Ishte një javë para Krishtlindjes vitin e kaluar kur Serhiy Sydorenko iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjikale në syrin e tij të djathtë. Një operacion i vështirë, por që nëse dilte me sukses do t’i jepte fund 30 dekadave verbëri për 56-vjeçarin.
Kur infermieret i hoqën fashat disa orë pas operacionit ai mund të shikonte vetëm dritë… dritë të bardhë dhe të dhimbshme, sikur dikush i kishte vënë një elektrik para syve. Infermieret i hodhën disa pika në sy dhe më pas i rilidhën fashat.
Disa orë më vonë, ia hoqën sërish dhe tashmë Serhiy mund të shikonte turbullt konturet e fytyrës së infermieres. Mëngjesin e ditës tjetër profesori që e kishte operuar e vizitoi dhe ia hoqi edhe njëherë fashat.
Serhiy u ul në krevat dhe pa rrotull. Pa profesorin dhe për herë të parë nga martesa gruan e tij, Tamarën. I emocionuar përsëriste vetëm një fjalë: Mund të shoh.
Ishte momenti që kishte ëndërruar për të paktën 36 vitet e fundit. Ai humbi shikimin në një stërvitje ushtarake në ushtrinë sovjetike në vitin 1986. 5 vite më vonë u martua me Tamarën ndërsa në vitin 2008 fitoi medaljen e bronzit në Lojërat Paraolimpike pasi u bë një atlet xhudoje.
Gjithë këto vite, Serhiy ndihej i mbështetur nga të tjerët, por edhe se diçka i mungonte nga jeta e tij. Kur udhëtoi në botë si atlet, nuk mundi t’i shihte vendet që po vizitonte. Bashkë me Tamarën rritën një djalë dhe një vajzë, të dy adoleshentë, por kurrë nuk ua pa fytyrat.
Kur Rusia sulmoi Ukrainën vitin e kaluar, çifti u largua nga Zhytomyr një fshat në perëndim të Kievit dhe u zhvendosën në Poznan, një qytet polak bashkë me vajzën Margaritën. Atje, Serhiy, dëgjoi për një profesor që bënte transplant të kornesë. Në mes të Dhjetorit, ai u fut në thikë.
Pas disa ditësh në spital, Serhiy u lirua mëngjesin e 24 Dhjetorit me shikimin në syrin e djathtë të kthyer totalisht. Teksa ktheheshin, Tamara i kërkoi që të nxitoheshin që të mos humbnin trenin. Por syri i ri i Serhiy-t nuk i kapte dot të gjitha.
Kur një grua po ecte me një qen të vogël leshator, ai ndaloi ta shikonte. Ai kujtonte qentë që ruanin bagëtitë në rininë e tij, por nuk e dinte që njerëzit mbanin qenë të vegjël që për të dukeshin si lodra. Ai ishte ndër të tjera i magjepsur nga mënyra si visheshin njerëzit, nga ndërtesat dhe nga mënyra si dukeshin makinat në vitin 2022. Herën e fundit që kishte parë, shumica e makinave kishin qenë i llojit Lada.
Çifti e kapi trenin dhe kur arritën në Poznan kishte rënë darka. Në Poloni festimi kryesor ndodh në darkën e Krishtlindjes dhe kur arritën në shtëpi tavolina ishte shtruar me kujdes nga Marta, gruaja polake që i kishte pritur në banesë. E pranishme ishte edhe Margarita. Serhiy për herë të parë mund ta shikonte të bijën.
“Ishte një mrekulli Krishtlindjeje”, thotë ai, duke kujtuar atë darkë afro 1 vit më parë.
Serhiy dhe Tamara jetojnë ende në Poznan. Ai mban syze dielli. Ka ende nevojë për të kur del në dritë.
I lindur në Zhytomyr në një familje ushtarake sovjetike, Serhiy ishte një fëmijë sportiv, që u mor me xhudo në shkollë. Në të ardhmen ëndërronte të bëhej oficer ushtrie. Në moshën 18-vjeçare hyri në kolegjin ushtarak, por një incident atje e la të verbër. Ai refuzon të flasë për këtë.
“Këto gjëra janë më mirë të harrohen se të kujtohen, kështu ia kam dalë”, thotë ai.
As doktorët e tij nuk arritën ta kuptonin me saktësi se çfarë ndodhi, por vetëm se një shpërthim e la pa shikim. Nga syri i majtë mund të shikonte herë pas here hije të turbullta, ndërsa nga i djathti, asgjë.
Vitet e para ishin shumë të vështira. Serhiy u hoq nga kolegji dhe tashmë ëndrra e tij kishte përfunduar. Ai kishte nevojë për ndihmë që të realizonte edhe punët më të thjeshta. Rrugës iu krijua insomnia dhe kaloi periudha depresive. Është diçka që e mendon shpesh tashmë, pasi me mijëra ushtarë ukrainas kthehen nga fronti i luftës me lëndime serioze.
“Ata kanë nevojë për një mbështetje të mirë morale dhe psikologjike”, tha ai.
Meritën ua jep prindërve të vet që nuk e lanë të binte përtokë dhe të mos i kthehej alkoolit për të kaluar dhimbjen. Ai nisi të punonte në një akademi sportive në Zhytomyr, ku Tamara ishte studente. Asaj i pëlqeu fakti që ai nuk pinte dhe nisën të flisnin pas një pikniku në verë. Shpejt nisën të dilnin derisa në vitin 1991 u martuan. Në të njëjtin vit, Ukraina shpalli pavarësinë.
Një trajner lokal i xhudos i tha Serhiy-t për lojërat Paraolimpike dhe i sugjeroi që të merrej sërish me pasionin e fëmijërisë.
