Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura së bashku me ekspertët e misionit të UNESCO-s po vijojnë punën në terren mbi përgatitjen e dosjes për ta bërë Vjosën pjesë të trashëgimisë së mbrojtur botërore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto të specialistëve në terren.
“Ekspertët duke vlerësuar nga afër mozaikun e saj si një prej ekosistemeve më unikë në Evropë dhe duke bërë pjesë të diskutimeve edhe banorët e bizneset e zones”, theksoi Rama.
Grupi i ekspertëve ka realizuar inspektime të shumta në terren, duke përfshirë vizita në Monumentin e Natyrës “Ujërat Termale të Bënjës”, në Tepelenë, dhe në Peizazhin e Mbrojtur “Pishë Poro-Nartë”.
Gjatë këtyre vizitave, ata kanë vlerësuar nga afër një nga ekosistemet më unike të Evropës dhe kanë zhvilluar diskutime me banorët dhe bizneset lokale për të siguruar mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre në këtë proces.
Ky hap i rëndësishëm vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë shqiptare për të ruajtur dhe promovuar trashëgiminë natyrore të vendit.
Vjosa u shpall Park Kombëtar në mars të vitit 2023. Vjosa u vizitua edhe nga drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay.
Qeveria ka kërkuar përfshirjen e Vjosës në listën e siteve të mbrojtura nga Unesco, duke e vlerësuar si një prej lumenjve të fundit të egër në Europë dhe i pari Park Kombëtar i një lumi të paprekur.
Përgatitja e aplikimit është një proces i gjatë sipas standardeve të Organizatës Botërore të Kombëve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, dhe Shqipëria do të asistohet nga ekipi i programit “Man and Biosphere”.