MPJ e Zvicrës konfirmon takimin sekret mes Kosovës dhe Serbisë: “Por, në takim s’kanë qenë Bislimi e Petkoviç”

Raportimet e mediave zvicerane për një takim sekret në mes të përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë janë të vërteta.

Dy delegacionet janë takuar për bisedime jo zyrtare vetëm shtatë ditë pasi serbët e Kosovës u tërhoqën nga institucionet, kanë thënë për Albanian Post në një përgjigje nga Departamenti Federal Zviceran për Politikë të Jashtme.

“I fundit nga këto takime jo zyrtare është bërë në Zvicër një javë pasi serbët janë tërhequr nga institucionet”, thuhet në përgjigje të MPJ-së zvicerane për AP-në.

Megjithatë, raportimet se pjesë e takimit ishin dy krye shefat e ekipeve negociatore, Besnik Bislimi nga Kosova dhe Petar Petkoviç nga Serbia, nuk janë të vërteta thonë zviceranët.

“Dy shefat e ekipeve negociatore Bislimi dhe Petkoviç nuk janë takuar asnjëherë në këtë lloj formati”, është thënë në përgjigje, duke kërkuar që të mos shtrohen pyetje të tjera për temat specifike të takimeve, pasi “për shkak të konfidencialitetit, nuk mund të komentojmë më shumë rreth kësaj çështje”.

Nga MPJ zvicerane thuhet se takimet e tilla “off the rercord” nuk po bëhen rishtazi, por ato kanë ndodhur edhe në të kaluarën dhe se qëllimi i tyre është njohja e palëve më mirë dhe rritja e mirëbesimit të ndërsjellë.

“Që nga viti 2015 Departamenti Federal i Punëve të Jashtme ka mbështetur negociatat zyrtare të Bashkimi Evropian dhe takimet të tjera plotësues off-the-record (jo zyrtare) me përfaqësues të partive kryesore politike nga të dyja vendet. Kjo u mundëson atyre të shkëmbejnë ide në çështje politike dhe të ndërtojnë mirëbesim”, thonë për Albanian Post nga zyra për media e MPJ-së së Zvicrës.

Në një pjesë tjetër të përgjigjes, thuhet po ashtu se Zvicra vazhdimisht ka qenë e përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë është një pjesë e rëndësishme e mozaikut për të promovuar stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkanin Perëndimor. Zvicra mbështet përpjekjet për normalizim në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në vazhdimësi e ka bërë të qartë në komunikimet zyrtare”.

Në ndërkohë, tashmë janë bërë 10 ditë që pjesa veriore e Kosovës ka mbetur e bllokuar nga barrikadat e shumta të vendosura nga serbët në Veri.

Policia e Kosovës nuk ka ndërmarr aksion për largimin e tyre, meqë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se po presin nga KFOR-i që t’i largojë.

Në anën tjetër, KFOR nuk po i largon, meqë këta po presin një zgjidhje politike të çështjes e vetëm më pas të ndërmerret aksioni i largimit të tyre.

Për shkak të barrikadave, është dashur të mbyllen edhe dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë dhe qarkullimi është ndërprerë krejtësisht.

Veç njerëzve që nuk po kalojnë dot, atje në veri kanë mbetur të bllokuar edhe afër 20 policë, siç ka raportuar Albanian Post ditë më parë.

Serbët vendosën barrikada në veri, pasi policia arrestoi Dejan Pantiç-in, i cili më parë kishte sulmuar Policinë e Kosovës.

Para se të vendosnin barrikadat, serbët në pjesën veriore ishin larguar nga institucionet në të gjitha nivelet, si shenjë e pakënaqësisë së tyre me vendimin e Qeverisë për implementimin e masave kundër targave ilegale serbe me inicialet K.M e të tjera.

Qeveria më pas hoqi dorë nga ky vendim dhe lejoi qarkullimin e veturave me këto targa, por serbët nuk u kthyen në institucione.

Ata tash kanë vënë kusht për kthim formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Por, kryeministri Kurti ka deklaruar se nuk fillojnë themelimin e Asociacionit, përveç nëse kjo çështje përshihet në një marrëveshje të përgjithshme me Serbinë.

Pala tjetër, Serbia, këmbëngulë që Asociacioni të themelohet para nisjes së bisedimeve për marrëveshje finale, duke u thirrur në marrëveshjen e vitit 2013 në Bruksel, ku Kosova e Serbia ishin marrë vesh për themelimin e këtij organizmi.

Aktualisht, situata ka mbetur e ngrirë me potencial eskalimi.

Tjetër element shqetësues që i kontribuon shpërthimit eventual është konsideruar edhe organizimi i grupeve të ndryshme kriminale në Veri dhe në Serbi.

Një pjesë e tyre, të dielën, kanë organizuar protestë afër kufirit me Kosovën.

Për këtë arsye, KFOR-i ka vendosur trupat në pikat kufitare duke e rikthyer kështu situatën para vitit 2011 kur Kosova nuk menaxhonte me këtë pjesë të kufirit.