“Jetoja pranë stadiumit dhe shkoja atje me tren. Tamara më çonte. Kishte tre sesione stërvitjeje në ditë, kështu që nuk kisha kohë të stresohesha”,kujton ai.
Ndër të tjera ai synonte të ndihmonte sa më shumë me punët e shtëpisë, teksa pranon se ka thyer shumë sende teksa ndihmonte që t’i lante. Në vitin 1996, ai nisi të trajnohet me skuadrën kombëtare të Ukrainës në xhudo dhe nisi të udhëtonte për sfidat e para ndërkombëtare. Në vitin 2000 dhe 2004 ai doli i katërti, ndërsa në 2008 fitoi medaljen e bronztë.
Një tjetër moment i madh në karrierën e tij ishte fitorja në vitin 2003 me xhudistin britanik Simon Jackson duke fituar kampionatin e botës të Federatës Ndërkombëtare të Sporteve të të Verbërve.
Xhudo e ndihmoi Serhiy-n që t’ia dilte fizikisht dhe psikologjikisht me mungesën e shikimit. E ndihmoi si të rrëzohej i sigurt, një aftësi e nevojshme në rrethanat e tij dhe e ndihmoi që të largonte ndjenjën e të qenit vulnerabël, një nga efektet më të vështira të verbërisë.
“Një herë kur unë dhe gruaja ime po ecnim një person na doli përpara, një burrë i madh që kishte pirë. Ai nuk donte të na linte të kalonim dhe shtyu Tamarën. Iu hodha dhe ai përfundoi duke fluturuar në asfalt”, tregon ai.
Serhiy e dinte se kishte një shans për një operacion që t’i kthente shikimin, por nuk kryhej në Ukrainë. Më pas ndodhi pushtimi rus. Nuk donte të ikte nga shtëpia, por e bija ishte e tmerruar nga sirenat që paralajmërojnë sulmet dhe kështu familja vendosi të udhëtonte në Poloni. Ishte një vendim që me kalimin e kohës çoi në kthimin e shikimit të tij.
Kornea është një membranë transparente në formë kubi. Ajo mbron pjesën tjetër të syrit dhe duhet të jetë transparente në mënyrë që rrezet e dritës të depërtojnë dhe të godasin retinën. Nëse kornea e humb transparencën një person nuk mund të shohë më.
Në rastin e Serhiy-t nxehtësia dhe kimikatet në shpërthim kishin shkaktuar inflamacion të madh dhe në kornenë e tij ishte formuar një shtresë e trashë enësh gjaku.
“Kur i ekzaminova për herë të parë sytë e tij, pashë një palë perdesh të rënda”, thotë Profesor Edward Wylęgała. Ai është kreu i klinikës së oftalmologjisë në Universitetin Mjekësor të Silesisë.
Menjëherë thotë se e kuptoi që Serhiy mund të përfitonte nga një implant artificial i korneas. Kjo metodë është zhvilluar në vitin 1960 nga Claes Dohlman në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe kornea e Bostonit u aprovua nga FDA në SHBA në vitin 1992 si një alternativë për pacientët që nuk ndërmarrin dot procedurat e transplantit standard të korneas.
Dohlman, tashmë 102 vjeç, refuzoi që ta shiste idenë e tij për qëllime komerciale dhe Shkolla Mjekësore e Harvardit mbetet prodhuesi i vetëm i kornesë së Bostonit. Në vitin 2010 pas shumë lutjesh, profesori polak e bindi Dohlman që të dhuronte 5 pajisje në spitalin e tij. Tashmë në Poloni zhvillohet rreth 100 operacione në vit duke përdorur kornean e Bostonit.
Që prej operacionit gjithçka ka marrë një dimension të ri vizual për Serhiy-n. Ai u kthye bashkë me gruan në Zhytomyr, disa ditë për të vizituar nënën e moshuar, djalin dhe vëllain me të vogël që po lufton me ushtrinë ukrainase. Vizita përkoi me disa sulme me raketa në qytet duke e bërë rikthimin të hidhur. Megjithatë pati shanse të shihte shumë miq të vjetër.
“Në kokën e time imagjinoja si dukeshin në fëmijëri, por sigurisht që nuk duken aspak ashtu tani. Nuk mendoj se do kisha njohur ndonjërin prej tyre po t’i shihna në rrugë”, thotë ai.
Personi tjetër që ka vështirësi të njohë është vetja e tij. Kur shikon në pasqyrë, shikon fytyrën e një 56-vjeçari që e shikon. Herën e fundit që u pa në pasqyrë ishte 19 vjeç. Tashmë ai mund të dalë xhiro në Poznan vetëm, pa ndihmë. Duket se deri tashmë bashkë me Tamarën ia kanë dalë që të përballojnë këtë ndryshim dramatik në jetën e tyre.
“Jeta ime është më e lehtë tashmë”, thotë ai.
Këtë darkë Krishtlindjesh familja do të ulet sërish në tavolinën e Martës në Poznan. Serhiy shpreson se së shpejti do të ndërmarrë një tjetër operacion për të rikthyer plotësisht shikimin në syrin e majtë. Megjithatë ai po shikon gjëra të reja. Së fundmi bëri një udhëtim në Sopot, bregun e Detit Baltik dhe ishte i mahnitur. Ka notuar më parë në oqean në Brazil dhe Australi, por nuk e ka parë ujin.
Disa mëngjese ai zgjohet duke pyetur nëse e gjitha është një imagjinatë. Shpejt ngre dorën e djathtë. Aty ka një shenjë të madhe nga lindja e vajzës që pëlqen ta fërkojë për fat të mirë. Kur e sheh atë qetësohet. Ende mund të shohë. “Është ende një surprizë për mua çdo ditë”, thotë ai.
Shkrim nga The Guardian
Përshtati në shqip Tvklan