Dhjetëra mijëra qytetarë serbë janë duke marrë pjesë në protestën e tetë me radhë në Serbi, e organizuar nga opozita serbe, me sloganin e njëjtë si ato të mëparshmet “Serbia kundër dhunës”, pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën muajin e kaluar në Beograd, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.
Serbët janë duke protestuar në dhjetë qytete.
Protesta “Serbia kundër dhunës” pos Beogradit këtë të shtune po mbahet edhe në Suboticë, Novi Sad, Zrenjanin, Shabac, Kragujevc, Krajlevë, Leskovc, Nish dhe Pirot. Të gjitha kanë filluar në orën 18:00.Pamje gjate protestes ne Serbi
Siç raportojnë mediat serbe, thirrjet që më së shumti janë dëgjuar nga protestuesit kanë qenë që të përmbushen kërkesat e tyre nga institucionet serbe dhe që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të largohet nga drejtimi i shtetit.
“Përmbushni kërkesat”, “Vuçiç largohuni”.
Aktivistja serbe, Bojana Vlajoviç Saviç, në fjalën e saj para protestuesve ka thënë se duam të jetojmë në një shoqëri ku dhuna nuk promovohet.
“Ne duam të luftojmë për një shoqëri në të cilën dhuna nuk do të promovohet dhe duam ndryshime në të cilat servituti dhe fisnikëria nuk do të jenë kurrë ‘virtyte’ të dëshirueshme, por përkundrazi vlerësojmë njohuritë dhe ekspertizën që çdo person të ketë të drejtën për një jetë dinjitoze”, tha ajo, transmeton media opozitare serbe “Nova”.
Pamje nga protesta ne Serbi
Pas Beogradit numri më i madh i protestuesve është vërejtur në qytetin e Kraljevës.
Ata janë duke kërkuar largimin e anëtarëve të Këshillit të Trupit Rregullator për Media Elektronike (REM), ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Bratislav Gashiç, dhe kreut të Agjencisë së Informacionit të Sigurisë serbe (BIA), Aleksandër Vulin, konfiskimin e frekuencës kombëtare të televizioneve Pink dhe Happy, si dhe anulimin e mediave që promovojnë dhunë dhe urrejtje.
Ndryshe, në Serbi me 17 qershor është mbajtur protesta e shtatë me radhë, “Serbia kundër dhunës”, e organizuar nga opozita serbe.
Për dallim nga protestat e mëparshme, të shtunën e kaluar, përveçse në Beograd, është mbajtur edhe në Kragujevc, Novi Sad dhe Nish.
Protestat “Serbia kundër dhunës” janë mbajtur që nga 8 maji, në shenjë frustrimi për reagimin e institucioneve serbe pas dy ngjarjeve tragjike që ndodhën në Beograd, ku mbetën të vrarë dhjetëra persona.
Marshimi i protestuesve këtë herë ishte më i shkurtër, pasi që siç thanë organizatorët, kjo është bërë me kërkesë qytetarëve të moshuar që kanë vështirësi në lëvizje dhe që dëshirojnë të marrin pjesë.
Një nga pankartat dhe thirrjet që është dëgjuar më së shumti ka qenë: “Vuçiç dorëhiqu”, “Vuçiç mbytet në gënjeshtrat e tij”.
Ndërsa, organizatorët e protestës kishin paralajmëruar që nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, tubimi i radhës do të mbahet në 10 qytete, çka edhe ndodhi këtë të shtune.