Presidenti i SHBA Joe Biden dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu drejtuan gazetarëve nga Shtëpia e Bardhë pas një takimi mes tyre.
“Kanë kaluar tashmë 300 ditë që nga sulmi i paprovokuar i Vladimir Putinit në Ukrainë. Treqind ditë luftë nga populli ukrainas që tregoi rezistencë të fortë kundër pushtuesit,” tha Biden në fillim të fjalimit të tij.
“Ju nuk do të jeni kurrë vetëm, lufta juaj është pjesë e diçkaje shumë më të madhe. Që nga fillimi, Shtetet e Bashkuara kanë mbledhur partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të qëndruar të fortë me Ukrainën…Më shumë se 50 vende kanë kontribuar me më shumë se 2000 tanke dhe automjete të tjera. Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur me krenari më shumë se 221,000 ukrainas që kërkojnë azil”, tha presidenti amerikan.
Biden njoftoi një paketë shtesë ndihme prej 1.58 miliardë dollarësh, duke thënë se paketa e fundit do të përfshijë sistemin Patriot.
“Populli amerikan është me ju në çdo hap të rrugës, ne do të qëndrojmë me ju për aq kohë sa të duhet”, tha Biden.
Ai shtoi se Rusia po e bën dimrin të ashpër dhe të vështirë për popullin ukrainas dhe se SHBA dhe aleatët e saj po e ndihmojnë Ukrainën të riparojë sistemet e saj energjetike.
Dy presidentët biseduan me dyer të mbyllura për dy orë para konferencës.