Yakin vlerëson karakterin e Xhakës: Ne duam t’i shohim njerëzit e tillë në fushë

Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, e ka vlerësuar Granit Xhakën si person me karakter duke përshkruar atë që ndodhi në ndeshjen ndaj Serbisë.

Mesfushori shqiptar u përfshi në disa incidente me lojtarët dhe stafin e ekipit kundërshtar, ndërsa pas fitores festoi duke e mbajtur përpara fanellën me emrin ‘Jashari’.

“Jemi shumë të kënaqur që e kemi Granitin. Ai është një lider i mirë, merr vendime të mira. Ka karakter, por ne duam t’i shohim njerëzit e tillë në fushë”, citon The Mirror fjalët e trajnerit.

“Lojtarët e vlerësojnë se ai është në gjendje të marrë përgjegjësi dhe është mirë për ne që jemi në gjendje të thërrasim njerëz të tillë. Dhe po, njerëzit kanë shkruar dhe diskutuar për atë që ka ndodhur”.

“Po, ne fituam. Po, ishte emocionale. Dhe emocionet mund të jenë të nevojshme gjatë një ndeshjeje të tillë. Do të kishte qenë e çuditshme sikur ai të kishte qenë pa emocione”, është shprehur Yakin.

Zvicra do të përballet me Portugalinë në 1/8 e finales së Kampionatit Botëror dhe te Helvetikët besojnë se mund ta bëjnë diferencën.