100-vjetori i Kadri Roshit, Shqipëria kujton kolosin e skenës

Aktori i madh shqiptar, Kadri Roshi, njeriu i cili skaliti me germa të arta emrin e tij në artin shqiptar, në 11 janar do të festonte 100-vjetorin e tij të lindjes.

Me rastin e 100-vjetorit të artistit të madh është organizuar tek Arturbina eventi për nder të tij, ku është kujtuar mjeshtri i skenës dhe kinematografisë shqiptare duke sjellë ndërmend veprën e tij artistike si monument kulture.

Po ashtu u dha një dokumentari realizuar për të si dhe u promovua libri “Në jetët e të tjerëve” ku personalitete të artit, medies dhe politikes shqiptare, kanë ndarë në libër, kujtimet e tyre personale me Kadri Roshin.

Kadri Roshi ka luajtur rreth 180 role në skenë dhe në kinematografi, duke lënë në kujtesën e teleshikuesve dhe të spektatorëve një portret të pashlyeshëm.

Rolet e tij variojnë nga skllavi Ezop në teatrin “Dhelpra dhe rrushi”, tek kujdestari në filmin “Lulëkuqe mbi mure”; nga mbrojtësi i thekshëm i gjuhës shqipe në filmin “Liri a vdekje”, deri tek plaku Mere në filmin “Njeriu me top”.