Viti 1870: Jeta e lirë në Prishtinë

Nga: Skënder Latifi

Para se të ndahej me Shqipërinë dhe Kosovën, pasi e transferuan në Sarajevë e në shtatorin e vitit 1870 do të kthehej rrugës së njëjtë nga ka ardhur, kroati Martin Gjurgjeviq, ka lënë edhe disa detaje për Prishtinën ku sipas tij në atë kohë “jetohej shumë lirë”. “Nëpër mejhanet e Prishtinës njeriu mund t’i merrte katër gjella, bukë dhe verë për 2 groshë (40 helerë) dhe të ngopej mirë”, shkruante ai duke u ndalur edhe te ceremonitë e dasmave “të njëjta si te krishterët dhe myslimanët”. Dy vjet pas Gjurgjeviqit në Prishtinë qëndroi publicisti serb Milosh S. Millojeviq (1840 – 1897). Pikësëpari nëpërmjet tij mësojmë se atëbotë nga kufiri serb i Kurshumlisë deri në Prishtinë çmimi i udhërrëfyesit ishte 80 groshë apo sa dyzet gjellë në Prishtinë

Ndërhyrjet e argjipeshkvit dhe malësori i fyer

Martin Gjurgjeviq (1845 – 1913), kroati i punësuar në Zyrën Osmane të Ndërlidhjes, funksion që e ushtroi edhe në Prishtinë në vitet 1869 – 1870 sjell edhe detaje nga përditshmëria në Prishtinën e asaj kohe. Por fillimisht përshkruan rrugën deri atje.

“Argjipeshkvi, bashkë me përcjelljen e tij ngeli këtu tri ditë radhazi duke pritur në audiencë dhe duke ndërhyrë në mosmarrëveshjet bashkëshortore, e në rastet e gjakmarrjeve. Gjithçka bëhej në gjuhën shqipe, prandaj unë kuptoja shumë pak nga ajo që thuhej. Një malësor me autoritet më ftoi që të isha mysafir i tij dhe të qëndroja tek ai 8 apo 14 ditë. Më premtoi se do të më shoqëronte në gjah, duke më çuar nëpër zona të bukura, më pastaj më tha se tashmë ma kishte gjetur një vajzë të bukur e të pasur, e cila i kishte 1000 dele dhe ishte prej fisit të Prenk Bibë Dodës. Unë i thashë se ishte shumë vështirë që të udhëtohej nëpër brigje e male, prej Prishtine deri në Malësi, sepse shqiptarët ishin njerëz të pabindur, prandaj me uniformë të nizamit do të më duhej edhe diçka tjetër rrugës. Malësori u ndie i fyer dhe më tha: ‘Unë do ta dërgoj ty një vogëlushe pesëvjeçare e cila do të të prijë përpara nga Prishtina deri në Malësi dhe nëse do të më ndodhte diçka rrugës, atëherë ai më tha: ‘Merreni kokën dhe pasurinë time’. Nuk shkova as në Malësi e as në Mirditë, përveçse që ishte larg, nuk kisha edhe kohë të mjaftueshme, pasi më duhej të merresha me shërbimin. Me argjipeshkvin u ndamë në Fushë të Gjilanit, ai u nis drejt Prizrenit me përcjelljen e tij, ndërsa unë u nisa për në Janjevë”, shkruan ai.

“Gjatë qëndrimit tim në këtë qytet çmimet ishin si në vijim…”

Sipas Gjurgjeviqit “në Prishtinë jetohet shumë lirë”. “Gjatë qëndrimit tim në këtë qytet çmimet ishin si në vijim: një kilogram grurë kushtonte 10 pare (5 helerë), një kilogram misër 7 pare (3 helerë e gjysmë), një kilogram mish 59 pare (25 helerë), një qerre apo 500 kilogramë lakër kushtonin 10 groshë (2 korona) një okë verë 1 grosh (20 helerë). Një derr i egër i vrarë një gjah me peshë 80 kilogramë kushtonte 30 groshë (6 korona). Nëpër mejhanet e Prishtinës njeriu mund t’i merrte katër gjella, bukë dhe verë për 2 groshë (40 helerë) dhe të ngopej mirë. Si kafshë për tërheqje në këto zona, gjithandej përdoren buajt. Kafshë të egra dhe peshq ka mjaftueshëm në male e lumenj. Banorët e këtushëm e gjuajnë peshkun në mënyrë të çuditshme. I detyrojnë buajt të hyjnë në ujë, më pastaj iu grahin nxitimthi dhe kur ata e turbullojnë ujin mirë, atëherë peshku gjuhet me të madhe me rrjeta. Dhelprat dhe lepujt i gjuajnë me langonj. Ndërsa banorët e këtushëm e bëjnë ushtrimin e gjeraqinave për gjah duke i zënë ato në moshë të re, qysh në muajin qershor. Ata i zbusin shpejt duke mos i lejuar të flenë për dy javë rresht dhe duke iu dhënë mish në dorashka lëkure”, shkruante ai.

Beu i Prishtinës në ballinën e “Messager de la semaine” 15 dhjetor 1877, Paris
“…burrat kënaqeshin veçmas duke qëlluar me kobure nga penxheret”

Gjurgjeviqi sjell edhe detaje për traditat. “Ceremonitë e martesës janë të njëjta si te katolikët po ashtu te myslimanët dhe të krishterët lindorë. Si katolikët si të krishterët lindorë e kanë zakon që të resë t’ia lyejnë me kanë flokët, thonjtë, shuplakat e dorës, shputat dhe thonjtë e këmbëve, njëjtë siç bëjnë myslimanët. Tri ditë para dasmës, zakonisht ditën e mërkurë në shtëpinë e nuses së ardhshme mblidhen vajzat dhe gratë e afërme. Duke kënduar e vallëzuar ashtu siç e përmenda më sipër ato ia lyejnë me kanë flokët, thonjtë, shuplakat e dorës, shputat dhe thonjtë e këmbëve. Një herë më lejuan të shihja nëpërmes derës gjysmë të hapur dhe ta përcillja atë ceremoni, ndërsa burrat kënaqeshin veçmas duke qëlluar me kobure nga penxheret. Në rrethinën e qytetit të Prishtinës, gratë krishtere hedhin valle, por jo si te ne një kurorë të rrumbullakët, por valltaret kapen në dy kolona dhe lozin e këndojnë të kthyera përballë njëra – tjetrës, ashtu siç është katërshja. Unë këtu do të ndahem me Shqipërinë dhe Kosovën, pasi në ndërkohë më transferuan në Sarajevë dhe në shtator të vitit 1870 do të kthehem rrugës së njëjtë nga kam ardhur”, ka përfunduar kroati Martin Gjurgjeviq.

Tri rrugët që nga kufiri serb çojnë për në Prishtinë

Publicisti serb Milosh S. Millojeviq (1840 – 1897) qëndroi në Prishtinë dy vjet pas Gjurgjeviqit. Pikësëpari nëpërmjet tij mësojmë se atëbotë nga kufiri serb i Kurshumlisë deri në Prishtinë çmimi i udhërrëfyesit, besuar apo jo ishte 80 groshë (sa dyzet gjellë në Prishtinë).

“Duke u njohur mirë me udhërrëfyesin tonë axhën Zymber i cili është nga fshati i përtej kufirit, Gjetinë dhe me këshillën e rojeve tona kufitare ne u morëm vesh që për një çmim prej 80 groshëve ai të në çonte në Prishtinë. Axhë Zymberi, ishte burrë 85-vjeçar, mbante mjekër të gjatë të bardhë, ishte i shëndoshë si kaprolli dhe i lehtë në ecje si sorkadhja”. Millojeviq ka sqaruar më tej se prej “kufirit serb të Kurshulmisë drejt Kosovës çonin tri rrugë – dy të kuajve që sipas tij, shumë lehtë mund të shndërroheshin në rrugë për qerre dhe një rrugë e qerreve që nisej nga Kurshmlia për në Prishtinë. Kjo rrugë mund të kalohet për 12 orë”.

