Saga e shtëpisë ku jetoi diktatori komunist Enver Hoxha ka marrë fund me inaugurimin e projektit që e shndërron “Vilën 31” në hapësirë arti. Në ceremoninë e inaugurimit, i cili hap kapitull të ri për këtë objekt, që shpesh ka qenë temë debati, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se kjo “hapësirë të përdoret për të bërë gjërat që Enver Hoxha do t’i kishte më shumë tmerr se çdo gjë tjetër” . Projekti është realizuar në partneritet me Francën. “‘Vila 31’ e shënjon Tiranën në rrjetin e platformave evropiane të artit bashkëkohor dhe krijimit artistik”, ka thënë ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard
Rezidenca e diktatorit komunist Enver Hoxha, e njohur si “Vila 31”, ka hapur dyert si një hapësirë në funksion të artistëve shqiptarë e të huaj. Ka qenë kryeministri Edi Rama ai i cili ka zbërthyer këtë nismë edhe duke iu kundërpërgjigjur kundërshtive e kritikave për një projekti si ky, i cili objektin në zë në Tiranë e shndërron në “Vila 31 x Art Explora”. Ka thënë se ripërdorimi i këtyre hapësirave duke përqeshur historinë e tyre, por pa e fshirë atë, është gjëja më e pjekur dhe më shëruese në raport me të kaluarën.
“Kjo hapësirë të përdoret për të bërë gjërat që Enver Hoxha do t’i kishte më shumë tmerr se çdo gjë tjetër. Kjo ka qenë motoja shtytëse në mendjen tonë, që çfarëdo qoftë që do të bëjmë aty, do të bëjmë një gjë, që Enver Hoxha të rrotullohej në varr nga sikleti deri në një pendesë ekstreme se pse jetoi aty”, citohet të ketë thënë kryeministri Rama në ceremoninë e së enjtes.
Kryeministri ka thënë se nëse kishte diçka që e bënte tërësisht mizore diktaturën, ishte çdo shprehje e asaj që ata e quanin degjenerim modernist.
Në këtë aspekt, sipas tij, “kjo do të jetë një shtëpi e degjenerimit modernist”.
“Nuk ka më bukur sesa këtë hapësirë ta përdorin artistët e rinj dhe të jetë një vend dialogu e ndërveprimi. Për krimet dhe përgjegjësitë për to, në kuptimin e muzealizimit të së shkuarës, kemi Muzeun e Gjethes në qendër, keni ‘Bunk’Art’, jemi duke punuar projektin e Muzeut të Përndjekjes në Shkodër”, ka thënë Rama para se të ndalej te kontestimet që kanë pasur këto projekte.
“Çfarëdo uji t’i japësh gomarit, ia ke dhënë ujin me temperaturën e gabuar. Kur bëmë ‘Bunk’Artin’ shpërtheu histeria që po kthehet e shkuara. Për ‘Bunk’Art 2’ u bë një protestë e vazhdueshme derisa vajtën me kazma e dy gishta që të shembnin bunkerin. Edhe kur u vu statuja e Stalinit dhe Leninit, si një gjest vetironie me të shkuarën. Ne kemi bërë këtë zgjedhje dhe jam i bindur se kemi bërë zgjedhjen më të mirë. Ka ardhur si rezultat i një kohe shumë të gjatë reflektimi. E njëjta gjë edhe për vilën tjetër që është bërë tani shtëpi mikpritëse për vizitorë e takime zyrtare”, ka thënë Rama.
Projekti që e transformon vilën e diktatorit është realizuar nga ekipi i artistëve francezë të cilët, sipas tij, e kanë transformuar këtë hapësirë me fantazi, në një hapësirë që ka një program diametrialisht të ndryshëm nga ai që ishte më parë.
Pas rrëzimit të komunizmit në vitet 1990, “Vila 31” humbi statusin e saj si simbol i pushtetit, duke u kthyer në një objekt kureshtjeje dhe debati. Shumëkush mendonte se ajo duhej shkatërruar, si një kujtesë e dhimbshme e së kaluarës
“Sot mbaron një rrugë shumë e gjatë e përsiatjeve për çfarë duhet të ndodhë me këtë godinë, e dilemave se çfarë programi mund të kishte kjo godinë, e tundimeve për ta shembur e për ta kthyer në diçka tjetër. Dhe mbaron në mënyrën, sipas meje, më të mirë, dhe në radhë të parë, besoj, falë dy arkitektëve që janë këtu, që kanë një meritë të jashtëzakonshme për mënyrën se si e kanë transformuar këtë hapësirë, këtë shtëpi, me fantazi, në një hapësirë që ka një program diametralisht të ndryshëm nga ai që ishte programi i kësaj shtëpie”, ka thënë Rama. Vilës i është ruajtur përmbajtja nga pikëpamja e dekorit. Kjo, sipas tij, “e bën këtë qendër më të jetueshme, më tërheqëse dhe frymëzuese në shumë aspekte”.
