Ekipi i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, i përbërë nga gjashtë studentë, ka hyrë në top 3-shen e garës më prestigjioze të drejtësisë në botë, “Willem C Vis”.
Presidentja Vjosa Osmani e ka quajtur sukses historik rezultatin e këtyre studentëve.
Ajo ka thënë se ekipi pjesëmarrës i fakultetit juridik të UP-së ka arritur në top treshen më të mirë në garën ku morën pjesë rreth 400 universitete.
“Këto vajza e djem nga Kosova kanë lënë prapa Universitete si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera në garën më prestigjioze të drejtësisë, Willem C Vis. Ata po ashtu fituan çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur.Ky ekip këtu në foto dëshmon se vetëm me punë e përkushtim arrihet gjithçka. Krenare sa më s’ka”, ka shkruar ajo në Facebook.
Osmani tutje ka uruar studentët pjesëmarrës: Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe trajnerët: Prof. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj.