Një tentativë e dyshuar për rrëmbimin e një avioni të kompanisë “Jetstar” i linjës Melbërn-Sidnej është shmangur nga një pasagjer dhe piloti.
I riu 17-vjeçar kishte hipur në avion “i veshur si punëtor mirëmbajtjeje” dhe i kishte thënë ekuipazhit të aeroplanit se kishte ardhur për punë. Në pamjet e xhiruara e bëra menjëherë virale, 17-vjeçari duket teksa është neutralizuar nga një pasagjer dhe një pilot i avionit, shkruan A2 CNN.
Pasagjeri hero, Barry Clark, shihet me duar rreth qafës së të riut, ndërsa piloti i mban duart. Po ashtu, ata duket teksa i marrin edhe armën e gjahut.
“Para se ta kuptonim se çfarë po ndodhte, dikush nxori armën dhe unë isha i shqetësuar për ndonjë të shtënë. Gjithçka që mund të bëja ishte ta largoja armën dhe pastaj ta vendosja në një pozicion kontrolli dhe ta hidhja në tokë derisa të vinin policët”, tha pasagjeri.
Ai shpjegoi se: “Kam mësuar që nga fëmijëria të jem përgjegjës dhe të kujdesem për të tjerët dhe ne jemi një familje sportiste, kështu që isha besimplotë se mund ta përballoja.”
Pasagjerët dhe stafi i aeroportit e lavdëruan për veprimin heroik. Një pasagjer, Daniel Defino, tha: “Barry dhe piloti na shpëtuan, 100%.” Kapiteni i aeroportit, Ari Suss, e lavdëroi dhe tha: “I thashë Barry-t se ai ndryshoi rrjedhën e historisë me atë që bëri”.
Kompania ajrore i ofroi Barry Clark fluturime falas për të gjithë jetën për guximin e treguar me atë akt heroik.