Ka vlerësuar faktin se ky partneritet u përmbush në një kohë rekorde, ndërsa rikujtoi se në vizitën e presidentit francez, Macron, në Shqipëri kishte premtuar realizimin e këtij projekti në më pak se dy vjet.
“Për burokracinë franceze do të ishte e paimagjinueshme, do të duhej të kalonin kushedi se sa presidentë të Francës që të arrinim në ditën që të hapnim qendrën. Ne ishim këtu bashkë me presidentin kur ai bëri vizitën e parë të një presidenti francez në vendin tonë. Kur i thashë që do të hapej në jo më pak se dy vjet, mendoi se dëgjoi një gënjeshtër ballkanike, dhe ja ku është e vërteta”, ka thënë Rama.
Kryeministri e ka cilësuar “të jashtëzakonshme” punën që është bërë. “Unë e kam parë godinën edhe më parë në gjendjen që ishte dhe rezultati është spektakolar në të gjitha hapësirat, detajet, objektet dhe elementët që janë futur ekstra”, ka thënë ai, raporton “Agjencia Telegrafike Shqiptare”.
Në inaugurimin e projektit ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka folur për ndikimin që kjo qendër do të ketë në tregun e artit shqiptar. Ka nënvizuar sfidat e menaxhimit dhe nevojën për të krijuar breza të rinj menaxherësh arti.
“Falë bashkëpunimit me ‘Art Explora’, qendra do të ofrojë kurse profesionale për artistët dhe menaxherët e ardhshëm. Organizimi i mbështetjes për projektet e ardhshme do të jetë transparent dhe efikas, duke përfshirë grantet e konceptuara për vitin 2025. Ky projekt vjen në kohën e duhur, në një moment kur jemi të përgatitur për të mbështetur artin dhe artistët në nivelin e duhur”, citohet të ketë thënë ai.
Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard, e pranishme në ceremoninë hapëse, ka thënë se “Vila 31” e shënjon Tiranën në rrjetin e platformave evropiane të artit bashkëkohor dhe krijimit artistik.
“Është një nder të jem pjesë e inaugurimit të këtij projekti. ‘Vila 31’ është më shumë se një hapësirë pune; ajo është një simbol i transformimit të Shqipërisë dhe inovacionit artistik pa kufij. Ky projekt është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit kulturor mes Francës dhe Shqipërisë, dhe do të luajë një rol qendror gjatë vitit 2025, kur Tirana do të jetë Kryeqyteti Evropian i Kulturës”, citohet të ketë thënë ajo.
“Vila 31” është shtëpia ku ka jetuar diktatori komunist Enver Hoxha. Ndodhet në zonën që njihet me emrin ish-Blloku në Tiranë. Historiografia shkruan se sapo erdhi në pushtet, Enver Hoxha u vendos në hotelin “Dajti” në Tiranë. Pak ditë më vonë i pëlqeu një shtëpi e ndërtuar në vitin 1942 nga një italiane, Velleda Lucia Costa. Në shtëpinë tjetër ngjitur me të (nga lindja) që i takonte pronarit Qemal Biçakçiu, u vendos Koçi Xoxe. Shtëpia ku u vendos diktatori ishte në ish-truallin e ish-deputetit Hamit Myftiu nga Berati. Këtë truall, më 9 janar 1940, Myftiu ia dha me qira për 99 vjet sipërmarrësit italian Vittorio Ercole Belloti. Gjatë kohës së qirasë, për dy vjet, zonja italiane ndërtoi shtëpinë. Nisur nga kjo, ajo kërkoi ta blinte gjithë truallin duke revokuar marrëveshjen paraprake. Pasi Koçi Xoxe u largua nga shtëpia e Qemal Biçakçiut, Enver Hoxha e mori edhe atë shtëpi. Të dyja i lidhi me një korridor të përbashkët. Në vitin 1973, ngjitur me këtë shtëpi ndërtoi shtesën e re që njihet sot si “Vila nr. 31”.
Pas rrëzimit të komunizmit në vitet 1990, “Vila 31” humbi statusin e saj si simbol i pushtetit, duke u kthyer në një objekt kureshtjeje dhe debati. Shumëkush mendonte se ajo duhej shkatërruar, si një kujtesë e dhimbshme e së kaluarës.
Në tetor të vitit 2023, asokohe ministrja e Kulturës, Elva Margariti, do të nënshkruante një marrëveshje me fondacionin francez “Art Explora” për realizimin e shndërrimit të këtij objekti në hapësirë arti. Ceremonia e nënshkrimit u ndoq nga presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri Edi Rama.