Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, nga i cili është paralajmëruar për masa ndëshkuese ndaj Serbisë “nëse nuk sillet siç duhet.
Ai u tha gazetarëve në Beograd se gjatë bisedës të dy janë pajtuar se është i nevojshëm “shtensionimi dhe shtimi i rolit të KFOR-it” që sipas tij mbështetet nga Serbia.
Vuçiq tha se me sekretarin Blinken nuk është pajtuar për natyrën e ngjarjeve në Kosovë dhe posaçërisht me “sovranitetin e Kosovës”.
Ai tha se sekretari amerikan foli edhe për “masat e mundshme ndaj Serbisë, nëse nuk sillemi në mënyrën e duhur”.
“Ju jeni një vend i madh, një superfuqi, u takon juve të bëni atë që mendoni se duhet. Unë jam plotësisht kundër kësaj dhe mendoj se është shumë keq, por ka gjëra që duhet t’u përmbahemi, dhe kjo është para së gjithash e vërteta”, tha ai, por pa dhënë më shumë hollësi.
Rreshteri i policisë së Kosovës u vra të dielën në fshatin Banjskë në veri të vendit në një sulm të një grupi të armatosur serb të drejtuar nga Milan Radoiçiç, nënkryetar i deritashmë i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës të mbështetur nga Brogradi.