71 vjet më parë çamëve u jepej shtetësia shqiptare. Çështja Çame u konsiderua e mbyllur nga Presidiumi i Kuvendit Popullor

Në fund të Luftës së Dytë Botërore spastrimi i shqiptarëve të Çamërisë nga Greqia shënoi një tjetër kapitull në historinë e shqiptarëve. Çamët të rraskapitur dhe të uritur, e gjetën Shqipërinë nën pushtetin e komunistëve.

Çamëve iu dha statusi “refugjat” dhe u lejuan të qëndronin në Shqipëri. Në këto kushte ata krijuan shpejt një komitet për të kërkuar disa të drejta nga ndërkombëtarët, mes tyre dhe kthimin në vendlindje.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, në vitin 1946 Çështja Çame u ngrit në Konferencën e Paqes në Paris, por të gjitha veprimet rezultuan të pafrytshme.

Në fillim të viteve ’50 Çështja Çame u konsiderua e mbyllur dhe në 19 prill të vitit 1953, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi dekretin mbi dhënien e shtetësisë shqiptare çamëve që banonin në Republikën Popullore të Shqipërisë.

Me zbatimin e këtij vendimi ngarkohej Ministria e Punëve të Brendshme dhe me përfundimin e këtij procesi, diktatori Hoxha shpërndau edhe Komitetin.