Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka marrë pjesë në një konferencë të përbashkët me homologun e tij kroat, Zoran Milanoviç pas takimit të tyre dypalësh. Në fjalën e tij, Begaj tha se marrëdhëniet me Kroacinë kanë qenë të mira dhe së bashku me homologun e tij kanë vendosur në dukje bashkëpunimin në fushën e turizmit dhe infrastrukturës.
Sakaq shtoi se Kroacia ka dhënë mbështetje dhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe dialogun me Serbinë, për të normalizuar marrëdhënien mes dy vendeve.
“Marrëdhëniet tona kanë në themel prioritetin dypalësh, festuam 30 vjetorin dhe kemi krijuar një kapital të mirë bashkëpunimi. Ende mbetet shumë për t’u bërë, në këtë drejtim duhet të ketë më shumë. Investimet kroate janë të mirëpritura në fushën e turizmit, energjie dhe infrastrukturës. Ka ardhur koha të kemi një linjë ajrore direkte mes dy vendeve, në raport mes dy vendeve ka luajtur dhe diaspora shqiptare në Kroaci.”
“Kemi folur dhe për bashkëpunimin rajonal, Kroacia mund të shërbejë si një model për ne. Falënderova presidentin kroat për mbështetjen që i dha Kosovës për liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e saj në organizata të rëndësishme. Si dy vende anëtare të NATO-s është e rëndësishme koordinimi që dhe Kosova të bëhet pjesë së shpejti në këtë organizatë. Por dhe dialogun Kosovë -Serbi për tu dakortësuar, do t’i hapë rrugë normalizimit të marrëdhënieve. Kjo do t’i shërbente rajonit dhe jo vetëm”, tha ai