasi i shkruan të dashurës për t’i zbritur ashensorin, ngjitet më pas lart.

Martinaj, rezulton i zhdukur që prej gushtit të vitit 2022 dhe ende fati i tij mbetet mister, nëse është i gjallë apo i vdekur.

Ervis Martinaj u bë njeriu më i kërkuar pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, që rrëfeu se Martinaj i kishte ofruar 500 mijë euro, për eliminim e Endrit Dokles, numrit 2 të Bandës së Durrësit.

Por teksa ndodhej në kërkim policor, ai humbi çdo kontakt edhe me familjarët e tij, të cilët bën kallëzim në Polici për zhdukjen e tij.

Vetëm një muaj para zhdukjes, Martinajt i ekzekutuan në një atentat mafioz kushëririn në atë që u quajt Masakra e Fushë-Krujës, Brilant Martinaj ishte në mesin e 3 të vrarëve. As ky atentat nuk është zbardhur nga policia.

Fati i Ervis Martinajt ende nuk dihet. Policia dhe Prokuroria e Kurbinit akoma nuk kanë përgjigje nëse ai është gjallë apo ekzekutuar.

I vetmi i arrestuar për rastin është ish-polici Jeton Lami, (tashmë i liruara), i cili kyçi gojën dhe nuk bashkëpunoi me drejtësinë për të shkuar drejt zbardhjes së ngjarjes.