“Prej 3330 shtëpive sa ka Prishtina, 350 janë shtëpi serbe”

Publicisti serb siç duket nuk ka qenë njohës i mirë i ndarjes së qyteteve në mëhallë përgjatë kohës së Perandorisë Osmane, pasi në Prishtinë ai “i gjeti” vetëm katër mëhallë! “Panagjyrishtja, Varoshi, Mëhalla e Romëve dhe Pirnas-mëhalla ishin të tërat dhe midis tyre ndodhej Çarshia e Prishtinës. Më pastaj aty ndodhej edhe xhamia e bukur e ndërtuar prej gurëve të gdhendur dhe se ajo ishte ndërtuar në kohën e Sulltan Muratit”. Padyshim se Millojeviq ishte ndarë i kënaqur nga vizita në kryeqendrën e Kosovës pasi aty e kishte gjetur kishën e re ortodokse e cila ishte “ndërtuar në kohën e Jashar pashës”, apo siç thotë ai “kisha ishte ngritur para dyzet vjetëve (1830)”.

Në përshkrimin e detajuar të Prishtinës, Millojeviq është ndalur te çarshia e cila “është e mbuluar dhe e rrethuar me mure, më pastaj Pangjyrishtja nuk e kishte ndryshuar vendin dhe ndodhej në varosh. Në asnjë qytezë të Serbisë nuk ka kaq bejlerë sa ka këtu në Prishtinë. Prej 3330 shtëpive sa ka Prishtina, 350 janë shtëpi serbe”, ka përfunduar Millojeviq i cili në fund ka shkruar: “Kur e pyesja axhën Zymber ai ishte Shkipe ai më thoshte ‘jo’ dhe ma kthente menjëherë se ishte Arnaut!”

Zirat banka dhe Prishtina si kryeqendër e Vilajetit të Kosovës dhe si qendër konsullore

Krahas organizmit të veprimtarisë nacionaliste ndër popujt ballkanikë si pjesë të Perandorisë Osmane, politika e “barazisë” e promovuar nga Tanzimati “u pasqyrua në formën e vet më të gjerë në kushtetutën e vitit 1876 si rrjedhojë e revoltave të pafundme të rajasë”.

Ndërsa, data më e rëndësishme për shqiptarët e Kosovës padyshim se ishte 1 shkurti i vitit 1877. Në këtë ditë u formua Vilajeti i Kosovës, me kryeqendër në Prishtinë.

“Lajmi më interesant lokal është krijimi i Vilajetit të Kosovës”, raportonte diplomati austriak Lipich prej Prizreni më 5 shkurt 1877. Pra, në emërtimin e vilajetit nuk figuronte emri i kryeqendrës së vilajetit si në raste të tjera, por tani Kosova emërtohej si provincë dhe në vete përfshinte territor mjaft të gjerë, duke u kufizuar me Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Bullgarinë e atëhershme. Pas Kongresit të Berlinit “u pa si domosdoshmëri themelimi i një vilajeti të lidhur me tokat e krahinës së Dardanisë së vjetër…Vilajeti i Kosovës përfshinte sipërfaqe prej 32 000 kilometra katrorë”, ka shkruar Mucize Ünlü në studimin e “Kosova Vilayeti (1877- 1912)”. Padyshim se formimi i Vilajetit të Kosovës edhe pse kurrë nuk u shënua si datë historike, megjithatë shënon parahyrjen në krijimin e filozofisë shtetërore te shqiptarët e Kosovës që nga dita e formimit të vilajetit nis rrënjosja e mëvetësisë por jo në kuptimin e veçimit të Kosovës nga viset e tjera shqiptare, por vetëm në raport me fqinjët e shqiptarëve.

Megjithatë, nëse analizohet një reportazh i shkurtër i publikuar në gazetën franceze “Messager de la semaine” në fund të vitit 1877 mund të thuhet se në Prishtinën e atyre viteve banorët e saj pavarësisht përkatësisë fetare jetonin në harmoni të plotë.

“E dija që Xhezaretli Ahmed (Ahmed le Resolu – Ahmedi i vendosur) ishte një personazh i famshëm dhe kisha dëshirë të njihesha me njeriun që kishte luajtur rol të rëndësishëm në vitin 1827, atëherë kur ishte asgjësuar flota turko-egjiptiane në Navarin, me ç’rast beu Xhezaretli Ahmedi kishte luajtur rol të rëndësishëm, saqë emri i tij përgjithmonë ishte gravuar në mendjen e bashkëkombësve të tij”, shkruan në artikull duke u dhënë edhe detaje të tjera rreth jetesës në kryeqendrën tashmë zyrtare të Vilajetit të Kosovës.

