Vuçiq: Nga 17 dhjetori, Serbia nën presion të madh nga BE e SHBA

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vendosur t’i dërgojë një kërkesë, komandantit të KFOR-it. Kjo kërkesë ka të bëjë me lejimin e dërgimit të një kontingjenti të forcave serbe në Kosovë.

Një deklarim të tillë, ai e bëri sot gjatë konferencës për media në Beograd. Sipas tij, kjo do të bëhet në përputhje me Rezolutën 1244.

“Nuk kam iluzione sepse kërkesa do të refuzohet, por e bëj këtë që një ditë të mos na thonë se nuk e kemi kërkuar këtë kurrë”, tha Vuçiq.

Ai e cilësoi si veprim të pamatur, veprimin e autoriteteve të Kosovës, për arrestimin e ish pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Sipas tij, ky veprim e ka rrezikuar paqen. Vuçiq pretendoi se serbët  në veri kanë dalë në barrikada, si pasojë e maltretimeve që po bëhen ndaj tyre.

”Ne dëshirojmë një kompromis, por ata kanë bërë gjithçka që ta bëjnë të pamundur jetën normale të serbëve në Kosovë”, u shpreh ai.

Më tej, presidenti serb deklaroi se Kosova me 15 dhjetor, do të aplikojë për anëtarësim në BE.

Ai pretendoi se një veprim i tillë është në kundërshtim me marrëveshjen e Washingtonit.

“Serbia për këtë do të reagojë. Serbia u ka dërgua letra presidentëve dhe kryeministrave të pesë vendeve të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

Ai paralajmëroi se Serbia, nga 17 dhjetori, do të presë presion të ashpër nga jashtë. Kjo pasi sipas tij, përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës, BE-së e SHBA-së, do të jenë së bashku në Beograd.

“Ata do të jenë këtu për të treguar se si duhet të sillemi dhe cilat do të jenë pasojat nëse nuk sillemi në mënyrën e duhur”, tha Vuçiq sot në Beograd.