Fotografi shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Besnik Mehmeti, ka folur rreth dokumentimit të eksodit të kosovarëve në Bllacë gjatë luftës në Kosovë.
Mehmeti në emisionin “Kallxo Përnime” ka rrëfyer momentin e një fotografie të një adoleshenteje e cila ishte duke qarë.
“Kur kam ardhë nga Londra në shpi, në Shkup, shpia ishte e mbushur me refugjatë nga Kosova. Kam shku te një hotel ku më tha vëllai që janë gazetarët pastaj kur shkova atje më thanë që kanë dalë në terren. Një gazetar turk më tha: A a e di ku është Bllaca? I thash: Po, eja të shkojmë bashkë sepse unë s’kisha buxhet. Edhe kur kam ardhë se shihej nga lart kur e sheh këtë deti të zi prej njerëzve m’u kanë pre këmbë thash: Ne mbaruam këtu” – tha Mehmeti.
“Kur është njeri tu qajtë kur t’ja çosh aparatin dhe ia prek privatësinë është shumë sen i randë edhe e merr veten inat thu: çka jam tu bo, kush jam unë, pse po e bëj këtë punë, qysh po i jap vetës të drejtë me ia hekë edhe atë pak dinjitet që i ka mbetë këtij njeri. Nana e kthen fëmijën tu qajtë drejt kamerës e thotë: Bija e nanës tregoji botës se çka janë tu na bo. Unë i kam fëmijët tash adoleshentë edhe e di që s’kanë qejf me ja drejtu aparatin tu qajtë” – tha Mehmeti.
Fotografi shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Besnik Mehmeti në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka ndarë fotografi të dokumentuara në kohën e eksodit të kosovarëve në Bllacë gjatë vitit 1999 e fotografi të tjera si ato të ushtarëve të UÇK-së e kufoma nëpër shtëpi të kosovarëve pas luftës.
Për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera edhe në luftërat në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.