Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka pranuar për herë të parë se forcat ukrainase po luftojnë në rajonin Kursk të Rusisë, duke shtuar se operacioni është pjesë e përpjekjes së Kievit për të rivendosur drejtësinë pas pushtimit të Rusisë në vitin 2022.
Rusia tha se forcat ukrainase u futën në rajonin e Kurskut të martën dhe kanë bërë përparim, ndërsa thonë që situata është stabilizuar. Bëhet e ditur se Zelensky më parë kishte qëndruar i heshtur për operacionin, shkruan Reuters.
Në fjalimin e tij me video, presidenti tha se kishte diskutuar operacionin me komandantin e lartë ukrainas, Oleksandr Syrskyi, duke mos harruar betejat me të cilat përballen trupat në frontin e vështirë lindor.
“Sot mora disa raporte nga komandanti i përgjithshëm Syrskyi në lidhje me vijën e frontit dhe veprimet tona për të shtyrë luftën në territorin e agresorit”, tha Zelensky.
“I jam mirënjohës çdo njësie të forcave të mbrojtjes. Ukraina po dëshmon se me të vërtetë mund të rivendosë drejtësinë dhe të sigurojë presionin e nevojshëm ndaj agresorit”, shtoi ai.
Zelensky kishte aluduar më parë për operacionin, duke lavdëruar aftësinë e ushtrisë “për të befasuar” dhe duke i falënderuar ata për marrjen rob të ushtarëve rusë për t’u përdorur në negociatat e ardhshme, veçanërisht duke iu referuar javës së kaluar.
Duke i nderuar forcat ukrainase përgjatë vijës së frontit 1,000 kilometra, Zelensky përmendi veprimet në rajonin verior të Sumy, përtej kufirit nga rajoni Kursk i Rusisë.