Zyrtarizohet “boshti i së keqes”

Nënshkrimi i traktatit me Iranin pason paktin e vitit të kaluar me Korenë e Veriut, vende të identifikuara dikur nga ish-presidenti amerikan George W. Bush, së bashku me Irakun, si “boshti i së keqes”

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij iranian, Masoud Pezeshkian, kanë nënshkruar të premten një marrëveshje të gjerë bashkëpunimi, teksa vendet e tyre po thellojnë partneritetin përballë sanksioneve perëndimore.

Zyrtarët rusë dhe iranianë kanë thënë se “traktati gjithëpërfshirës i partneritetit strategjik” i mbulon të gjitha fushat – që nga tregtia e deri te bashkëpunimi ushtarak, shkenca, arsimi dhe kultura.

Presidenti Putin e ka lavdëruar marrëveshjen si “një arritje të vërtetë, që krijon kushtet për zhvillimin e qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të Rusisë, Iranit dhe gjithë rajonit”.

Ai ka thënë se niveli aktual i tregtisë dhe bashkëpunimit ekonomik është ende i pamjaftueshëm dhe ka shprehur shpresën se traktati i ri do të ndihmojë për të eliminuar pengesat burokratike dhe për t’i zgjeruar marrëdhëniet. Udhëheqësi rus ka shtuar më vonë se dy vendet po përpiqen të zgjidhin pengesat teknike, për të përparuar me projektet e planifikuara për të dërguar drejt Iranit gazin natyror rus dhe për të krijuar korridore transporti drejt porteve iraniane në Gjirin Persik.

Presidenti iranian Pezeshkian ka thënë se projektet janë të realizueshme dhe ka shtuar se ekspertët po punojnë për të zgjidhur pengesat e mbetura.

“Po përjetojmë një kapitull të ri të marrëdhënieve strategjike”, ka thënë presidenti iranian, duke shtuar se dy vendet pritet t’i zgjerojnë marrëdhëniet tregtare dhe të rrisin edhe “nivelin e bashkëpunimit për sigurinë”.

Vizita e tij në Rusi u bë pak përpara inaugurimit të hënën në Shtetet e Bashkuara të presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili është zotuar të ndërmjetësojë për paqen në Ukrainë dhe për të mbajtur një qëndrim më të ashpër ndaj Iranit, që po përballet me probleme ekonomike në rritje dhe sfida të tjera, përfshirë humbje në sferën e influencës në mbarë Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka hedhur poshtë ndonjë lidhje të mundshme me inaugurimin e Trumpit, duke thënë se nënshkrimi ishte planifikuar shumë kohë më parë.

Nënshkrimi i traktatit me Iranin pason paktin e vitit të kaluar me Korenë e Veriut, vende të identifikuara dikur nga ish-presidenti George W. Bush, së bashku me Irakun, si “boshti i së keqes”.

Lidhjet e Rusisë me Iranin janë bërë më të afërta pasi Putini dërgoi forcat ushtarake në Ukrainë në shkurt të vitit 2022. Ukraina dhe Perëndimi e kanë akuzuar Teheranin se i ka ofruar Moskës qindra dronë për t’u përdorur në sulmet ndaj Ukrainës, gjë që Moska dhe Teherani e kanë mohuar.

Vitin e kaluar, Irani iu bashkua bllokut BRICS të vendeve me ekonomi në zhvillim dhe Pezeshkian mori pjesë në takimin e nivelit të lartë, që u organizua nga Rusia, në Kazan.

Rusia dhe Irani, vende me marrëdhënie të trazuara në të kaluarën, zhvilluan lidhje më të ngrohta pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991. Rusia u bë partnere kryesore në tregti dhe për furnizimin e armëve dhe teknologjisë për Iranin, që është përballur me sanksione të rënda ndërkombëtare.

Rusia ndërtoi centralin e parë bërthamor të Iranit, që filloi funksionimin në vitin 2013 dhe po ndërton atje dy reaktorë të tjerë bërthamorë.

Rusia ishte pjesë e marrëveshjes së vitit 2015 midis Iranit dhe gjashtë fuqive bërthamore, që ofronte lehtësim të sanksioneve për Teheranin në këmbim të frenimit të programit të tij bërthamor dhe Kremlini ofroi mbështetje politike për Iranin kur Shtetet e Bashkuara u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja gjatë mandatit të parë të Trumpit.

Rusia dhe Irani gjithashtu bashkuan përpjekjet e tyre për të mbështetur qeverinë e Bashar Al-Assadit gjatë luftës civile të Sirisë, por nuk arritën të parandalonin rënien e tij muajin e kaluar pas një ofensive të befasishme nga forcat opozitare. Assad dhe familja e tij u larguan drejt Rusisë.

Largimi i tij nga pushteti i dha një tjetër goditje në të gjithë rajonin “Boshtit të Rezistencës”, siç e përshkruan Teherani, që ishte dëmtuar tashmë nga ofensivat e Izraelit kundër dy grupeve militante të mbështetur nga Irani – Hamasit në Gazë dhe Hezbollahut në Liban. Në dy raste, Izraeli madje sulmoi drejtpërdrejt Iranin.

Teherani ka nevojë gjithnjë e më shumë për ndihmën e Moskës, pasi përballet me probleme ekonomike dhe humbje në gjithë sferën e tij të influencës në Lindjen e Mesme. Problemet mund të thellohen pasi Trumpi të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë me politikën e tij të “trysnisë maksimale” ndaj Iranit.

Në veçanti, Irani dëshiron nga Rusia armë të sofistikuara, si sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të gjatë dhe avionë luftarakë për të ndihmuar në shmangien e sulmeve të mundshme nga Izraeli.