Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi për një bisedë telefonike të zhvilluar me Kancelarin Federal të Gjermanisë, Olaf Scholz, me të cilin, mes tjerash, tha se kanë diskutuar edhe për çështje të dialogut të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Vuçiq, siç tha ai në postimin e tij në Facebook, i ka thënë Scholz-it, se “Prishtina këmbëngulshëm e shmang themelimin e Asociacionit të Komunave (të banuara me shumicë) Serbe”.
“Kemi shkëmbyer mendime për të gjitha çështjet delikate në kuadrin e ngjarjeve aktuale globale dhe posaçërisht diskutuam për vendin dhe rolin e Serbisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe për rrugën evropiane të vendit tonë. Kancelarin Scholz e informova në detaje për gjendjen pothuajse të patolerueshme për komunitetin serb në Kosovë, si dhe për shmangien e vazhdueshme të Prishtinës për të përmbushur obligimet e pranuara dhe të nënshkruara, veçanërisht në lidhje me formimin e Asociacionit”, ka shkruar Vuçiq