Vinçenc Prennushi, ipeshkvi poet e martir i Kishës Katolike

Më 19 mars të vitit 1949, u shua në qelinë e burgut të Durrësit, kryeipeshkvi i këtij qyteti, imzot Vinçenc Prennushi. Përkushtimi ndaj fesë katolike do t’i kushtonte lirinë dhe jetën.

Lindi në Shkodër më 4 shtator 1885. U pagëzua me emrin Kolë. Hyri në kuvendin françeskan të vendlindjes më 1900, e më pas u shugurua meshtar në Tirol të Austrisë, ku kryente studimet, duke e ndërruar emrin në Vinçenc.

Do të merrej edhe me veprimtari përtej sferës kishtare. Nisi publikimet që më 1909-ën. Më 1911-n, botoi “Kangë popullore gegnisht”. Më pas, do të zhdërvjelltësonte shkrimtarinë e tij me dramat “E trathuemja”, “Prej robnie në liri”, si edhe me studimin “Nder lamije të demokracisë së vërtetë” (1922). Ndërsa, në vitin 1924, pasuroi krijimtarinë e tij me veprën poetike “Gjeth e lule”.

U bë njohës i mirë i shumë gjuhëve dhe kulturave evropiane, sidomos asaj gjermane. “Kangët” e Prennushit u bënë themeli mbi të cilin më vonë do të ngrihej vepra monumentale kombëtare “Visaret e Kombit”.

Imzot Prennushi u mor me përkthimin e disa prej veprave më të lakuara të kohës, sikurse ishin: “Quo Vadis” e novelistit polak Henryk Sienkiewiz, “Burgjet e mia” e autorit italian Silvio Pellico dhe poema “Dreizehnlinden” e gjermanit Friedrich Wilhelm Weber.

Në vitin 1947, në valën e përndjekjes së klerit, u arrestua në Tiranë e më pas u zhvendos drejt burgut të Durrësit, ku edhe vdiq duke mbrojtur deri në frymën e fundit vlerat, idealet dhe bindjet e veta.

Imzot Vinçenc Prennushit me 37 martirë tjerë të Kishës katolike shqiptare, pas procesit kanonik kishtar të beatifikimit, e me miratimin e Papës, u shpall “i Lum” me ceremoninë solemne të Lumnimit, kremtuar në Shkodër, më 5 nëntor 2016.