Pranë Stacionit të Autobusëve ndërtesa deri në 30 kate

Kuvendi Komunal i Prishtinës do të marrë së shpejti për votim propozimin e kabinetit të kryetarit, Përparim Rama, për lagjen “Kalabria”. Në planin e hollësishëm, Rama ka propozuar që Stacionit të Autobusëve t’i rritet koeficienti i ndërtimit nga 1.8 në 7, duke bërë që në këtë hapësirë të ndërtohet nga 20 deri në 30 kate. Ndryshe mendonte Rama për këtë lagje në fillim të mandatit të tij.

Ndërtesa të mëdha përreth e në mes objekti i vogël i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë – ky është një projekt i prezantuar nga kryetari Përparim Rama për hapësirën e Stacionit të Autobusëve.

Për realizimin e kësaj ideje, në planin rregullues të hollësishëm të “Kalabrisë” që deri pak ditë më parë ishte në diskutim publik, kryetari arkitekt rriti koeficientin e ndërtimit  nga 1.8 në 7, që nëse kthehet në kate ndërtimi mund të shkojë nga 20 deri në 30 kate.

Kështu Rama ndryshoi mendim dy vjet pas mandatit, sepse në fillim të tij ai e anuloi planin e lagjes duke thënë se nuk ka hapësira për kaq shumë ndërtesa të larta e banorë.

“Drejtori i planifikimit dhe urbanizmit, Arbër Sadiki, thotë se  shumica e zonave të lagjes kanë mbetur me koeficientet e kërkuara nga banorët:2.4.

Stacioni i Autobusëve thotë se ka nevojë për transformim. Në propozimin e Komunës kjo parcelë është paraparë si zonë për shfrytëzim të përzier që i hap rrugë partneritetit publiko-privat”, pati thënë Rama.

Ndërsa, Arbër Sadiki, drejtor i Planifikimit dhe Urbanizmit ka sqaruar se në zonat ekzistuese janë mbajtur koeficiente të njëjta të planit ekzistues.

“I vetmi ndryshim që është bërë interesi i përgjithshëm i kryeqytetit, për një zhvillim më të mirë të kryeqytetit, t’u shtohet vlera tokave, që pronare e tyre është Prishtina ose Qeveria e Kosovës, në mënyrë që të mund të përfitohet për interesa të përgjithshme të kryeqytetit. Është bërë kujdes që të jenë vetëm pronat publike. Ideja e transformimit të asaj zone është stacioni momental nuk i plotëson kushtet bashkëkohore dhe ideja është që përmes këtij riformatimit të komplet asaj zone edhe stacioni të përfshihet në një zgjidhje krejtësisht bashkëkohore edhe me transporte të tjera alternative. Pra gjithmonë flitet për transport të integruar dhe të mos shërbejë vetëm si ndërlidhje me qytetet e tjera”, ka thënë Sadiki.

Të kundërligjshëm e shohin propozimin e Komunës disa arkitektë.

“Së pari duhet ligjshmëria e sipas PZHK-së e PZHU-së aty te Stacioni i Autobusëve nuk parashihet koeficienti 7, prandaj është plan i kundërligjshëm. Gjithashtu që nga viti 2013 ligji nuk njeh plane rregulluese urbane, por vetëm PZHK-ja, harta zonale dhe plane të hollësishme. Prandaj, Komuna nuk e ka zbatuar Ligjin për planifikim, ku së pari duhet miratimi i PZHK-së dhe hartave zonale, pastaj të hartojë planet e hollësishme”, ka deklaruar arkitekti Valdet Osmani.

E Driton Tafallari, njohës i urbanizimit, thotë se nuk do të duhej të bëheshin plane me dallime në koeficiente ndërtimi.

“Në qoftë se bëjmë trajtimin e lagjeve duhet të bëhet si tërësi dhe jo në zona individuale, prandaj mendoj që është e ngutshme bërja e planit të ri për një lagje pa e pritur miratimin e planit zhvillimor komunal dhe ai është në ministri në shqyrtim. Edhe në hartën zonale është punuar mjaft. Pra duhet të miratohen ato, pastaj të vazhdohet me lagjet”, ka theksuar Tafallari.

Ky plan ka qenë në diskutim publik dhe tashmë është duke u bërë gati për dërgim për votim në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Partitë opozitare si LVV e PDK nuk janë deklaruar nëse do të votojnë një plan që Stacionin e Autobusëve e kthen në rrokaqiej.