Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka ndërruar mendje rreth Samitit të Bashkimit Evropian në Tiranë.Disa ditë pasi lajmëroi refuzimin e këtij samiti, presidenti serb ka thënë se do të shkojë në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e BE-së kushtuar Ballkanit Perëndimor.
“Kam biseduar me miq, presidentë të disa vendeve dhe kryeministra. Ndonjëherë emocionet thjesht ju pushtojnë dhe nuk dini si të reagoni dhe çfarë të bëni… Kjo është kur dikush thjesht krijon kriza për ju për muaj të tërë. Thjesht te ndodh, unë jam njeri i gjallë, reagoi edhe emocionalisht. Më lejoni ta përsëris edhe një herë – nuk jam as budalla, as i dehur, as i çmendur, edhe pse shumëve u duket kështu. Për mua është e rëndësishme që gjithçka që thashë të jetë e vërtetë”, tha Vuçiq.
I pyetur nëse do të shkojë në Tiranë, Vuçiq tha se në Samitin e BE-së do të merren disa vendime të mira për Serbinë.
“Përfundimi ynë është se nuk jam i sigurt se do të ketë ndonjë përfitim nga shkuarja ime në Tiranë, por sigurisht që do të kishte shumë dëm nëse nuk shkoja”, tha ai.Vuçiq, disa ditë më parë reagoi me zemërim ndaj emërimit të kryetarit të Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, Nenad Rashiq, në postin e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës dhe tha se do ta refuzojë shkuarjen në Tiranë.