“Nga Mitrovica deri në Prishtinë rruga nuk ishte edhe aq e keqe. Kjo është rruga që shkohej nga Selaniku për Sarajevë drejt kufijve të Bosnjës, dhe kjo rrugë njihet me emrin ‘Rruga e Madhe’. Në afërsi të Prishtinës qetësisht rrjedh lumi Sitnica. Aty në Prishtinë mund të gjesh njërën anë të banuar me myslimanë dhe grekë ortodoksë dhe një koloni të vogël besimtarësh katolikë. Të gjithë këta jetojnë në një paqe të madhe me bashkëkombësit e tyre që janë të ndarë në religjione të ndryshme. Fqinjësia e Serbisë ku katolikët nuk favorizohen nuk ka bërë ndikim të keq për besimtarët e krishterë katolikë. Xhezaretli Ahmedi ishte i njoftuar për vizitën time. Ai më priti në oborrin e shtëpisë së tij, ku pas drekimit bënte ‘qejf’ pasi ishte ulur mbi një ulëse të madhe druri dhe aty ishin edhe kushërinjtë e tij që po ashtu ishin ulur në divan. Ai më ftoi të ulesha pranë tij duke më nderuar dhe më tha se nuk ishte i kënaqur pasi te ai vinin në vizitë shumë pak persona. Mbante veshur kostume tradicionale turke; pantallona të gjera, qyrkun dhe turbanin. Qëndronte në njërën këmbë duke u mbështetur në trupin e kushëririt që po ashtu ishte ulur në divan. Një fëmijë pesë a gjashtë vjeç, shumë i bukur ishte nipi i tij që luante me kënaqësi me fijet e argjendta (të thinjura) të mjekrës së gjyshit. Me dorën e majtë Xhezaretli tërhiqte tespihet, sipas zakonit dhe pa mëdyshje siç bëjnë shumë turq duke e praktikuar kështu një ushtrim mekanik për gishtërinjtë. Pastaj më sollën një çibuk dhe dy shërbëtorë një djalë dhe një vajzë nëntë apo dhjetë vjeç na shërbyen me kafe. Miku im gjithashtu e thithte një llullë. Mirëpo ai e kishte bindjen se në shtëpinë ku rrinim të Ahmet Beut dhe oficeri i zaptisë i shoqëruar me një çaush ishte shumë i mirë. Xhezaretli Ahmed Beu ishte një plak i ndershëm dhe ishte pak më tepër se tetëdhjetë vjeç. Më 1827, pas ngjarjeve të Navarinit, kur sulltan Mahmudi me emërim të plotë pas lajmit për asgjësimin e flotës së tij hezitoi megjithatë ta përdorte Sheriatin, Ahmedi i Prishtinës, pasardhësi i shumë bejlerëve të vjetër të vendit, mbante mend myslimanët dhe ca të krishterë që i kishte paguar shtrenjtë që kishin pësuar keq në katastrofën e flotës osmane kundër flotës aleate të Francës, Anglisë, Rusisë. Për këtë ngjarje Ahmedi nuk donte të fliste shumë. Vizita ime vazhdoi edhe ca kohë. Ne folëm për provincën e bukur ku ndodheshim për momentin, Prishtinën dhe për kushtet e popullatës jomyslimane të vendit nga pikëvështrimi i Portës së Lartë. ‘Unë i njoh shumë mirë ata’ më thotë ai ‘dhe mund të them se i dua ata (jomyslimanët). Prandaj mos i besoni secilit që takoni: ata (të krishterët) janë besnikë dhe vendi ynë një ditë të bëhet më unik për eliminimin e agjentëve të Rusisë dhe anëtarëve të tjerë zullumqarë që ata i kanë sjellë dhe akoma i sjellin këtu. Rusët janë destruktivë, ata dëshirojnë të na i prishin synimet tona, por fëmijët tanë myslimanë kanë akoma gjak në damarët e tyre, gjak që nuk ftohet kurrë!’ Ai u ndie mirë kur i tha këto fjalë. Pas pak unë u ndava prej tij. Xhezaretli Ahmed Beu u ngrit ma dha dorën duke më dëshiruar ‘Urime dashamirëse’”, shkruante “Messager de la semaine” në fund të vitit 1877.