Vuçiq ndodhej në ambasadën e Rusisë kur 3 policët e Kosovës u kidnapuan nga forcat serbe

Mediumi serb “Nova.rs” raporton se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në momentin kur brenda territorit të Kosovës u kidnapuan tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga forcat serbe, ndodhej në ambasadën e Rusisë në Beograd, përcjell gazeta online Reporteri.net.  

Sipas këtij mediumi, kreu i shtetit serb po merrte pjesë në pritjen e organizuar nga ambasada ruse në Serbi me rastin e Ditës së Rusisë, kur u njoftua me urgjencë për kidnapimin e policëve kosovarë, që Serbia po i konsideron si arrestim.

Serbia dhe Rusia ruajnë marrëdhënie të shkëlqyera mesa vete dhe të dyja janë kundërshtaret më të mëdha të shtetit të Kosovës.

Pas marrjes së informacionit, raporton Nova.rs, presidenti serb Vuçiq u drejtua për në Presidencë.

Sipas mediave serbe, të tre policët e kidnapuar ishin të armatosur me armë automatike dhe me pajisje të plota, GPS, harta dhe pajisje të tjera.