Në unazën jugore të Elbasanit gjendet Xhamia e Nazireshës, e shpallur Monument Kulture i Kategorisë I që prej vitit 1971.
Kjo xhami, e pasur me histori dhe vlera arkitektonike, ka qenë dhe vazhdon të mbetet një qendër e rëndësishme fetare dhe kulturore në Elbasan. Frekuentohet edhe në ditët e sotme, duke i dhënë vazhdimësi trashëgimisë kulturore dhe fetare të qytetit.
Xhamia e Nazireshës mendohet të jetë ndërtuar në shek. XVI nisur nga kompozimi dhe ndërtimi i saj si dhe nga një mbishkrim i shkruar me bojë në murin fundor të mafilit ku lexohet numri 1599.
Xhamia e Nazireshës është xhami e tipit sulltanor, një shembull i gjallë i arkitekturës mesjetare shqiptare, me minare dhe kupolë. Salla e faltores është në trajtë katrori. Në anën veriore të xhamisë ndodhet porta, e cila të mundëson hyrjen për në sallë. E gjitha hapësira e brëndshme e xhamisë ndriçohet në sajë të dritareve të shumta e të vendosura nga pesë të tilla në secilën prej tre faqeve. Për sa i përket teknikës së ndërtimit në mure është përdorur teknika e klausonazhit.



