Autoriteteve ukrainase nuk i kanë pëlqyer deklaratat e fundit të ish-sekretarit amerikan të shtetit, i cili tha se Ukraina duhet t’i dorëzojë territoret Rusisë, për të përshpejtuar fundin e luftës, sipas mediave të huaja.
Sipas këshilltarit të presidencës ukrainase, Mikhailo Podoliak, Kissinger “nuk e ka kuptuar natyrën e kësaj lufte apo ndikimin e saj në rendin botëror”.
Ish-sekretari i shtetit, propozoi një recetë të thjeshtë. Ai tha se Rusia mund “të qetësohet” duke sakrifikuar një pjesë të territorit të Ukrainës në këmbim të garancive për të mos sulmuar shtetet e Europës Lindore.
Sipas Ukrainës, kjo është si të bësh marrëveshje me djallin, një paqe në kurriz të territoreve të Ukrainës.
Komentet e Kissinger vijnë ndërsa liderët botërorë thonë se lufta e Rusisë në Ukrainë ka vënë në pikëpyetje “të gjithë rendin ndërkombëtar”. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u tha udhëheqësve globalë në Davos se lufta nuk është vetëm “një çështje e mbijetesës së Ukrainës” ose “një çështje e sigurisë europiane”, por gjithashtu “një detyrë për të gjithë komunitetin global”.