Gjergj Kastrioti ishte i pari mbret i thuajse gjithë Shqiptarisë. Papa i asaj kohe disa herë shprehu dëshirën dhe gatishmërinë për ta kurorëzuar atë si Mbret të Shqipërisë, por kjo gjë nuk ndodhi. Gjithsesi, ai ishte mbret dhe kjo gjë nuk mund të mohohet.
Me vdekjen e tij, familja emigroi për në Napoli, mbreti i të cilit ishte mik i familjes. Me këtë veprim, i vetmi pasardhës i tij, emri i të cilit përkon me paraardhësin e tij, Gjon Kastrioti, shkoi në Napoli bashkë me të ëmën.
Dhe kjo ishte lëvizje e Kastriotëve, përpos një tentative të Gjonit, e la dinastinë e Kastriotëve gjithmonë jashtë territoreve shqiptare.
Sa shkruhet më lart, është e njohur nga ana e ndritshme e historisë. Por historia, ashtu si thuajse çdo gjë tjetër, ka edhe një anë të fshehtë. Dhe në këtë anë të fshehtë, një qiri i motshëm ndriçoi mbi një figurë thuajse krejt të panjohur. Bëhet fjalë për një pretendent si pasardhës i kësaj dinastie, Juan Pedro Aladro Kastriota (Gjin Kastrioti).
Ai lindi në Jerez de la Frontanera, në Andaluzi në 1845 dhe ishte djali i paligjshëm i Isabel Aladro Perez me Juan Pedro Domecq Lembey. Ishte një diplomat dhe gjatë udhëtimeve të tij diplomatike, ai ra në gjurmët e Shqipërisë për çështjen e së cilës u interesua veçanërisht.
Në lidhje me këtë çështje, ai botoi broshura në vendet evropiane si Bruksel, Athinë, Napoli, Vjenë e deri në Bukuresht. Sipas librit “Shkolla shqipe në Korçë” shkruar nga Nuçi Naçi, Juan Kastrioti pagoi edhe për hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë. Këtë ide apo hipotezë e fakton edhe Lumo Skendo i cili thotë “Ndihmat që mblidheshin në Korçë u prenë, po Naçi gjeti mburime të tjerë: Aladrua i dërgoj 1,000 Fr.ari…”
Por veprimtaria e tij politike dhe diplomatike në Shqipëri nuk mund të shihet për asnjë çast e shkëputur nga historia e botimeve te revista “Albania” që është botuar në fund të shekullit XIX deri në fillim të shekullit XX nga Faik Konica në mërgim. Dhe pikërisht, nëpërmjet lidhjeve të tij me këtë revistë mund të kuptohet edhe arsyeja se pse atij iu bë reklamë nga kjo e fundit.
Sipas Fan S. Nolit në librin e tij “Kalendari i Vatrës i motit 1918” botuar në Boston, thuhet se në vitin 1902 botoi në revistën “Albania” në bashkëpunim me Konicën një hartë gjeografike të Shqipërisë.
Ky bashkëpunim ndodhi një vit pasi ai krijoi një çmim letërsie i cili u fitua nga Dom Ndoc Nika, një prift shkodran, i cili është edhe romancieri i parë shqiptar. Lidhja e dom Ndoc Nikës me Faik Konicën është e njohur, pasi vetëm aty botonte shkrimet e veta studimore e letrare dom Ndoci, nën pseudonimin Nakdo Monici. Ai ka botuar te “Albania” plot 42 artikuj.
Viti kur Dom Ndoci fitoi çmimin e lartpërmendur (1901), në një suplement të “Albania” u botua një foto e madhe e Juan Pedro Aladro Kastriota veshur me veshje ushtarako-princërore me nënshkrimin Don Ghini i Aladros-Kastriotit. Sipas studimit të Willi Kamsit me titull “Albania 1897 – 1909 Bibliografi kronologjike” botuar nga “Biblioteka Françeskane ‘At Gjergj Fishta’” thuhet se Gh e asokohe i përkonte alfabetit të organizatës “Bashkimi” dhe sot përkon me tingullin e shkronjës Gj, çka do të thotë se bëhet fjalë për të njëjtin person.
Në faqen pasardhëse shkruhet: “Chmimi Skenderbeg” – ce Don Ghini i Aladros-Kastriotit pati mendimin ace te bukur e ace te larte te themeloje per shkronetoret shciptare u dha per motin 1901.
Lufta dhelperishte e e ashper ce i bejne ghuhes s’one te huajt e Anadollit te ardhur ner ne ce te na rjepin, te na shajne e me ne funt te na shesin ne duar te Moskovit, shterngimet e te paudha, pengimet e gratskat e perditshma te Ceverise, te ghitha keto na e bejne detyre te mos e botojme emerin e shronetorit ci e fitoj chmimin.
