Në Dajç të Zadrimës, një grup grash dhe vajzash të zonës, në përpjekje për të mbështetur ekonominë familjare, janë angazhuar në punëtorinë “Ngjyrat e Zadrimës”. Fshatrat e zonës së Zadrimës shquhen jo vetëm për agroturizëm, por edhe për mjeshtërinë e grave në punimet me tezgjah, një traditë kjo e pasur dhe plot ngjyra. Disa vite më parë Mimoza Pjetri ngriti në fshat punëtorinë “Ngjyrat e Zadrimës”, mbështetur në traditën e zonës për punimet në tezgjah, Sot, me të janë bashkuar edhe pjesëtarë të tjerë të familjes si dhe disa vajza të Dajçit.
“Para disa vitesh, meqë isha papunë, fillova të merresha me tezgjahun pasi ishte edhe pjesë e traditës . Duke u munduar për të gjetur veten thashë: pse jo, të merrem dhe ta shikoj se si shkon. Normalisht shkoi mirë meqë punimet ishin cilësore. Kam ardhur mirë deri këtu dhe mendova që ta zgjeroj”.
Të rejat e punësuara në punëtorinë “Ngjyrat e Zadrimës”, i bashkon jo vetëm dëshira për punë dhe për tu rritur ekonomikisht, por edhe pasioni për traditën e pasur të zonës. Ato kanë sjellë elemente të reja duke gërshetuar traditën me kërkesat e kohës, ç’ka ka bërë që mjaft punime të tyre të pëlqehen nga të rinjtë. Françeska thotë se artikujt e prodhuar nga gratë dhe vajzat e punëtorisë njihen jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj.
“Kam studiuar kimi dhe teknologji ushqimore. Pas studimeve, pasi u ktheva në shtëpi, mendova që t’i jap një dorë mamit në punishten që ajo kishte ndërtuar. Kështu, avash-avash, fillova të përfshihesha. Pashë që është e nevojshme të krijohen produkte të reja që të përfshihet edhe brezi i ri. Ishin të domosdoshme dhe, me kalimin e kohës, krijuam produkte si çanta, bluza, fustane për brezin e ri, të cilat normalisht ishin tërheqëse”.
Gjatë punës në punëtorinë “Ngjyrat e Zadrimës”, Françeska thotë se ka mësuar mbi rëndësinë e përdorimit të rrjeteve sociale si një mundësi për të promovuar jo vetëm artikujt e realizuar prej tyre, por edhe zonën e Zadrimës ku ajo jeton.
“Gjatë punës kuptova që është e nevojshme të bëhet një prezantim më i gjërë sesa thjeshtë zona ku ne jetojmë. Dhe kështu mendova hapjen e rrjeteve sociale për prezantimin jo vetëm të produkteve tona, por në përgjithësi të traditës së Zadrimës. Kjo na erdhi në ndihmë që të prezantojmë edhe produktet e reja duke gërshetuar modernen me traditën”.
Në Shqipëri, vetëm 53% e grave në moshë pune janë në punë, krahasuar me 68% të burrave në moshë pune. Përgjegjësitë familjare, si dhe pagat më të ulëta në krahasim me burrat, i shtyjne gratë të kërkojnë rrugë për tu vetëpunësuar.
Në mungesë të gjetjes së një vendi pune, edhe një pjesë e grave dhe vajzave që kanë përfunduar arsimin e lartë, shpesh përpiqen të vetëpunësohen. Mes tyre është edhe Genta Pjetri, e shkolluar në arsimin e lartë për mësuesi, por që, në pamundësi për të gjetur një vend pune në arsim, punon si rrobaqepëse në punëtorinë “Ngjyrat e Zadrimës”.
Ajo thotë se punëtoria, dalëngadalë ndër vite, është shndërruar edhe në një mbështetëse për gratë dhe vazjat e zonës.
“Ky biznesi jonë ka lindë dhe ka fillu me u zgjeru për me i ndihmu gratë, ngaqë këtu nuk ka shumë vende pune. E vetmja punë është në bujqësi. Por Mimoza, duke i afru gratë, më shumë brezin e ri tek kjo punishte e vogël që shpresojmë ta zgjerojmë, i ka ndihmu për t’i dhanë një ndihmesë, një rrogë, një pavarësi”.
Në Shqipëri, rreth një në pesë gra janë të vetëpunësuara. Sondazhe të ndryshme tregojnë për vështirësitë që hasin gratë dhe vajzat në tregun e punës. Shumë prej tyre punojnë në bizneset familjare të papaguara, ose në sektorin informal, përfshirë bujqësinë, pa sigurime shoqërore, pa paga, ose me paga të ulëta dhe pushime të kufizuara./VOA