VV-ja cakton Kurtin si kandidat për kryeministër

Albin Kurti është kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kjo u votua të dielën në Këshillin e Përgjithshëm të partisë në pushtet me shumicë votash.

Kurti nuk pati kundërkandidat brenda partisë

Paraprakisht foli nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, që deklaroi se qeverisja aktuale është më e mira prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ai ka shtuar se kryeministri Albin Kurti nuk është udhëheqës i privilegjeve, por i sakrificave.

“Mund ta themi së bashku dhe më zë të lartë se kjo ishte qeverisja më e mirë për qytetarët dhe shtetin tonë qysh nga pavarësia. Le ta mendojmë edhe një herë në qetësi e larg dezinformatave, që për sovranitetin e Kosovës, ushtrinë tonë, buxhetin tonë, policinë tonë, sigurinë tonë dhe për të gjithë sektorët vitalë të jetës sonë publike, janë të gjitha më mirë e shumë më mirë të organizuar sesa në vitin 2020 e më parë”, ka thënë Konjufca.

Gjatë fjalimit, kryeministri Albin Kurti përmendi punët e Qeverisë. Ai ka thënë se Kosova ka një qeveri që iu shërben qytetarëve njësoj.

Ai foli edhe për Serbinë.

“Serbia mbetet shtet paramilitar. Paramilitarët e saj nuk kanë vend në Kosovë e do t’ia hanë kokën një ditë edhe vetë Serbisë aty ku janë. Përballë këtyre sfidave, Kosova më në fund ka një qeveri që iu shërben të gjithë qytetarëve njësoj, e jo interesave të ngushta të pushtetarëve. apo oligarkëve”, është shprehur Kurti.

Kurti pati mesazhe edhe për opozitën.

“Partitë tjera besoj e kanë kollaj, por as ne nuk e kemi vështirë. Ngase, pragu për partitë e tjera është 5 për qind, e për LVV-në është 50 për qind.”