Po mundim te thomi se i chmimuari – i tsili u zgodh me ne ghykim shume te holle prej shpirtlartit themelues – eshte ner asi shkronetoresh ce, sikur te i a citim ne shesh emerin, ghithe bota me ne ze do te thoshin se e ka merituar ne cint here per sherbimet ce i beri e po i ben ghuhes.
I urojme jete te ghate te shkelcyshmit sternip te Skanderbegut, themelusit te Chmimit – e te chmimuarit, i tsili eshte ne ner me te paret bashkepunetore te kesaj se perkohshme, i dergojme me ghithe zemre pergezimet tona.”
Nëse sërish bazohemi në studimin e lartpërmendur të studiuesit të ndjere Willi Kamsi, shqipërimi me shqipen e sotshme për tekstin e mësipërm, duke mos ndryshuar asnjë fjalë, do të ishte: “Çmimi Skënderbeg – që Don Gjini i Aladros-Kastrioti pati mendim aq të bukur e aq të lartë të themelojë për shkronjëtorët shqiptarë u dha për motin 1901.
Lufta dhelpërishte e e ashpër që i bëjnë gjuhës s’onë të huajt e Anadollit të ardhur ndër ne që të na rjepin, të na shajnë e më në fund të na shesin në duar të Moskovit, shtrëngimet e të paudha, pengimet e grackat e përditshme të Qeverisë, të gjitha këto na bëjnë detyrë të mos botojmë emrin e shkronjëtorit që e fitoi çmimin.
Po mundemi të themi se i çmimuari – i cili u zgjodh me gjykim shumë të hollë prej shpirtlartit themelues – është ndër asi shkronjëtorësh që, sikur të ia qitnim në shesh emrin, gjithë bota me një zë do të thoshin se e ka merutuar një qind herë për shërbimet që i bëri gjuhës.
I urojmë jetë të gjatë të shkëlqymit sternip të Skandërbegut, themelusit të Çmimit – e të çmimuarit, i cili është ndër më të parët bashkëpunëtorë të kësaj së përkohshme, i dërgojmë me gjithë zemër përgëzimet tona.”
Nga sa shkruhet më lart, në heshtje redaksia e revistës “Albania” i thur ditirambe Juan Pedro Aladro Kastriotit duke e quajtur shpirtënalt dhe të shkëlqyer. Por përse ndodh kjo?
Si edhe më lart citova në lidhje me financimin që Juan Pedro Aladro Kastrioti i kishte bërë shkollës së parë shqipe në Korçë dhe broshurat për çështjen shqiptare që ai kishte shpërndarë nëpër qytetet evropiane, ishte krijuar ideja se ai ishte një bamirës, i cili i donte të mirën Shqipërisë dhe kishte mundësi për ta financuar atë. Pikërisht për këtë arsye, në pritje të ndonjë financimi besoj se redaksia i thur ditirambe stërnipit të Skënderbeut.
Një vit më vonë, më 1902, ai financoi edhe një klub studentësh shqiptarë në Bukuresht. Klubi kishte emrin “Shpresa” . Gjithashtu më pas, ai financoi edhe revistën “La Nazione Albanese” të publicistit Anselmo Lorecchio, i cili e promovoi atë.
Fakti që revista “La Nazione Albanese” e promovoi Juan Pedro Aladro Kastriotin vetëm pas financimit që ai i bëri, ndonëse ai kishte qenë në fillim të 1900 në Siçili e Kalabri vetëm për të takuar komunitetet arbëreshe, sjell natyrshëm një dyshim mos ndoshta edhe promovimi që Konica i bën në revistën “Albania” vjen pas një financimi në botimin e saj.
Por, përballë kësaj hipoteze qëndron edhe mundësia që vetë dom Ndoc Nika t’i ketë bërë redaksisë së “Albania”-s që të tregojë për çmimin që kishte fituar. Por kjo bie poshtë për sa kohë që ai kërkon të qëndrojë anonim.
Ndërsa mundësia e fundit është ajo e një kërkese që vetë Juan Pedro Aladro Kastrioti mund t’i ketë bërë fituesit të konkursit të tij, dom Ndoc Nikës, duke i kërkuar që ai ta promovonte atë në një revistë të lexuar nga shqiptarët.
Më lart janë katër hipoteza dhe vetëm njëra prej tyre ka rënë poshtë. Prandaj vazhdon të mbetet enigëm lidhja e Juan Pedro Aladro Kastriota me redaksinë e “Albania”-s. /Konica