Vuçiç provokon me “3 gishta”, Vulin: Serbia votoi për të mos njohur Kosovën dhe pro Rusisë

Aleksandër Vulin pretendon se Serbia votoi për të mos njohur Kosovën. Por zëvendëskryeministri ngatërron zgjedhjet parlamentare me këto lokale që u përsëritën të dielën, pasi të parat u shpallën të pavlefshme nga parregullsisë.

Vulin ka uruar presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, për këtë fitore, duke vlerësuar se Serbia votoi për mosnjohjen e Kosovës, ruajtjen e Republika Srpska dhe që të mos vendosen sanksione kundër Rusisë. Ky është dhe një sinjal tjetër që qeveria e Beogradit synon provokime në dëm të Kosovës dhe se prioriteti i saj nuk është orientimi nga Bashkimi Europian, por nga Moska.

“Votuesit e shpërblyen presidentin për luftën dhe guximin e tij”, ka thënë zëvendëskryeministri serb, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara.

Vetë Vuçiç ka kthyer profilet zyrtare të institucionit të presidencës serbe në llogari familjare, duke publikuar një video të djalit të tij Danilo dhe vëllezërve të tij që festojnë fitoren në zgjedhje duke provokuar Kosovën. Ata po këndonin një këngë me titull “Jam djalë Kosove”.

Presidenti Vuçiç në fjalimin e tij të parë pas votimeve tha se vendi po hyn në një epokë të re, me probleme të mëdha në politikën e jashtme. Marko Gjuriç është njeriu që drejton diplomacinë serbe, i cili ka vijuar me propagandën e zakonshme gjatë një takimi me shefin e zyrës së Këshillit të Evropës në Beograd, Janos Babiç.

Ministri i Jashtëm pretendon se gjendja në Kosovë është alarmante dhe se pakica serbe përballe me një luftë për mbijetesë, pavarësisht se nuk ka asnjë shembull për ta mbështetur këtë.

Ai loboi hapur kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me arsyetimin e rremë se kjo përbën shkelje të rezolutës 12 44 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.