Ekspedita arkeologjike që po zhvillohet ne Forumin Bizantin të Durrësit ka nxjerrë në pah elementë të rinj në lidhje me funksionimin e këtij monumenti gjatë periudhës së antikitetit të vonë dhe mesjetës.
Arkeologia Brikena Shkodra, e cila drejton ekspeditën, thotë se qëllimi ishte të identifikonin funksionet e këtij monumenti deri në shekullin 14-15 por tashmë është zbuluar se stratigrafia e monumentit ruhet e pa gërmuar dhe pas shekullit të 6 ku kanë ekzistuar dy nivele përdorimi jete.
“Kemi pasur rezultate të pritshme sepse kishim mundësi të identifikonin pjesë të monumentit ku njohëm disa momente historike të formave dhe transformimeve të kësaj hapësire deri në shekullin 15-të”, tha Shkodra.
Forumi Bizantin është një monument në formë kolonade, i pambuluar dhe ka qenë një hapësirë ku organizoheshin aktivitete sociale, kulturore dhe politike.
Këto janë të dhëna të siguruara nga burimet historike, ndërkohë që ekspeditat arkeologjike që janë zhvilluar në këtë vend kanë zbuluar se në periudha të ndryshme historike kanë ekzistuar edhe taverna ku shërbehej ushqim si dhe punishte për prodhimin dhe tregtimin e enëve të qelqit.
Kjo ekspeditë që po kryhet është e katërta në total në harkun e dy viteve të fundit. Gërmimet po kryhen në kuadër të projektit ‘Dyrraciumi në antikitetin e vonë”, i cili realizohet nga Instituti i Arkeologjisë me mbështetjen financiare të Akademisë së Shkencave.