VIDEO| Rusë e koreanë po luftojnë me dronët ukrainas, publikohen pamjet

Mbi 3,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë vrarë ose plagosur gjatë luftës në Ukrainë, sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Këto humbje janë raportuar kryesisht në rajonin e Kurskut, ku Ukraina realizoi një sulm befasues kufitar në muajin gusht. Zelensky njoftoi në platformën X se të dhënat paraprake tregojnë se numri i ushtarëve të vrarë dhe të plagosur ka kaluar tashmë 3,000. Po ashtu, ai theksoi rrezikun e dërgimit të ushtarëve dhe pajisjeve shtesë nga Koreja e Veriut për të mbështetur ushtrinë ruse.

Përgjatë periudhës së fundit, pamje dramatike nga dronët kamikazë të operacioneve speciale të Ukrainës kanë kapur momentin kur këta dronë sulmuan pozita të ushtrisë së Koresë së Veriut në Kursk. Në këto pamje, duket se dronët që rrotullohen mbi ushtarët që përpiqen të shpëtojnë në një fushë të hapur, ndërsa dymbëdhjetë mjete janë shkatërruar. Gjatë tre ditëve të luftimit, Ukraina raportoi se kishte vrarë 77 dhe plagosur 40 ushtarë të Koresë së Veriut, shkruan A2.

Sipas analizave të ushtrisë së Koresë së Jugut, deri tani janë rreth 1,100 ushtarë të Koresë së Veriut të vrarë ose të plagosur që nga fillimi i angazhimit të tyre në luftë në dhjetor, ndërkohë që janë vërejtur shenja për dërgimin e forcave shtesë dhe të armëve, përfshirë dronët vetëvrasës. Po ashtu, Koreja e Veriut ka ofruar raketa 240 mm dhe artileri të vetë-lëvizshme në vijën e frontit.