Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka akuzuar vendet e Perëndimit se kanë “shkelur brutalisht” Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 12 44, duke e njohur pavarësinë e Kosovës dhe duke “i mohuar të gjitha parimet që sot po i mbrojnë”.
Megjithatë, ai theksoi gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së se Serbia dhe të gjitha institucionet e saj po punojnë për ruajtjen e dialogut me Kosovën nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).
“Kjo është detyra jonë. Dialogu është i mundur vetëm nëse ne të gjithë, duke përfshirë edhe ndërmjetësit evropianë, i përmbahemi fort asaj për të cilën është rënë dakord. Mosbalancimi, të cilit Serbia duhet të dorëzohet përgjithmonë, nuk çon në zgjidhjen e problemit”, tha Vuçiqi.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.
“Këtu, në këtë sallë, vetëm dy ditë më parë, e dëgjuam presidentin e Shteteve të Bashkuara [Joe Biden], duke folur për parimin më të rëndësishëm në marrëdhënie mes vendeve, për respektin e integritetit të tyre territorial dhe sovranitetin… i vetmi telash në këtë ishte se vetëm pak orë pas fjalimit të tij, ai e takoi presidenten e të ashtuquajturës Kosovë, e cila cilësohet nga vendet më të fuqishme të Perëndimit si presidente e një vendi të pavarur, e dalë nga territori i Republikës së Serbisë”, u shpreh presidenti i Serbisë, transmeton REL.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të enjten se presidenti i Biden ka dhënë garanci të fuqishme për mbështetjen e vazhdueshme amerikane për Kosovën.
Rezoluta 12 44 e Kombeve të Bashkuara, së cilës iu referua Vuçiqi, i dha fund luftës në Kosovë. Ndër të tjera, rezoluta parasheh mandatin e misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve të Kosovës.
Policia serbe dhe ushtria jugosllave u tërhoqën nga Kosova në verën e vitit 1999 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u dha fund bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.
Bombardimi u iniciua për shkak të krimeve të kryera nga forcat ushtarake dhe policore serbe kundër shqiptarëve të Kosovës. Zyrtarë të lartë serbë u dënuan për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë para gjykatës ndërkombëtare në Hagë.
Në kontestimin e pavarësisë së Kosovës, Serbia ka mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtën e vetos.
Gjatë fjalimit, Vuçiqi e akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për rritje të dhunës me motive etnike kundër serbëve.
“Sot në Kosovë, provincën jugore të Serbisë, po ndodh dhunë e hapur ndaj serbëve nga autoritetet separatiste të Albin Kurtit… vetëm një ditë më vonë, një kontingjent i serbëve u dërguan në burgjet e Kurtit, të arrestuar në bazë të akuzave të fabrikuara në kuadër të fushatës së tij të territorit”, tha ai.
Vuçiqi duket se iu referua arrestimit të tre serbëve, të mërkurën, nën dyshimin për krime lufte të kryera gjatë luftës së vitit 1998-1999 në Kosovë.