Në qytetin antik të Antakias në Turqinë Jugore nuk ka ethe zgjedhore, por vetem rrënoja dhe lot.
“Ajo që dua nga kutia e votimit është trupi i tij i pajetë dhe asgjë tjetër. Ai nuk është i dobishëm për ne”.
Me këtë deklaratë, gjyshja 68-vjeçare Fethiye Keklik i referohet Presidentit turk, Erdogan. Edhe pse fyerja ndaj presidentit mund të fusë në burg këdo në Turqi, e moshuara refuzon të heshtë.
“Ai vetëm sjell dëm. Unë jam duke menduar që të djeg fletën time të votimit para policisë dhe ushtarëve”, shton ajo.
BBC e ka gjetur 68-vjeçaren në një varrezë të zymtë buzë rrugës ku pikëllimi i saj të thyen zemrën. E ulur në tokë, ajo thërret mes dhimbjes djalin e saj Coskun, 45 vjeç, i cili shtrihet nën dhe.
“Si mund të të harroj? Të lutem më merr me vete, ke lënë jetimë pas vetes, Eren e kam sjellë të të shoh”, ajo vajton duke kapur dërrasën e papërpunuar prej druri që shënon varrin e tij teksa përmend nipin e saj.
Rizgjedhja e Rexhep Taip Erdoganit, president për një tjetër mandat dhe ruajtja e shumicës në parlament duket gjithnjë e më e vështirë. Me afrimin e datës së zgjedhjeve, 14 Maj, rivali i tij kryesor republikan Kemal Kiliçdarollu, e ka kapërcyer presidentin aktual në shumicën e sondazheve ndryshe nga fillimi i fushatës kur Erdogan ishte në avantazh.
Në prag të zgjedhjeve, turqit thonë se kanë pasur shumë arsye për të humbur besimin tek presidenti aktual Erdogan, që nga reagimi i ngadaltë i shtetit ndaj tërmetit të muajit Shkurt e deri tek një ekonomi që vjen e bjen në “pikatë”. Norma zyrtare e inflacionit është 50%. Shifra reale mund të jetë dyfishi. Ekspertët fajësojnë politikat ekonomike të presidentit.
Numri zyrtar nga fatkeqësia më e rëndë natyrore në historinë moderne turke është më shumë se 50,000. Shumë turq besojnë se shifra reale është shumë më e lartë dhe qeveria ka ndaluar së numëruari.