Tre ushtarë amerikanë u vranë dhe të paktën 20 të tjerë mbetën të plagosur pas një sulmi me dron në Jordani. Lajmi është konfirmuar nga zyrtarët amerikanë për CNN, duke shënuar rastin e parë të vrasjes së ushtarëve amerikane në Lindjen e Mesme që prej nisjes së luftës në Gaza.
Sulmi ka ndodhur në një zonë pranë kufirit me Sirinë, duke përshkallëzuar edhe më tej pasigurinë në Lindje të Mesme. Që nga e premtja, më shumë se 158 sulme janë shënuar ndaj forcave amerikane dhe atyre partnere vendase në Irak dhe në Siri. Megjithatë, zyrtarët amerikanë e kishin përshkruar breshërinë e raketave e sulmeve të dronëve si të pasuksesshme, teksa shumë ishin eliminuar që në ajër duke mos shkaktuar të lënduar dhe dëme në infrastrukturë. Forcat amerikane ndodhen në postën pranë kufirit në një mision asistimi ndaj forcave të Jordanisë.
Për këtë sulm ka reaguar edhe presidenti amerikan Joe Biden, i cili u zotua se do të gjithë përgjegjësit do të japin llogari për ngjarjen e rëndë, teksa e drejtoi gishtin nga grupet militante të mbështetura nga Irani.
“Natën e kaluar, tre ushtarë amerikanë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me dron ndaj forcave tona të vendosura në Jordaninë verilindore pranë kufirit me Sirinë. Ndërsa jemi ende duke mbledhur fakte për këtë sulm, ne e dimë që ai është kryer nga grupe militante radikale të mbështetura nga Irani që veprojnë në Siri dhe Irak. Të gjithë përgjegjësit do të japin llogari për këtë ngjarje. Tre patriotët do të nderohen për trimërinë e tyre, ndërsa ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për të luftuar terrorizmin”, tha presidenti amerikan.