E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka reaguar pas arrestimit në veri të Nenad Orlloviqit, i cili sipas Policisë së Kosovës dyshohet për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj.
Në reagimin e tyre thuhet se “me këtë arrestim, një ditë pas diskutimeve në Bruksel, Kurti po tregon se nuk dëshiron që tensionet të ulen”.
“Kurti dhe skuadrat e tij të dhunës duan të thyejnë rezistencën e popullit paqësor serb në Kosovë dhe t’i shpallin kriminelë vetëm pse i bëjnë rezistencë paqësore dhe jo të dhunshme terrorit të Prishtinës. Është evidente se Kurti nuk dëshiron dialog e as paqe, por dëshiron t’i arrestojë të gjithë serbët dhe të provokojë konflikte dhe t’i vërë flakën jo vetëm territorit të Kosovës, por edhe të gjithë rajonit”, përfundon deklarata e Zyrës së Petkoviqit.
Policia e Kosovës në komunikatën e lëshuar sot në lidhje me këtë rast, bën të ditur se arrestimi dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore.
Ndërkaq, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla në një reagim tha se secili i dyshuar për sulmet e fundit në veri do të përballet me drejtësinë.